Këngëtarja amerikane, Taylor Swift, ka shënuar një rekord të ri, duke e fituar për herë të katërt çmimin Grammy për Albumin e vitit. Ajo fitoi me albumin e saj “Midnights".
"Ky është momenti më i lumtur i jetës sime," tha 34 vjeçarja gjatë fjalimit të saj në ceremoninë e ndarjes së çmimeve Grammy në Los Anxhelos.
Ajo tha se mënyra e votimit është reflektim direkt i fansave.
“Pra, dua të falënderoj fansat duke ju thënë një sekret që e kam mbajtur nga ju për dy vitet e fundit”, tha ajo derisa njoftoi se albumi i saj i ri “The Tortured Poets Department” do të dalë më 19 prill.
Taylor Swift u bë këngëtarja e parë që fitoi për herë të katërt këtë çmim.
SHIKONI EDHE: Pse kanë nisur të largohen nga TikToku këngët e Taylor Swiftit e Ariana Grandes?Shfaqja u hap nga këngëtarja me prejardhje nga Kosova, Dua Lipa, ndër të tjera edhe me këngën e saj të re “Houdini”.
Momente me emocione në ceremoninë e 66-të u shfaqen kur Celine Dion u ngjit në skenë për të dorëzuar çmimin për albumin e vitit.
Kjo është paraqitja e parë në një ceremoni e këngëtares 55 vjeçare prej kur u diagnostikua me Sindormwn e personit të ngurtë.
“Kur ju them se jam shumë e lumtur që jam këtu, e them nga thellësia e zemrës...Me shumë kënaqësi do të prezantoj Grammy-n që më dhanë Diana Ross dhe Sting 27 vjet më parë, këtë për albumin më të mirë të vitit”, tha Celine Dion mes duartrokitjesh të mëdha.
Një nga çmimet më të mëdha të natës, regjistrimi i vitit, u nda për Miley Cyrus me këngën "Flowers".
“Ky çmim është i mahnitshëm”, tha ajo në fjalën e saj.
Çmimi për artistin më të ri u nda për Victoria Monet, ndërkaq Billie Eilish fitoi këngën e vitit për shkrimin e kolonës zanore të filmit "Barbie".
Karol G hyri në historinë e Grammy-t të dielën duke u bërë interpretuesja e parë femër që fitoi albumin më të mirë të muzikës urbane, për rekordin e saj të suksesshëm "Manana Sera Bonito".
“Kjo është hera ime e parë në Grammy," i tha ajo audiencës, në anglisht.
Killer Mike me “Michael” mori çmimin për albumin më të mirë Rap, “This is Why” nga Paramore mori çmimin për albumin më të mirë Rock, ndërsa Taylor Swift mori çmimin për albumin më të mirë Pop me “Midnights”.