Zyrtarët ukrainas që kanë qenë në pushtet në kohën e ish-presidentit ukrainas të lidhur me Kremlinin, Viktor Yanukovych, kanë blerë patundshmëri në Dubai në vlerë të miliona dollarëve.
Aty përfshihen shërbyesit civilë që kanë dështuar t’i deklarojnë këto asete apo të tjerë që janë përballur me akuza për korrupsion, abuzim me pozitë publike apo tradhti, ka gjetur një hulumtim i Skemave, njësitit hulumtues të Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë.
Hulumtimi i Skemave është pjesë e një bashkëpunimi përtej kufijve, të më shumë se 70 mediumeve përreth globit, që kanë analizuar disa të dhëna që kanë rrjedhur dhe të cilat tregojnë në hollësi për pronat në Dubai, për blerjen apo përdorimin e tyre në periudhën 2020-2022.
Në mesin e ish-zyrtarëve ukrainas, gazetarët kanë gjetur në dokumente edhe emrat e ministrit të Yanukovychit për Ekologji dhe emrat e shumë ligjvënësve të Partisë së Rajoneve, të udhëhequr prej ish-presidentit Yanukovych, vendimi i të cilit për të ikur prej Ukrainës në kohën e protestave masive më 2014 ka qenë një prej shtysave që kanë rezultuar me aneksimin e Gadishullit ukrainas të Krimesë nga ana e Moskës, dhe më pas nisjen e luftës së Rusisë në Ukrainë, më 2022.
SHIKONI EDHE: Ky vit mund të përcaktojë fatin e luftës në Ukrainë
Ndonëse ligjet ukrainase nuk ua parandalojnë shtetasve – përfshirë zyrtarëve shtetërorë – që të blejnë prona të Emiratet e Bashkuara Arabe, organizatat vëzhguese kundër korrupsionit e kanë përmendur që një kohë se ky vend i Gjirit është kthyer në magnet për pasuri të paligjshme.
Tom Keatinge, drejtor i Qendrës për Financa dhe Siguri në Institutin Royal United Services, me bazë në Londër, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se Emiratet janë kthyer në një vend ku “paratë janë të sigurta dhe pyetjet janë të pakta”.
“Pra, nëse jeni dikush që keni para dhe dëshironi t’i lëvizni jashtë shtetit, Emiratet kanë qenë historikisht vend ideal për këtë gjë”, ka thënë Keatinge.
Si janë siguruar të dhënat?
Të dhënat për pronat në Dubai janë siguruar prej Qendrës për Studime të Avancuara të Mbrojtjes (C4ADS), organizatë joqeveritare me bazë në Uashington, e cila kryen hulumtime për krimin dhe konfliktin ndërkombëtar.
Të dhënat, më pas, janë ndarë me mediumin norvegjez E24 dhe Projektin Raportues për Krim të Organizuar dhe Korrupsion.
Të dhënat për pronat, që përbëjnë thelbin e hulumtimit, kanë rrjedhur herë pas here nëpër faqe të ndryshme. Shumica e tyre janë siguruar prej Departamentit të Dubait për Prona, dhe të tjerat prej kompanive publike.
Gazetarët kanë verifikuar me muaj identitetet e njerëzve që janë përmendur në të dhënat e publikuara, dhe kështu ua kanë konfirmuar statusin e pronave që kanë.
“Të fshehtat e Dubait” është hulumtim që është kryer prej më shumë se 70 mediumeve në gjithë botën.
‘Thasë me para’
Në mesin e emrave më të përmendur në hulumtim është ai i Mykola Zlochevskiyt, i cili ka shërbyer si ministër i Ekologjisë dhe e ka themeluar Grupin Burisma, kompaninë më të madhe private për prodhim të gazit natyror.
Burisma ka qenë temë diskutimi edhe në politikën e brendshme amerikane pasi njëri prej anëtarëve të bordit ka qenë Hunter Biden, djali i presidentit aktual të Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
Në korrik të vitit 2019, Zlochevskiy i ka blerë dy banesa në një rezidencë në Dubai – The Palm – një kompleks në brigjet e Gjirit Persik, në vlerë të gati 11 milionë eurove.
Ndonëse Zlochevskiy nuk ka qenë shërbyes civil në kohën e blerjes së patundshmërive, autoritetet ukrainase më vonë e kanë shpallur person në kërkim, nën dyshimet për përvetësim dhe dhënie të ryshfetit në vlerë të 4 milionë dollarëve.
Më vonë ai është deklaruar fajtor ndaj akuzave. Si pjesë e marrëveshjes që e ka arritur me prokurorët, Zlochevskiy ka dhënë donacion në vlerë të mbi 15 milionë dollarëve për ushtrinë ukrainase, për të blerë dronë dhe pajisje shtesë.
Pronësia e dy banesave në Dubai i është transferuar vajzës së Zlochevskiyt, Annas, më 2022.
Të dhënat tregojnë se ish-ministri e ka përdorur pasaportën e Qipros për t’i blerë pronat.
As Zlochevskiy, dhe as vajza e tij, nuk u janë përgjigjur kërkesave për të komentuar pronat.
Gazetarët e transmetuesit publik suedez SVT kanë arritur të realizojnë një vizitë nëpër prona, përgjatë së cilës, gazetarëve u është thënë se mund të blejnë banesa me “thasë me para” apo me kriptovaluta, dhe se u bëhen zero pyetje për burimin e të hyrave.
“Nuk do të keni pyetje prej asnjë departamenti për pronat, sidomos prej kompanisë ndërtuese”, i ka thënë punëtori i një kompanie për shitje të pronave, një gazetari të transmetuesit suedez, që është paraqitur si i interesuar për të blerë një pronë.
“Kushdo që dëshiron të blejë, mund të blejë”.
Ai ka thënë po ashtu, se blerja e pronave me para në duar u ndihmon klientëve që të shmangin pyetjet e bankave për origjinën e parave.
“Nëse e shisni një pronë dhe i transferoni të gjitha paratë në llogari bankare, atëherë nuk ka asnjë problem, askush nuk do t’ju pyesë se prej kah kanë ardhur paratë për të blerë pronën e shitur”, ka thënë zyrtari për shitje.
Një përfaqësues i kompanisë për shitje të patundshmërisë, Damac, ka thënë se nuk është në politikat e kompanisë që t’ua rekomandojë klientëve blerjen e një prone me para në duar.
“Nëse gazetari juaj do të vazhdonte me procesin e blerjes së një prone, do të ishit dëshmitar i masave që zbatojmë për transaksionet”, ka thënë kompania Damac, duke shtuar se do t’i hulumtojë deklaratat që ka dhënë punonjësi i saj për gazetarët.
Paqartësia që ekziston në tregun e pasurive të paluajtshme në Dubai e bën të vështirë për qeveritë që të sigurohen se qytetarët e tyre, që zotërojnë prona atje, i paguajnë taksat e nevojshme.
“Nëse një ukrainas e zotëron një pronë në Dubai dhe e shet, ose e lëshon me qira, ai duhet të paguajë taksa”, ka thënë ekonomisti ukrainas Vyacheslav Cherkashin për Skemat.
“Por, natyrisht, askush nuk do të ngutet për t’i paguar ato”, ka shtuar Cherkashin.
Patundshmëri luksoze
Një mori ligjvënësish që kanë qenë pjesë e partisë tashmë të ndaluar të Yanukovychit, Partia e Rajoneve, janë në listën e zyrtarëve ukrainas të përfshirë në të dhënat e “Të fshehtave të Dubait”, përfshirë Vyacheslav Bohuslayevin, ish-deputetin e angazhuar në rajonin jugor të Zaporizhjas.
Bohuslayev ka qenë president i kompanisë ajrore Motor Sich, të cilën Qeveria ukrainase e ka bërë pronë shtetërore në prag të nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022.
Në periudhën 2009-2018, Bohuslayev dhe djali i tij Oleksandr kanë blerë të paktën 19 banesa dhe lokale për zyra në Dubai, në vlerë të rreth 15 milionë dollarëve.
Njëra prej banesave është regjistruar në emër të Bohuslayevit, derisa të tjerat në emër të të birit, i cili ka shërbyer si zëvendësshef i bordit të kompanisë Motor Sich.
Lidhja e tyre me këto prona nuk është ditur kurrë më parë.
Por, tani vetëm pesë prej 19 pronave vazhdojnë të jenë nën pronësi të Bohuslayevsit.
Qysh prej vitit 2019, kohës kur Bohuslayev nuk ka qenë më deputet, familja e tij ka nisur t’i shesë pronat në Dubai.
Bohuslayev është ndaluar prej autoriteteve ukrainase për zbatim të ligjit më 2022, pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, nën akuzat për tradhti, financim të terrorizmit dhe qasjes refuzuese ndaj ushtrisë ukrainase, akuza të cilat ai i ka mohuar.
Aktualisht ai është në mbajtje, të paktën deri më 10 qershor.
Hulumtimet e kryera prej ekipit të Skemave në të kaluarën kanë treguar për lidhjet e Bohuslayevit me përfaqësues të kompanive ushtarake të Iranit, përfshirë ato që prodhojnë dronët Shahed, të cilët Rusia i përdor për të sulmuar Ukrainën.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës i ka thënë Radios Evropa e Lirë se i duhen informacione të besueshme për pronat e familjes së Bohuslayevit në Emiratet e Bashkuara Arabe, mirëpo që “janë duke u marrë masa për të identifikuar dhe konfiskuar” pronën e huaj që është në emrin e Bohuslayevit dhe djalit të tij.
Pyetjet që i janë nisur Bohuslayevit përmes avokatit të tij për pronat në Dubai, kanë mbetur pa përgjigje.
Një tjetër ish-deputet i Partisë së Rajoneve, ish-zëvendësshefi i Shërbimit Shtetëror për Migrimin, Vasyl Hrytsak dhe familja e tij, kanë blerë dy banesa në Dubai, në vlerë të mbi 700.000 dollarëve.
Më 2019, pronësia e njërës prej banesave ka kaluar në emrin e djalit të Hrytsakut, Ihorit.
Gruaja e Hrytsakut dhe djali tjetër, janë bashkëpronarë të banesës së dytë.
Të dyja banesat janë të lëshuara me qira, prej të cilave familja përfiton më shumë se 370.000 dollarë, sipas të dhënave të hulumtimit.
Në kërkesën për koment, Hrytsak ka thënë se po “dëgjon për herë të parë” që ka prona në Dubai.
Prokurorët dhe gjyqtarët
Ish-shërbyesit civilë në sistemin gjyqësor të Ukrainës kanë blerë, gjithashtu, dhjetëra prona, tregojnë gjetjet e hulumtimit “Të fshehtat e Dubait”.
Aty përfshihet Oleh Kornilov, ish-zëvendësprokuror në rajonin jugor të Odesas, i cili ka blerë banesë në vlerë të 90.000 dollarëve në brigjet Jumeirah – ku gjenden liqene artificiale dhe plazhe – në dimrin e vitit 2011-12, kur ka qenë zëvendësprokuror në Odesa.
Kornilov është bërë më vonë zëvendësshef i Departamentit të hetimeve në Zyrën e Prokurorit rajonal dhe më pas shef i njësitit.
Pas shkarkimit më 2014, në periudhën e ikjes së Yanukovychit në Rusi, Kornilov është përfshirë në një betejë të gjatë për të mbajtur pozitën që ka pasur.
Ai ka vazhduar të blejë prona në Dubai, sipas dokumentacionit, duke zotëruar edhe një apartament në një hotel, në një pjesë elitë të Emirateve, për 210.000 dollarë, më 2016.
Asnjëra prej këtyre pronave – dy prej të cilave tashmë janë shitur – nuk është deklaruar prej vetë Kornilovit dhe as nuk janë përmendur në deklarimet e pasurisë nga gruaja e tij, e cila deri më 2014 ka qenë, po ashtu, prokurore në Zyrën e Prokurorit rajonal në Odesa.
I kontaktuar përmes telefonit, Kornilov e ka mohuar të ketë ndonjë banesë në Dubai.
Kur i është thënë se emri i tij gjendet në listën e autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe, ai e ka mbyllur telefonin dhe nuk u është përgjigjur thirrjeve të mëtutjeshme.
Gruaja e Artur Yemelyanovit, një gjyqtari me ndikim në kohën e Yanukovychit, është përmendur, gjithashtu, si pronare e tri banesave në një zonë elitë në Dubai, Dubai Marina, që kanë kushtuar 1.8 milion dollarë, tregojnë të dhënat e hulumtimit.
Svitlana Yemelyanova ka shërbyer si zëvendëse në Këshillin e qytetit lindor ukrainas, Donjeck deri më 2014.
Në dhjetor të atij viti, ajo e ka blerë banesën e parë – prej tri të tillave në total – në vlerë të 650.000 dollarëve.
Yemelyanova dhe burri i saj, që është përballur me dyshimet se mund të jetë përfshirë në shpërndarjen e automatizuar të rasteve mes gjyqtarëve ukrainas, janë divorcuar më 2014, dhe gruaja e ish-gjyqtarit më pas i ka blerë edhe dy banesa tjera, më 2017 dhe 2018 për 620.000 dollarë dhe 560.000 dollarë, respektivisht.
Hulumtimet paraprake të ekipit të REL-it, Skemat, kanë gjetur dëshmi që Yemelyanov dhe ish-gruaja e tij kanë vazhduar të bëjnë pushime, dhe kanë kaluar kohë bashkë në Vjenë, ku jeton ajo bashkë me fëmijët.
Yemelyanov nuk ka pranuar të komentojë për pronat në Dubai, dike thënë se ish-gruaja e tij i ka blerë pronat.
“Svitlana dhe unë vazhdojmë të komunikojmë. Ne jemi njerëz të civilizuar dhe divorci nuk është faktor që na e parandalon komunikimin”, ka thënë ai.
Duke folur për Skemat, Yemelyanov ka thënë se, as ai, dhe as ish-gruaja e tij, nuk janë të përfshirë në raste penale, të cilat i ka konsideruar "të pabazuara".
Megjithatë, ai ka thënë se autoritetet kanë kryer bastisje në pronat e tij dhe ish-gruas së tij, për një rast tjetër.
Byroja Shtetërore e Hetimeve në Ukrainë, ka thënë për Skemat se deri në maj të vitit 2024, as Yemelyanov dhe as gruaja e tij nuk janë njoftuar për ndonjë dyshim lidhur me ndonjë rast penal.
Svitlana Yemelyanova nuk u është përgjigjur kërkesave për të komentuar rreth pronave në Dubai.