Të ashtuquajturat referendume të Rusisë “nuk kanë legjitimitet”

Tre persona duke votuar në të ashtuquajturin referendum rus për aneksimin e Gadishullit ukrainas të Krimesë. Mars 2014.

Rusia është duke çuar përpara planet për mbajtje të të ashtuquajturave referendume në disa rajone të Ukrainës që kontrollojnë forcat e saj – si dhe në disa që nuk i kontrollojnë – si përpjekje për të fituar sovranitetin e këtyre territoreve.

Politikanët që janë të instaluar apo të përkrahur nga Moska, kanë bërë të ditur këtë javë se referendumet për t’iu bashkuar Rusisë do të mbahen në Luhansk, Donjeck, Herson dhe Zaporizhja - të gjitha në juglindje të Ukrainës.

Këto referendume, që Perëndimi i konsideron të paligjshme, do të mbahen më 23-27 shtator.

SHIKONI EDHE: Zelensky kërkon "ndëshkim të duhur" për Rusinë

Gati tetë muaj pasi presidenti rus, Vladimir Putin ka përshkallëzuar në mënyrë dramatike luftën në Ukrainë, forcat ruse kontrollojnë në tërësi rajonin e Luhanskut, dhe disa pjesë të Donjeckut, Hersonit dhe Zaporizhjas.

Këto plane, të përkrahura nga Putini, në një adresim më 21 shtator, janë dënuar nga liderët globalë, si dhe nga Ukraina.

Kryediplomati i Bashkimit Evropian, Josep Borell, ka thënë më 21 shtator se do të mbahen përgjegjës liderët e Rusisë “dhe të gjithë personat e përfshirë për këto referendume dhe veprime tjera që shkelin ligjin ndërkombëtar në Ukrainë”.

SHIKONI EDHE: Putin ngre nivelin e kërcënimit: A është ky mashtrim?

Radio Evropa e Lirë ka biseduar me diplomaten franceze, Marie Dumoulin, e cila tani udhëheq Programin për Evropë të Gjerë, në Këshillin Evropian për Marrëdhënie të Jashtme, lidhur me referendumet pro-ruse, mungesën e legjitimitetit dhe ndikimin që do të mund të kenë.

Radio Evropa e Lirë: Si i shihni referendumet e propozuara për aneksim të pjesëve të Ukrainës që janë pushtuar nga Rusia, në aspektin e legjitimitetit, dhe si u përgjigjeni argumenteve të Moskës se banorët këtyre zonave janë duke ushtruar të drejtën e tyre për vetëvendosje?

Marie Dumoulin: Zakonisht në konflikte të tilla, kur një shtet ka pretendime për territorin e një shteti tjetër, dhe kur referendumet organizohen nën rregullat ndërkombëtare, ato mund të marrin vite për t’u organizuar nën mbikëqyrje ndërkombëtare. Kemi raste – në Saharën Perëndimore – kur më 1975 nuk ka pasur marrëveshje për kushtet të në të cilat një referendum i tillë do të mund të mbahej. Kjo për faktin se ka shumë pyetje rreth asaj se kush do të marrë pjesë, sipas cilit ligj, kush do ta mbikëqyr, e tjera.

Tani jemi duke u përballur me pseudo-referendume, të cilat do të organizohen në situata të konfliktit, kur mijëra njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe nuk do të mund të marrin pjesë në votime. Ne ende nuk e dimë se në bazë të cilit legjislacion do të zhvillohen referendumet – ka shumë mundësi që nën legjislacionin rus, ndonëse ato po zhvillohen në territorin ukrainas, andaj do të duhej të zhvilloheshin nën ligjin ukrainas.

Diplomatja franceze, Marie Dumoulin.

A mund të vazhdoj? Sepse ekzistojnë një mori çështjesh për të cilat nuk ka përgjigje. Është situatë lufte, pra ushtarët do të jenë andejpari për të vëzhguar votimin, dhe kështu nuk do të duhej të ishte. Ekzistojnë pyetje edhe për territorin që do të mbulojnë, sepse këto rajone që janë duke organizuar të ashtuquajturat referendume, kontrollohen vetëm pjesërisht nga Rusia, mirëpo votimi do të vlejë për gjithë territorin. Kjo i bie se një pjesë e popullsisë do të votojë për një pjesë të territorit. Pra, praktikisht nuk ka legjitimit në këto votime.

Radio Evropa e Lirë: Moska ka njohur rajonet ukrainase të Donjeckut dhe Luhanskut – dy prej rajoneve që kanë mbajtur votime të tilla – si shtete të pavarura. A lidhet kjo me legjitimitetin që ka ky proces votimi?

Marie Dumoulin: Rusia është vendi i vetëm që i ka njohur ato (shënim editorial: Koreja e Veriut dhe Siria, e kanë njohur po ashtu sovranitetin e këtyre territoreve). Sipas ligjit ndërkombëtar, këto janë pjesë të territorit ukrainas. Prandaj, nuk e di se çfarë kuptimi ka fakti që Moska ka njohur këto dy entitete si shtete të pavarura.

Radio Evropa e Lirë: Moska përmend tash e një kohë mbajtjen e këtyre votimeve. A befasoheni se tani po ndodh diçka e tillë dhe çfarë mund të mendojë Kremlini?

Marie Dumoulin: Ka të bëjë me situatën ushtarake. Moska është përballur me periudhë të vështirë prej fillimit të shtatorit, për shkak të kundërofensivës së suksesshme të Ukrainës. Ajo çfarë po dëshiron të bëjë Rusia është që të konsolidojë kontrollin mbi këto territore – jo vetëm përmes mjeteve ushtarake, por edhe atyre politike – duke organizuar pseudo-referendumet, që më pas të thotë se ato janë pjesë e Rusisë. Përmes këtyre veprimeve, Rusia është duke tentuar që të ndalë hovin e kundërofensivave tjera, duke thënë: Këto janë territore ruse, prandaj nëse i sulmoni, pasojat do të jenë ekstreme. Presidenti rus, Vladimir Putin, e ka përmendur qartë më 21 shtator se mund të përdorë edhe armë bërthamore.

SHIKONI EDHE: Biden: Putin po tenton të zhdukë nga harta një shtet sovran

Pra, nëse Rusia nuk mund të kontrollojë këto territore me mjete ushtarake, atëherë synon t’i bëjë ato pjesë të territorit, pasi beson që në këtë mënyrë, Perëndimi dhe Ukraina do të mund të shqetësohen se rrezikojnë të përballen me pasoja të rënda, nëse Ukraina e vazhdon kundërofensivën.

Radio Evropa e Lirë: Disa prej liderëve të vendeve baltike e kanë krahasuar këtë veprim dhe periudhën kur ish-Bashkimi Sovjetik ka aneksuar këto shtete gjatë Luftës së Dytë Botërore. Si e shihni këtë analogji, apo a ka të tjera që ju kujtohen e që mund t’i përshtaten kësaj situate?

Marie Dumoulin: Jam gjithmonë e kujdesshme me analogjitë historike, sepse është e qartë se jetojmë në një tjetër rregull botëror, në krahasim me atë të viteve 1939-1940. E kuptoj pse vendet baltike ndihem ashtu, sepse ua kujton përvojën e tyre. Mirëpo ne duhet të mendojmë se çfarë rregulli ndërkombëtar ekziston tani dhe çfarë pasoja do të ketë një aneksim i tillë në ligjin ndërkombëtar të tanishëm. Një prej parimeve kyçe të këtij rendi është respektimi i integritetit territorial dhe mospërdorimi i forcës – siç e parasheh edhe Karta e Kombeve të Bashkuara. Aktualisht, një prej vendeve me status të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së është duke shkelur këto parime, dhe kjo gjë, natyrisht, nuk përbën lajm të mirë për asnjë shtet në botë.

Your browser doesn’t support HTML5

"Goditje Rusisë"

Radio Evropa e Lirë: Këshilli i Evropës ka thënë se “abuzimi” i Rusisë me procesin e referendumit, është një “përpjekje për të shkatërruar demokracinë dhe sundimin e ligjit”. Duke marrë parasysh seriozitetin e atij paralajmërimi, si mendoni se do të reagojë komuniteti ndërkombëtar nëse Moska vazhdon përpara me këto referendume dhe me aneksim të ndoshta edhe më shumë territoreve ukrainase?

Marie Dumoulin: Nuk do të mund të ketë njohje të këtyre referendumeve. Ato nuk janë referendume, prandaj as që do ta komentoja aspektin e demokracisë dhe sundimit të ligjit. Nuk janë referendume dhe komuniteti ndërkombëtar duhet ta thotë këtë gjë, dhe po ashtu të thotë se janë të pavlefshme. Nuk mund të ketë ndonjë formë legjitimiteti në votimet për këto rajone, në situatën aktuale.

Përgatiti: Krenare Cubolli