A.K. ishte 10 vjeçe kur e kuptoi që ndiente tërheqje për personat e gjinisë së saj. Ajo shoqërohej kryesisht me djem, por qysh si fëmijë kuptoi që tërheqje ndjente ndaj vajzave. Prandaj, ende pa e ditur saktë se çfarë do të thoshte orientimi seksual apo të qenit lezbike, ajo ia rrëfeu ndjenjat shokëve të saj.
“Për herë të parë ia kam thënë shoqërisë, shokëve të mëhallës. Ata nuk është që kanë reaguar keq sepse me shoqëri kurrë nuk kam pas problem”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
Familjes nuk i tha asnjëherë në mënyrë të drejtpërdrejt që është lezbike, pasi sipas saj, ata veçse e kishin kuptuar për orientimin seksual të saj.
“Nuk më kanë pyet kurrë sepse e kanë ditur dhe e dinë dhe asnjëherë nuk më kanë bërë presion”, tregon A.K.
Ndonëse e kishte përkrahjen e familjes 33 vjeçja asnjëherë nuk ishte ndier e lirë në Kosovë. Probleme kishte edhe me partneret që i gjente në Kosovë. A.K. tregon që gjatë kohës sa ende jetonte në vendlindje, e kishte një lidhje dashurie me një vajzë dhe pas katër vjetësh, u detyruan që të ndaheshin. Familja e ish-partneres e detyruan atë që të martohet me një burrë.
“Familja e saj ia gjetën një burrë nga jashtë. Kjo nuk donte sepse ishte me mua, por dikur i thash që ‘nuk ke nevojë të kesh këso problemesh me familjen, prandaj nëse nuk guxon të jesh me mua, vazhdoje jetën tënde’”.
Your browser doesn’t support HTML5
E lirë nuk ndihej as kur dëshironte të shkonte në pushime me partneret që kishte. Ajo shprehet që disa herë pronarët e hoteleve kishin refuzuar që t’i pranonin, nën arsyetimin se “nuk pranojmë lezbike në hotelin tonë”.
E lodhur nga sfidat që haste për të jetuar jetën që donte, A.K. vendosi të largohej nga Kosova. Ajo dëshironte të martohej dhe të jetonte e lirë. Për këtë arsye, shtatë vjet më parë la vendlindjen për Britaninë e Madhe. Aty, siç thotë ajo, u ndie vetvetja për herë të parë në jetën e saj.
“Kur kam ardhur, i kam parë të tjerët se si meshkujt kapeshin për dore, lezbiket kapeshin për dorë dhe askush nuk i thoshte asgjë dhe disi fillova të ndihesha shumë e lumtur e thosha ‘O Zot edhe unë mundem të jetoj normal’”, thotë A.K.
Pas një kohe në Londër, ajo takoi dashurinë e jetës së saj. Në grua britanike, mësuese e artit, me të cilën e ka kurorëzuar dashurinë dy vjet më parë. Por, ndonëse nuk jetonte më në Kosovë dhe për partnere kishte një britanike, ajo pranon që shpeshherë, për shkak të eksperiencave të së kaluarës, nuk guxonte as të ecte përdore me të.
“Në fillim rrugës kur dilnin të ecnin, kur vinte puna të them ‘lezbike’, unë flisja ngadalë – kjo më thoshte ‘pse po flet ngadalë, nuk ke nevojë të ruhesh sepse këtu askush nuk të thotë asgjë’. Ose për shembull nuk ia kapja dorën, kur shihja një grup të njerëzve – e kjo më thoshte të ia kapja dorën”.
Ndonëse 26 prilli është Dita e Dukshmërisë së Lezbikeve, as në këtë ditë A.K. nuk guxon të flasë me emër e mbiemër. Përveç për veten, ka frikë për familjarët dhe paragjykimet që ata mund t’i kenë.
Your browser doesn’t support HTML5
E pikërisht për këtë arsye, sipas Lend Mustafës nga Qendra për Barazi dhe Liri për personat LGBTI+ në Kosovë (CEL), duhet shënuar kjo ditë.
“Rastet e diskriminimit ose të dhunës në familje kanë qenë më të shpeshta. Unë definitivisht mendoj që gratë lezbike e kanë shumë më problematike të jenë të lira – në aspektin që janë gra edhe në aspektin që janë lezbike, shumë shpesh iu cenohet komplet liria prej familjarëve të tyre”, thotë Mustafa për Radion Evropa e Lirë.
Mustafa gjykon që Dita e Dukshmërisë së Lezbikeve është e rëndësishme të shënohet, pasi në këtë mënyrë njihen kontributet që gratë lezbike i kanë dhënë shoqërisë kosovare.
“Të jesh grua lezbike në një vend si Kosova, është diskriminim i dyfishtë sepse në Kosovë diskriminohet dikush vetëm pse është grua dhe më pas diskriminohet pse është lezbike. Ka raste të tjera, mundet të jetë një grua lesbike, që gjithashtu është rome, e këtu kemi të bëjmë me diskriminim të trefishtë. Prandaj, unë besoj që është shumë me rëndësi t’i dedikohet një ditë grave që janë lezbike”, shton Mustafa.
SHIKONI EDHE: Largimi i ngadaltë nga homofobiaMustafa shprehet që gratë lezbike në Kosovë diskriminohen fillimisht nga familja e tyre dhe më pas nga shoqëria. Kjo është një prej arsyeve, që sipas tij, ato kanë frikë të flasin publikisht për orientimin e tyre seksual.
Edhe pse nuk ka shumë gra lezbike që flasin publikisht për orientimin e tyre seksual, sipas Mustafës, ato japin kontributin e tyre në mënyra të tjera.
“Duke ndihmuar në organizimin e protestave ose veç duke qenë vetvetja në një shoqëri të tillë”, thekson Lend Mustafa.
A.K. ka shtatë vjet që nuk ka shkuar për vizitë në Kosovë, por ajo planifikon që ta vizitojë vendlindjen bashkë me partneren e saj – megjithatë, thotë se nuk do të jetë në gjendje të jetë tërësisht vetvetja.
“E kam në plan që ta marr me vete, por ia kam shpjeguar që atje nuk mundemi të kapemi për dore. I kam shpjeguar që nuk mundemi të kemi as kontakt fizik shumë. I kam thënë që do të ketë raste që do duhej ta prezantoj si shoqe, edhe ajo e kupton këtë gjë”.