Të jesh person interseksual në Serbi

Para shumë kohësh, Kristian Randjeloviq u bë viktimë e një gabimi të rëndë mjekësor.

Si një foshnje e lindur me karakteristika të papërcaktuara seksuale në kryeqytetin e Jugosllavisë së atëhershme, Beograd, atij iu caktua gjinia femërore përmes një operacioni nga mjekët.

Por, rezultati i operacionit të Randjeloviqit për “normalizimin e gjinisë” ishte një fëmijëri e mbushur me dyshime në vetvete, bullizëm dhe vuajtje, para se t’i nënshtrohej psikoterapisë dhe përfundimisht operacionit për ndryshimin e gjinisë në moshën 19-vjeçare.

Randjeloviq u rrit me një emër vajze, por identifikohet si mashkull.

Operacioni për “normalizimin e gjinisë”

Për gati dy dekada, Randjeloviq vuajti nga pasojat fizike dhe psikologjike të një operacioni të gabuar, dëmi i të cilit ishte i qartë për të. Ai thotë se nuk i di hollësitë e operacionit që u krye ndaj tij kur ishte fëmijë dhe se familja e vet nuk i ka dhënë asnjë përgjigje.

“Shumë herët, pyetja ime ishte: ‘Çfarë është kjo që kam?’ dhe, ‘Pse trupi im nuk mund të kryejë diçka që unë dua të bëj?’”

Operacione të tilla janë kryer ndaj një numri të madh foshnjash interseksuale në vendlindjen e Randjeloviqit hiç më larg se deri para një dekade, përpara se vëzhgimi, provat e shumta mjekësore dhe vëmendja e madhe ndërkombëtare t’i bindnin mjekët se operacionet e tyre po bënin më shumë dëm sesa mirë.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) i përkufizon individët interseksualë si persona "të lindur me variacione natyrale në karakteristikat biologjike ose fiziologjike (duke përfshirë anatominë seksuale, organet riprodhuese dhe/ose modelet kromozonale) që nuk përputhen me përkufizimet tradicionale të mashkullit ose femrës". Kjo nuk ka asnjë ndërlidhje me identitetin gjinor apo orientimin seksual.

Kjo është një përvojë që pasqyrohet në mbarë botën dhe me pasoja për miliona individë të lindur në shoqëri ku të kuptuarit e seksit dhe gjinisë është duke evoluar. Kombet e Bashkuara vlerësojnë rreth 1.7 për qind të popullsisë botërore është interseksuale, që i bie se vetëm në Serbi janë mbi 110.000 persona.

Aktivist aksidental

Ligjet progresive për lindjet interseksuale janë të rralla dhe akoma më të pazakonta në shoqëritë konservatore postkomuniste. Vetëm në vitin 2017, aktivistë interseksualë theksuan se Ministria e Shëndetësisë e Rusisë u mburr me një klitoridektomi dhe vaginoplasti të kryer nga një kirurg italian tek një vajzë interseksuale 3-vjeçare në Republikën veriore Komi.

Ata thanë se operacioni u transmetua drejtpërdrejt për një konferencë me dhjetëra specialistë, ndërsa videoja u shpërnda më vonë në internet dhe në media të tjera.

Prej se kërkoi psikoterapi si adoleshent dhe u ftua nga mjekët për të folur për përvojën e tij, Randjeloviq është bërë aktivist aksidental dhe individi i vetëm i deklaruar interseksual në Serbi.

Por, natyrisht se ka edhe të tjerë.

Komisioni Evropian ka ngritur shqetësime në raportin e fundit për progresin e Serbisë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke theksuar se qytetarët interseksualë janë "të padukshëm shoqërisht dhe ligjërisht" në këtë vend.

Sociologët thonë se një kulturë ballkanike, e cila shpesh shfaq armiqësi ndaj diversitetit, e bën shumë të vështirë të mbijetuarit si "gjini neutrale". Ligji i Serbisë për Regjistrin Civil vazhdon të kërkojë që të porsalindurve t’u caktohet menjëherë gjinia mashkull ose femër. Pra, nuk ka asnjë opsion për një gjini të tretë ose lënien bosh të rubrikës "gjinia", siç e ka lejuar Gjermania prej vitit 2019.

“Shoqërimi është i mundur vetëm përmes një përkatësie të dyanshme: ose je djalë ose je vajzë, dhe kështu përfundon gjithçka”, thotë Zorica Mrseviq, ish-juriste dhe profesoreshë në Beograd, e specializuar në çështjet e gjinisë dhe të drejtave.

Në prill, Komisioni Evropian kundër Racizmit dhe Jotolerancës (ECRI), një organ monitorues i Këshillit të Evropës, e kritikoi mungesën e plotë të të dhënave zyrtare të Serbisë mbi operacionet e "normalizimit të gjinisë" tek fëmijët interseksualë.

Është e vështirë të gjesh të dhëna. Instituti i Shëndetit Publik në Beograd, i cili publikon të dhënat kombëtare të shëndetit, nuk iu përgjigj kërkesës së Radio Evropa e Lirë për të dhëna mbi interseksualitetin në Serbi.

"Je djalë apo vajzë?"

Vladimir Kojoviq – specialist në kirurgjinë pediatrike dhe urologji në institucionin shtetëror të Serbisë për fëmijët interseksualë dhe kujdesin shëndetësor për nënat dhe fëmijët, i cili ka trajtuar çështje interseksuale për 25 vjet – thotë se as instituti i tij dhe as ndonjë institucion tjetër në vend nuk kryejnë më operacionin e kontestuar tek fëmijët dhe nuk e kanë bërë për rreth një dekadë.

Por, ekipi i tij në Institutin “Dr. Vukan Cupic” në Beograd trajton rreth 10 raste në vit të të sapolindurve, për të cilët nuk mund të përcaktohet përfundimisht gjinia përmes shenjave vizuale, hormonale apo kromozonale.

“Në lindje [zakonisht në këto raste] kemi një foshnje me shenja të të dy gjinive – pra organe gjenitale të të dy gjinive”, shpjegon Kojoviq. Interseksualiteti paraqitet në shumë forma, dhe ai e pranon se "nuk mund të parashikosh se në cilën gjini do të zhvillohet ai person".

Kojoviq shtoi se foshnjat që iu nënshtruan operacioneve të "normalizimit të gjinisë" në Serbi janë monitoruar edhe më vonë në jetë, dhe “ne pamë që janë bërë gabime”.

E vetmja viktimë e pranuar publikisht, Randjeloviq, e pranon se pikëpamja mbizotëruese në atë kohë mund të ketë qenë se një operacion i tillë në vitet e para të jetës “ishte gjëja më e lehtë për t'u bërë në atë periudhë dhe më pak traumatike për fëmijën”. Por, thotë ai, kjo “nuk doli të ishte e saktë”.

Ai kujton se si shokët e shkollës fillore e ngacmonin dhe e pyetnin, "je djalë apo vajzë?" ose "ke një emër femëror, [por] nuk dukesh si vajzë". Ai thotë se kishte mungesë të dhënash në media gjatë fëmijërisë së tij dhe kujton se për herë të parë i pa ekspertë mjekësorë duke folur për pakicat seksuale në revista dhe në televizion në vitet '90.

Randjeloviq thotë se kërkoi dhe mori disa përgjigje përmes psikoterapisë. Ai takoi për herë të parë një person tjetër interseksual në moshën rreth 30-vjeçare, në një konferencë jashtë vendit

Tani, Randjeloviq drejton një organizatë jofitimprurëse të quajtur XY Spectrum, e cila promovon të drejtat e personave interseksualë dhe ofron mbështetje për prindërit e fëmijëve interseksual në Serbi, përfshirë përmes bashkëpunimit me Institutin “Dr. Vukan Cupic”, ku dikur kryheshin operacionet e "normalizimit të gjinisë".

"Fillimisht duhet të bëhesh i qartë me veten", thotë ai, "ta dish kush je, dhe pastaj vjen koha kur duhet të bëhesh i qartë për dikë tjetër dhe më pas të hysh në ndonjë kategori marrëdhëniesh me të tjerët".

Përgatiti: Ekrem Idrizi