Në Lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë, 70-vjeçarja Sakibe Jashari përballet me realitetin e ashpër të vetmisë dhe varfërisë.
Këto rrethana sfiduese e bënë atë të bindet për një vendim, siç e quan, të vështirë, por të domosdoshëm: të aplikojë për banim në një shtëpi të pleqve.
“Është shumë e vështirë të jetoj vetëm”.
“Do të doja të jetoja në një shtëpi me të moshuar të tjerë. Nuk do të kisha nevojë të paguaja qira dhe kam nevojë edhe për shoqëri”, thotë Sakibja për Radion Evropa e Lirë.
Sipas Kryqit të Kuq të Kosovës, ajo është vetëm një nga rreth 800 të moshuarit në vend që kanë nevojë për kujdes të ngjashëm nga shteti.
Nën menaxhimin shtetëror, Kosova ka pesë shtëpi të pleqve me kapacitet prej 127 vendesh.
Kur e mori detyrën në vitin 2021, Qeveria e Kosovës premtoi ndërtimin edhe të pesë të tjerave, por sot, në vitin e fundit të mandatit të saj, ato nuk janë ndërtuar.
Derisa Zyra e Kryeministrit dhe Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk iu përgjigjën kërkesës së REL-it për komente në këtë temë, organizatat e shoqërisë civile thonë se rritja e kapaciteteve për strehimin e të moshuarve është e domosdoshme.
Numri i pleqve pa përkujdesje, në rritje
Sakibja nuk e di ende nëse do të pranohet në ndonjë shtëpi të pleqve.
Ajo duhet t’i mbledhë disa dokumente që dëshmojnë se ka gjendje të mirë psikike dhe nuk ka ndonjë sëmundje infektive.
Me një udhëzim administrativ të vitit 2014, të hartuar nga Ministria e atëhershme e Punës dhe Mirëqenies Sociale, aplikuesit duhet t’i plotësojnë edhe disa kushte të tjera: të jenë së paku 65 vjeç dhe të mos kenë pasardhës. Vendosja në shtëpi të kujdesit për pleq u lejohet edhe nëse kanë vajzë, por ajo është e martuar.
Sakibja thotë se jeton vetëm nga viti 1992, kur edhe i ka vdekur bashkëshorti.
Ajo merr pensionin e pleqërisë prej 100 eurosh në muaj. Për qiranë e shtëpisë ku jeton, paguan 75 euro në muaj.
“... e me pjesën e mbetur [të pensionit] jetoj si të mundem. Ka pasur raste kur s’kam pasur as bukë, kur dikush nuk më ka sjellë ndihma”, rrëfen Sakibja, e cila me prejardhje është nga Bosnje e Herecgovina.
Atë e vizitojnë kohë pas kohe organizata të ndryshme të bamirësisë.
Antigona Gashi Sopjani, koordinatore e mirëqenies sociale në Kryqin e Kuq të Kosovës, thotë se të moshuarit e vetmuar, përfshirë edhe Sakiben, kanë nevojë për të gjitha llojet e ndihmës - nga ushqimi, higjiena, veshmbathja e deri te vizitat mjekësore dhe medikamentet.
Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ajo tregon se numri i tyre është në rritje.
Thotë se në periudhën 2019-2021, organizata e saj ka evidentuar 500 të moshuar në nevojë për përkujdesje, ndërsa ky numër sot është rreth 800.
Arsyeja kryesore për këtë, sipas saj, është “migrimi i familjeve të reja në vendet tjera për punë dhe për jetë më të mirë”.
Sa ka kapacitet Kosova?
Kosova ka pesë shtëpi për pleq, që menaxhohen nga shteti, tregojnë të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë, ndërsa janë edhe disa të tjera private.
Më e madhja prej tyre është në Prishtinë me kapacitet për 60 persona. Aktualisht ka të strehuar 53.
Drejtoresha e këtij institucioni, Raza Aliqkaj, thotë se me staf dhe financa qëndrojnë mirë, por se objekti është i vjetër.
“Jemi në kuadër të Komunës së Prishtinës. Na është thënë se do të ndërtohet një objekt i ri për të moshuarit. Shpresojmë që t’i rrisim standardet, sepse infrastruktura është e vjetërsuar”, thotë ajo për Radion Evropa e Lirë.
SHIKONI EDHE: “Shyqyr që ekziston”: Brenda shtëpisë ku të moshuarit luftojnë vetminëKatër shtëpitë e tjera për pleq gjenden në Skenderaj, Istog, Novobërdë dhe Graçanicë.
Ajo në Skenderaj është e mbushur me aq sa ka kapacitet - prej 23 personash - sipas Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka nën menaxhim dikasterë të mirëqenies sociale.
Shtëpia në Istog strehon 19 të moshuar dhe ka kapacitet për 20; ajo në Novobërdë ka 8 të moshuar, kurse kapaciteti i saj është për 14, ndërsa në Graçanicë janë të strehuar 3 të moshuar, e kapaciteti është për 10.
Në deklaratën dhënë REL-it, Ministria e Drejtësisë thotë se numri i kërkesave për t’u vendosur në shtëpi të pleqve ndryshon nga viti në vit.
Në vitin 2023, sipas saj, kanë qenë tetë kërkesa, prej tyre tri janë aprovuar, tri janë refuzuar dhe dy janë tërhequr. Kjo ministri tha se nuk ka informacione nëse është duke u punuar për ndërtimin e kapaciteteve të reja për të moshuarit pa përkujdesje.
Arian Lumezi, hulumtues në Institutin për Politika Sociale “Musine Kokalari”, thotë se Qeverisë së Kosovës i mungon “qasja progresive në politikat e saj.
“E, në fushën e banimit social kjo gjë vërtetohet nga mungesa e përparimit në ndërtimin e shtëpive të reja për të moshuarit”, thotë Lumezi për Radion Evropa e Lirë. Sipas tij, ato do t’ua siguronin atyre jo vetëm banimin, por edhe përkujdesjen shëndetësore.
SHIKONI EDHE:
Pleqtë në duart e kujt Të harruar nga shtetiSipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2011, rreth 6.7 për qind e popullsisë në Kosovë është mbi moshën 65-vjeçare.
Në vitin 2018, Iniciativa Kosovare për Stabilitet publikoi një raport me titull “Mos u plaksh”, sipas të cilit, në vend funksionojnë 25 shtëpi private për pleq, pos atyre të shtetit.
Raporti nxori në pah kushte jo të mira në shtëpitë e pleqve në Kosovë, si: mungesë e ujit të ngrohtë për çdo ditë, hapësira jo të mjaftueshme për të gjithë personat dhe hapësira jo të ndara për personat e moshuar dhe ata që vuajnë nga ndonjë sëmundje.
Statistikat se sa persona banojnë në shtëpitë e pleqve në Kosovë, nuk janë të qarta.