Në Ditën për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, në Prishtinë u organizua një marsh mbështetës për këtë kategori të shoqërisë.
Me slogane si “Bëhu zëri im” dhe “Jemi me ju”, dhjetëra qytetarë marshuan në sheshet kryesore të Prishtinës drejt memorialit “Heroniat”, dedikuar të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë më 1998-99.
Në marsh morën pjesë edhe dy të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, që kanë folur publikisht për rastet e tyre: Vasfije Krasniqi-Goodman dhe Shyrete Tahiri-Sulimani.
Krasniqi-Goodman tha se 14 prilli i vitit 1998 ka qenë dita më e tmerrshme jetës së saj, pasi atë ditë ajo u përdhunua nga forcat serbe.
“Sot, unë këtë ditë dua ta shndërroj në forcë, në guxim, në kurajë, t’u jap forcë viktimave që zëri ynë të dëgjohet në tërë botën se çfarë ka bërë Serbia në Kosovë gjatë luftës më 1998-99”, tha ajo para të pranishmëve që u mblodhën te memoriali “Heroinat”.
Ndërkaq, Tahiri-Sulimani tha se me shpalljen e 14 prillit, Ditë për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, kjo ditë tashmë është shndërruar në “ditë historike” për të nderuar vuajtjet që kanë kaluar të mbijetuarit e këtij krimi.
“Në këtë muaj të vitit 1999, jeta jo vetëm e imja, por e 20 mijë kosovarëve u ndryshua. Jam shumë krenare që shoh shumë të rinj e të reja këtu sot. E di se këta do të luftojnë gjithmonë për ne dhe nuk do të lënë që të na harrojnë”, tha ajo.
SHIKONI EDHE: “Edhe dielli më pengonte”: Rrëfimi i viktimës së dhunës seksuale gjatë luftës në KosovëFeride Rushiti nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës tha se 14 prilli do të shërbejë si kujtesë kolektive për krimin e përdhunimit që është kryer ndaj mijëra personave në Kosovë gjatë luftës. Ajo tha se motoja e Qendrës së udhëheq këtë vit është “Të rinjtë mbështesin të mbijetuarit e dhunës seksuale”, teksa shtoi se shënimi i kësaj dite duhet të shërbejë edhe për edukimin e gjeneratave të reja.
Ndërkaq, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, tha se institucionet dhe qytetarët nuk duhet të lejojnë “që këto krime të harrohen apo heshten”, duke shtuar se e gjithë shoqëria duhet ta luftojë stigmën.
Ky marsh është organizuar nga Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Zyra e Presidencës të Kosovës.
Që nga viti 2014, në Kosovë përmes legjislacionit njihet statusi i viktimës të dhunës seksuale të luftës të personave të përdhunuar gjatë luftës. Ata gëzojnë një pension prej rreth 230 eurosh në muaj.
Së fundi, afati për të aplikuar për njohjen e këtij statusi është shtyrë edhe për dy vjet të tjera, deri më 2025. Deri më tani, këtë status e kanë gjithsej 1.451 persona.
Numri i saktë i viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë nuk dihet. Sipas një raporti të Qendrës Amerikane për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kjo shifër arrin deri në 20 mijë.
Në Kosovë, për herë të parë këtë vit më 14 prill shënohet Dita e të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale gjatë luftës së fundit. Kjo ditë, sipas autoriteteve, është shpallur për "ta njohur dhimbjen" e të gjithë të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës dhe për t'i kontribuar kujtesës kolektive.