Zyra e Rregullatorit të Energjisë në Kosovë (ZRRE) është e obliguar që në mënyrë të padiskutueshme ta zbatojë vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, i cili e pezullon ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës, thotë avokati Faton Fetahu.
Fetahu është angazhuar nga Partia Demokratike e Kosovës - subjekt opozitar - për të ngritur padi kundër vendimit të ZRRE-së për shtrenjtimin e rrymës.
ZRRE-ja, në vazhdën e krizës globale energjetike, ka miratuar faturat e reja me rritje më 8 shkurt dhe, që nga ajo kohë, konsumatorët që shpenzojnë mbi 800 kilovatë në muaj, paguajnë më shtrenjtë.
Sipas PDK-së, ky shtrenjtim i dëmton qytetarët. Dhe, dy muaj më vonë, më 9 prill, Gjykata Themelore e ka pezulluar ekzekutimin e vendimit të ZRRE-së, duke thënë se propozimi për pezullim “ka qenë i bazuar”.
SHIKONI EDHE: PDK: Gjykata ka pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymësProcesi gjyqësor për padinë e ushtruar nga PDK-ja vazhdon, por deri në vendimin përfundimtar, gjykata ka thënë se faturat me rritje duhet të pezullohen.
Sipas Fetahut, nëse ZRRE-ja nuk e zbaton vendimin e gjykatës për pezullim, ajo do të bëjë shkelje ligjore.
“ZRRE-ja duhet menjëherë, nga dita e pranimit të vendimit të gjykatës së shkallës së parë, ta zbatojë të njëjtin. Dhe, pavarësisht se a do të bëjë ankesë apo jo, zbatimi i këtij vendimi është i detyrueshëm, sepse është vendim gjyqësor. Moszbatimi i tij përbën edhe vepër penale”, thotë Fetahu për Radion Evropa e Lirë.
Ngjashëm vlerëson edhe avokati tjetër, Fatos Zeqiri. Sipas tij, aktvendimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë është i plotfuqishëm dhe duhet të zbatohet nga ZRRE-ja.
Ai thotë se një gjë e tillë parashihet edhe në Ligjin për procedurën kontestimore, ku thuhet se vendimi për masën e sigurisë, në këtë rast vendimi për pezullim, “është i ekzekutueshëm dhe është i përmbarueshëm, ashtu siç parashihet me Ligjin për procedurën përmbarimore”.
“ZRRE-ja, që nga momenti i pranimit të vendimit të Gjykatës Themelore, duhet t’i pezullojë tarifat e përcaktuara me vendimin e saj dhe t’i faturojë qytetarët me tarifat që kanë qenë në fuqi para nxjerrjes së vendimit”, thotë Zeqiri për Radion Evropa e Lirë.
Por, në ZRRE thonë se nuk do ta zbatojnë vendimin dhe se do të parashtrojnë ankesë në Gjykatën e Apelit.
“Përderisa kjo çështje, pas ankesës së ZRRE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm. Kjo është e definuar me Nenin 66 të Ligjit për konfliktet administrative, ku përcaktohet se: Vendimet e gjykatës mund të ekzekutohen atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”, thuhet në një deklaratë të ZRRE-së për Radion Evropa e Lirë.
Aty, po ashtu, thuhet se ZRRE-ja nuk e ka pranuar ende vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
A do të rimbursohen qytetarët?
Visar Azemi, nga iniciativa rajonale “Balkan Green Foundation”, e cila synon promovimin e zhvillimit të energjisë, thotë se, nëse Gjykata e Apelit vendos njëjtë sikurse Gjykata Themelore në Prishtinë, atëherë do të duhej që faturat e paguara me çmime të shtrenjta, t’iu rimbursohen qytetarëve në forma të ndryshme”.
Tarifat e reja, të miratuara nga ZRRE-ja, kanë hyrë në fuqi më 9 shkurt dhe do të jenë të vlefshme deri më 31 mars, 2023.
Siç është njoftuar, rreth 20 për qind e konsumatorëve në Kosovë konsumojnë më shumë se 800 kilovatë rrymë në muaj dhe, rrjedhimisht, paguajnë më shtrenjtë.
Gjatë tarifave të shtrenjta, ata paguajnë 12.5 centë për kilovat, ndërsa gjatëtarifave të ulëta 5.9 centë.
SHIKONI EDHE: Kush dhe sa do të paguajë më shtrenjtë për rrymë?Për ata që nuk konsumojnë më shumë se 800 kilovatë, çmimi i rrymës nuk ka ndryshuar; pra, ata vazhdojnë të paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.
Tarifa e lirë e energjisë elektrike në Kosovë vlen nga 1 tetori deri më 31 mars, nga ora 22:00 deri në orën 7 të mëngjesit.
Nga 1 prilli deri më 30 shtator, tarifa e lirë vlen nga ora 23:00 deri në 8 të mëngjesit.
ZRRE-ja ka marrë vendimin për shtrenjtim të rrymës pas rritjes së çmimeve të gazit në nivel botëror.
Marrë parasysh faktin se Kosova nuk prodhon mjaftueshëm energji elektrike, ajo është detyruar të importojë rrymë me çmime më të shtrenjta dhe kjo është reflektuar pastaj edhe në faturat e reja për qytetarët.