Tanket perëndimore, kyçe për Ukrainën që t’i mposhtë forcat ruse

Tanket Leopard 2 - Fotografi ilustruese nga arkivi.

Ekspertët thanë se tanket e premtuara për Ukrainën nga perëndimi, Leopard 2 dhe Abrams, parashikohet se do t’u japin forcë shtytëse trupave ukrainase në luftën e tyre kundër Rusisë. Mirëpo, sipas tyre, koha dhe numrat janë faktor esencial i tyre, pasi të dyja palët janë duke u përgatitur për sulm për muajt në vijim.

Dërgimi i këtyre tankeve, që njëherësh është një mesazh se perëndimi është aleat i fuqishëm i saj, nuk mjafton për Ukrainën. Ajo, vazhdimisht, ka kërkuar armatim nga SHBA-ja dhe aleatët evropianë, pasi trupat ukrainase janë duke hasur në vështirësi për t’u përballuar sulmeve, të rimarrin territorin e tyre, si dhe të dëbojnë nga vendi i tyre forcat ruse.

Gjermania pranoi të dërgojë tanket Leopard 2 në Ukrainë, pas një presioni të madh të ushtruar nga Kievi dhe NATO. Dërgimi i këtyre tankeve u ka dhënë dritën e gjelbër edhe shteteve tjera anëtare të NATO-s, si Polonia, për të dërguar gjithashtu tanke të prodhimit gjerman si ndihmë ushtarake në Ukrainë.

SHIKONI EDHE: Gjermania jep dritën jeshile për dërgimin e tankeve në Ukrainë

Ky vendim erdhi nga Berlini pasi SHBA-ja është duke përgatitur 31 tanke Abrams, sa një batalion, për t’u ndihmuar trupave ukrainase. Gjermania thuhet se kishte kërkuar të lidhte çdo donacion të tankeve Leopard 2 me miratimin e SHBA-së për transferimin e atyre Abrams.

Thuhet se Ukraina është duke u përgatitur për sulm në sezonin e pranverës, ku planifikohet të përdoren tanke të shumta, së bashku me makina të blinduara, artileri, aviacion dhe këmbësori ushtarake.

John Spencer, major i pensionuar i ushtrisë amerikane, njëherësh kryetar i Studimeve të Luftës Urbane në Forumin e Politikave Madison, institut me bazë në Nju Jork që fokusohet në çështjet e sigurisë, tha për Radio Evropa e Lirë se këto tanke janë pikë thelbësore e “gjithë recetës” për t’i dëbuar trupat ruse.

“Atyre iu duhen tanke që do të mund t’i mposhtin shumicën e tankeve ruse”, tha John Spender për REL-in.

Ai shtoi se tanket e prodhimit perëndimor si Leopard 2 dhe Abrams, konsiderohen si superiore, sepse kanë kapacitet më të mirë të gjetjes së shënjestrës, si dhe janë të njohura për stabilititein që kanë, çka u lejon të gjuajnë me korrektësi përderisa janë në lëvizje.

SHIKONI EDHE: Leopard 2: Çfarë janë dhe si mund t'i ndihmojnë Ukrainës?

Ekspertët, gjithashtu, thanë se ato janë më të sigurta sesa modelet ruse, të pajisura me dyer të forta kundër shpërthimeve që ndajnë ekuipazhin brenda nga municioni i ruajtur.

Deri më tani Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë pajtuar të dërgojnë rreth 60 tanke,mirëpo pritet për njoftime të tjera në ditët në vijim.

Së fundi, Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar se do të dërgojnë 14 tanke beteje Challenger 2 për në Ukrainë.

“Një kërkesë shumë e madhe”

Komandanti i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës, Valeriy Zaluzhniy, tha në dhjetor të 2022-s, se vendit të tij i duhen 300 tanke, 600-700 automjete të blinduara luftarake dhe 500 obusë që t’i zmbrapsin rusët.

Kërkesën e tij një ish gjenerallejtënant amerikan, e cilësoi si "një kërkesë shumë të madhe”.

Analisti ushtarak në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, Mark Cancian, tha për Radio Evropa e Lirë, se Ukrainës i duhen së paku 100 deri 150 tanke të prodhimit perëndimor, për të pasur, vërtet, një ndikim në fushëbetejë.

“Është e rëndësishme shkalla, ky numër tankesh që po dërgojnë, nuk do të mjaftojë për të ndryshuar lojën. Do të dallohet shpejt aftësia e forcave të armatosura ruse”.

SHIKONI EDHE: SHBA-ja do t’i dërgojë Ukrainës tanke M1 Abrams


Sipas Oryx-it, faqe interneti që përdor mjete me burim të hapur për të numëruar pajisjet e shkatërruara, Ukraina para luftës kishte rreth 850 tanke dhe humbi të paktën gjysmën e tyre.

Edhe pse Ukraina nuk e bën publike shifrën e vërtetë të humbjes së tankeve pasi e cilëson si sekret shtetëror, shkatërrimi dhe humbja e tankeve parashikohet të jetë edhe më e madhe.

Në 11 muajt e parë të luftës, shtetet anëtare të NATO-së nga Evropa Lindore, i kanë dërguar si donacione qindra tanke sovjetike Ukrainës, por mundësia e tyre për të ofruar më shumë armatim të tillë, është e limituar. Rrjedhimisht, tanket e prodhimit perëndimor u bënë opsioni tjetër alternativ.

Gjithashtu, NATO-ja ka më shumë kapacitet për të ofruar tanke dhe armatim, pasi tanket e saj përdorin një top prej 120 milimetrash që mund të prodhohet në shtetet anëtare.

Tanket Leopard 2 marrin më pak kohë që të pozicionohen sesa tanket Abrams, për të cilat kërkohet më shumë trajnim. Spencer parashikoi se Ukraina do të ishte në gjendje të përdorte tanket Leopard 2 brenda disa javësh.

Sipas Institutit Ndërkombëtar për Studime Strategjike, në Evropë janë mbi 2.000 tanke Leopard 2, përfshirë Turqinë, duke e bërë të thjeshtë për vendet që t’i bashkojnë burimet e tyre për të arritur një nivel kritik të mbështetjes.

Mirëpo, disa nga tanket Leopard 2 janë më të vjetra, që nuk janë përdorur me vite dhe kjo do të thotë se ato duhet t'i nënshtrohen mirëmbajtjes dhe përmirësimeve para se të përdoren.

Zyrtarët amerikanë kanë deklaruar se duhen muaj që 31 Abrams të arrijnë në Ukrainë. Administrata e presidentit Biden kishte hezituar të dërgonte Abrams, sepse turbinat e saj me gaz përdorin karburant avioni dhe kështu do të ishin më të vështira për t'u përdorur, mirëmbajtur dhe furnizuar sesa Leopardët e Gjermanisë.

Historia e tankeve Abrams

Disa ekspertë i kanë hedhur poshtë pretendimet e tilla, duke thënë se forcat e armatosura të Ukrainës kanë demonstruar aftësinë e tyre për t'u përshtatur me pajisjet e reja.

Disavantazhi i operimit të modeleve të shumta të tankeve perëndimore është se Ukraina do të duhet të zhvillojë një zinxhir furnizimi për secilin.

*Video: Artileria perëndimore ndihmon forcat ukrainase në kundërofensivë

Vendimtare për luftë në terrenin e hapur

Zyrtarët amerikanë thanë se tanket perëndimore do të jenë një komponentë kyçe në betejat që do të realizohen në terrenin e hapur në Ukrainën lindore në javët dhe muajt e ardhshëm. Gjithashtu, Rusia besohet se po përgatitet për një ofensivë në pranverë.
Sipas Spencerit, tanket e betejës janë gjithashtu të rëndësishme në luftën urbane, siç është parë në betejat e ashpra për qytetet e Ukrainës.

"Tanket janë të nevojshme që ukrainasit të avancojnë dhe të rimarrin territorin, sidomos territorin urban. Kjo është beteja", tha ai.

Këto tanke do të përdoren së bashku me mjetet luftarake të blinduara nga perëndimi.

Në fillim të këtij muaji, SHBA-ja dhe aleatët e saj të NATO-s ranë dakord të dërgonin qindra automjete të blinduara luftarake, të njohura si "tanke të lehta" në Ukrainë.
Këto mjete luftarake më së shumti përdoren për t’i transportuar trupat në betejë, dhe vetëm disa prej tyre kanë kapacitet për të shkatërruar tanke të tjera.

Edhe pse vendimi për të dërguar tanke të prodhimit perëndimor japin mesazh të fuqishëm në mbështetje të Ukrainës, këto nuk janë mjetet e fundit ushtarake që Kievi ka kërkuar nga perëndimi.

SHIKONI EDHE: Zelensky, Berlinit: Nëse keni tanke Leopard, na i jepni

Ukraina ende po kërkon raketa me rreze të gjatë veprimi nga perëndimi. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë refuzuar t’i dërgojnë Ukrainës ATACMS, raketa me rreze të gjatë deri në 300 kilometra, me arsyetimin se dërgimi i tyre mund të çojë në eskalimin e situatës.

Ambasadori amerikan në Ukrainë gjatë viteve 2003-2006, John Herbst, tha se këto raketa me rreze të gjatë janë edhe më të rëndësishme sesa tanket perëndimore, pasi kanë aftësi për të shkatërruar zinxhirin furnizues rus.

“Kur Ukraina do të furnizohet me raketat me rreze të gjatë, depot ruse të furnizimit do të marrin fund. Rusisë do t’i duhej që t’i vendoste trupat e saj më larg vijës së frontit. Nëse rusët nuk i kanë pajisjet, ata nuk do të dërgojnë trupa në betejë”, tha ambasadori.

Cancian nga CSIS-ja deklaroi se gjëja "më e rëndësishme" për Ukrainën është që të vazhdojë ndihma ushtarake nga SHBA-ja dhe aleatët e saj të NATO-s.

“Ndihma afatgjate është shumë më e rëndësishme se çfarëdo lloji tjetër i ndihmës. Ukraina do të mund të mbijetojë ose të fitojë nëse mbështetja nga perëndimi bie gradualisht”, tha ai.

(Në këtë raport kontribuoi Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë)
Përgatiti: Albina Kastrati