Kievi goditet nga një breshëri raketash, avionët luftarakë rusë dëmtohen nga sulmet me dronë

Pamje të një zone banimit që u godit nga sulmet raketore dhe me dronë në Kiev, Ukrainë, më 29 gusht 2023.

Sulmet masive ruse me raketa dhe dronë në Kiev kanë vrarë së paku tre persona, njoftoi kryetari i qytetit ukrainas, Vitali Klitschko, në Telegram.

“Kievi nuk është përballur me sulm kaq të fuqishëm që nga pranvera. Armiku e ka kryer një sulm të kombinuar, duke përdorur dronë dhe raketa”, tha Serhi Popko, shef i administratës ushtarake të kryeqytetit. Për shpërthime u raportua edhe në qytetin jugor Odesa dhe në rajonin Çerkasi në Ukrainë.

Ndërkohë, Rusia e ka akuzuar Ukrainën se të mërkurën ka kryer atë që duket të jetë sulmi më i madh me dronë në tokën ruse qëkur Moska nisi pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës 18 muaj më parë. Nga ky sulm raportohet se u dëmtuan disa aeroplanë luftarakë rusë.

Gjashtë rajone ruse u goditën nga sulme me dronë gjatë natës mes 29 dhe 30 gushtit.

Dronët goditën një aeroport në rajonin perëndimor të Rusisë, Pskov, pranë kufirit me Estoninë dhe Letoninë, dhe e shkaktuan një zjarr masiv, njoftuan mediat lokale. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se e rrëzoi një numër të madh dronëve në rajonet Oriol, Briansk, Riazan, Kaluga dhe në rrethinat afër kryeqytetit Moskë.

Guvernatori rajonal i Pskovit, Mikhail Vedernikov, urdhëroi anulimin e të gjitha fluturimeve nga dhe për në aeroportin e qytetit të mërkurën, në mënyrë që të vlerësohen dëmet gjatë ditës.

SHIKONI EDHE: Rusia thotë se i rrëzoi dy dronë në jug të Moskës

Sulmi në aeroport, për të cilin u raportua pak minuta para mesnatës, i dëmtoi katër aeroplanë transportues il-76, njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve e Rusisë, TASS, duke cituar zyrtarët rusë.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale shfaqën një tym të madh mbi qytetin Pskov dhe një flakë të madhe, po ashtu.

Vedernikov tha se nuk ka të vdekur dhe se zjarri është vënë nën kontroll. U raportua se 10 deri në 20 dronë mund ta kenë kryer këtë sulm në aeroport. Kjo nuk është konfirmuar.

SHIKONI EDHE: Dy të vdekur, disa të plagosur nga sulmet ruse në lindje të Ukrainës

Në Rusi, Pskov ishte rajoni i vetëm që raportoi për dëme të mëdha nga sulmet me dronë. Në Kaluga, një dron u rrëzua, ndërsa një tjetër e goditi një cisternë të zbrazët nafte, duke shkaktuar zjarr i cili u shua shpejt, sipas guvernatorit rajonal Vladislav Shapsha. Xhamat e ndërtesave të banimit u thyen, shtoi ai.

Tre dronë u rrëzuan në rajonin Briansk, sipas ushtrisë ruse, ndërsa mediat ruse i cituan disa banorë të kenë thënë se kishin dëgjuar shpërthime të mëdha. Dy dronë u rrëzuan në rajonin Oriol. Dy të tjerë u rrëzuan në rajonin Riazan dhe një tjetër në rajonin e Moskës, thanë zyrtarët.

Jashtë Moskës, tri aeroportet kryesore – Sheremetyevo, Vnukovo dhe Domodedovo – i anuluan përkohësisht të gjitha fluturimet, një masë që është bërë rutinë në një kohë sulmesh së vazhdueshme me dronë.

Zyrtarët ukrainas nuk kanë komentuar rreth këtyre sulmeve, të cilët zakonisht refuzojnë të marrin përgjegjësi për sulme në tokën ruse.

Pskov shtrihet rreth 700 kilometra në veri të kufirit të Rusisë me Ukrainën dhe është përshkruar nga mediat ruse dhe blogerët ushtarakë si cak i paarritshëm.