Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e dënoi një ligj të ri në shtetin e Teksasit, i cili e ndalon abortin qysh në të gjashtën javë.
Ligji “ekstrem” shkel haptazi të drejtat dhe “dëmton ndjeshëm” qasjen e grave në kujdesin shëndetësor, tha Biden.
Të mërkurën, Gjykata Supreme refuzoi bllokimin e ligjit të ri.
Ligji ndalon abortin pas zbulimit të rrahjeve të zemrës së fetusit - një pikë kjo kur shumë gra nuk e dinë që janë shtatzënë.
I ashtuquajturi Akt i Rrahjeve të Zemrës gjithashtu i jep çdo individi të drejtë t’i padisë mjekët që kryejnë abort pas javës së gjashtë.
Ai u nënshkrua nga guvernatori i Teksasit, Greg Abbott, në muajin maj.
Gjykata Supreme me shumicë konservatore nuk iu përgjigj një apeli urgjent nga grupet e të drejtave të grave dhe mjekët.
Në deklaratën e tij, presidenti Biden tha se administrata e tij do t’i mbrojë të drejtat kushtetuese, të vendosura me aktin Roe v Wade.
Biden iu referua një rasti të vitit 1973, në të cilin Gjykata Supreme e SHBA-së vendosi në favor të së drejtës së grave për të abortuar deri në mes të javës së 22-të dhe 24-t të shtatzënisë.