Të rinjtë, të zhgënjyer me procesin eurointegrues

Performancë e disa të rinjve, Maqedoni e Veriut- Fotografi ilustruese.

Të rinjtë në Maqedoninë e Veriut kanë shumë pak besim tek autoritetet e vendit kur bëhet fjalë për zotimet që kanë marrë për sa i përket përmirësimit të standardit jetësor, realizimit të reformave në institucione, si dhe përshpejtimin e dinamikës së procesit të integrimeve.

Stefan Daneski, student në Fakultetin për Siguri në Shkup, thotë për Radion Evropa e Lirë se që i vogël e deri më tani që po shkel dekadën e tretë të jetës së tij, është lodhur së dëgjuari se do të bëhet mirë kur vendi të bëhet pjesë e familjes evropiane, ndërkaq thotë se nuk sheh as hapa më të vegjël për sa i përket përmirësimit të cilësisë së jetës.

“Ne duhet të punojmë që më pas të shohim perspektivën atje (vendet e Bashkimit Evropian). Për të hyrë në Bashkimin Evropian besoj se do të duhen edhe shumë vite, pasi ato, autoritetet e Brukselit, e shohin se çka po ndodh te ne, ku akoma është i pranishëm korrupsioni, sistemi gjyqësor mbetet jofunksional, punësimet bëhen mbi baza partiake. Deri kur duhet të pres të ndryshojnë gjërat? Që nga lindja i dëgjoj këto fraza se do bëhet mirë kur të bëhemi pjesë e BE-së”, thotë Daneski.

SHIKONI EDHE: Të rinjtë në Maqedoni nuk përfshihen në krijimin e politikave

Nga ana tjetër, Arbër Kadriu, i cili drejton platformën e të rinjve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë se të rinjtë shprehen mosbesues se gjërat do të fillojnë të funksionojnë në bazë të standardeve evropiane përderisa ende mbetet mendësia e ish-regjimit komunist ku ai që është në krye mbetet i paprekur nga llogaridhënia.

“Çdo herë, me formimin e qeverive të reja theksohet se prioritet i kanë reformat. Ne i kemi ndryshuar disa qeveri, kemi nderuar disa kryeministra që nga pavarësia e shtetit e së këndejmi, po në realitet përballemi me mendësinë e ish-regjimit komunist të ish-Jugosllavisë. Për këtë shkak, ne fare nuk besojmë në ngritjen e standardit jetësor dhe nga të gjitha arsyetimet që i kemi pasur çdo i dyti ose e pakta çdo i treti i ri synon të largohet nga vendi për një jetë më të mirë, që nuk nënkupton vetëm pagën e sigurt, por sigurinë e funksionimit të drejtë të institucioneve. Sot më nuk shtrohet pyetja e mbijetesës, por sot të rinjtë largohen nga vendi për një karrierë më të mirë, për një jetë më të lumtur - kërkesa këto që nuk mund t’i përmbushin këtu”, shprehet Kadriu.

Ai shton se zhgënjimi më i madh i të rinjve mbetet çelësi partiak për çdo institucion të vendit dhe më e keqja, sipas tij, kjo dukuri mbetet më e shprehur në arsim.

“Faktikisht, ne nuk shohim aspak ndonjë strategji, apo përkrahje për të rinjtë nga ana e institucioneve. Përkundrazi akoma gjithnjë më i shprehur është nepotizmi, animi partiak i institucioneve në shkollat fillore, ato të mesme dhe në universitete”, thotë ai.

SHIKONI EDHE: Përqindje e lartë e papunësisë në mesin e të rinjve

Ndërsa, për Stefan Daneskin e pakuptimtë mbetet të jetohet jeta e prindërve, e cila për tri dekada ka qenë e ndërtuar në shpresën se anëtarësimi i vendit do t’ua bëjë më të lehtë jetën.

Ai thotë se të rinjve u jepet pak hapësirë që të bëhen korrektorë të funksionimit të institucioneve.

“Shumë pak do të thosha shfrytëzohet potenciali që kanë të rinjtë. Pa e neglizhuar përvojën e më të moshuarve, të rinjtë veprojnë shumë më shpejt dhe shumë më shpejt arrijnë t’u përshtaten ndryshimeve për sa i përket funksionimit të institucioneve që kërkohet nga Bashkimi Evropian. Kjo duket se nuk kuptohet nga drejtuesit e shtetit”, thotë Daneski.

SHIKONI EDHE: Ambasadori francez në Shkup: Zgjerimi i BE-së nuk ka afate

Ndërkaq, Vasko Naumovski, ish-zëvendëskryeministër, aktualisht ligjërues i Shkencave Politike në Universitetin e Shkupit, thotë për Radion Evropa e Lirë se angazhimi për të ndryshuar funksionimin e institucioneve mundëson që Maqedonia e Veriut të ofrojë kushte më të mira për vetë qytetarët e saj dhe jo vetëm plotësimin e kritereve që kërkohen nga Brukseli për anëtarësimin e vendit në familjen evropiane.

“Lufta kundër korrupsionit, sundimi i drejtësisë, reformat në administratë, mbrojtja e ambientit jetësor, etj, janë fusha që duhet të paraqesin prioritet për çdo qeveri dhe në këtë mënyrë ne të krijojmë kushte për një shoqëri konkurruese, e cila shumë lehtë do të inkorporohet në Bashkimin Evropian posa ne të bëhemi pjesë e kësaj familjeje. Por, para se të ndodhë kjo, këto angazhime krijojnë kushte për një cilësi më të mirë për vetë qytetarët, me këtë dhe për gjeneratat e reja që perspektivën ta shohin këtu”, thotë Naumovski.

Autoritetet në Maqedoninë e Veriut thonë se në çdo dikaster prioritet u jepet të rinjve. Por, të rinjtë thonë se kjo është pjesë e angazhimeve vetëm në letër pasi realisht ata nuk janë pjesë e zhvillimit të politikave shtetërore.