Talibanët vendosin taksa 'bamirësie' për fermerët që kanë nevojë për ndihmë

Fermerë afganë pranë arkave me rrush. Kandahar, shtator 2021.

Lufta, thatësira dhe COVID-i i kanë shkatërruar fermerët në të gjithë Afganistanin.

Tash, fermerët afganë, të cilët kanë humbur para duke u përpjekur për të rritur të korrat gjatë vitit të kaluar, thonë se talibanët po u japin atyre edhe një goditje tjetër.

Regjimi i talibanëve që ka mbetur pa para po i detyron ata të paguajnë të ashtuquajturat ‘taksa bamirësie’ për tokën dhe të korrat e tyre, duke i përshkruar pagesat si një detyrim sipas ligjit islamik.

Taksat e bamirësisë po mblidhen pavarësisht nga fakti se vetë fermerët janë në mesin e 14 milionë afganëve, të cilët, Programi Botëror i Ushqimit thotë se tashmë po përballen me uri të madhe.

SHIKONI EDHE: Tetë fëmijë në Kabul vdesin nga uria

Samiullah, një fermer 28-vjeçar afgan, me tetë hektarë tokë në provincën Kapisa në veri të Kabulit, është ndër ata persona, familjet e të cilëve kanë nevojë për ndihmë humanitare për të mbijetuar gjatë dimrit të ardhshëm.
Kanalet e ujitjes në të ashtuquajturin brezi i gjelbër rreth fshatit të Samiullahut e ndihmuan atë të përballonte thatësirën më mirë se fermerët që duhej të nxirrnin ujë nga puset për të mbajtur gjallë të korrat e tyre.
Por, edhe përpara se talibanët të merrnin pushtetin në Kabul në gusht, kostoja e plehrave dhe kimikaleve të tjera bujqësore ishte rritur.

Taksambledhësit talibanë nuk i marrin parasysh humbjet që kanë pësuar fermerët.

Kështu, taksa “ushurp” e Samiullahut llogaritej si 10 për qind e të ardhurave që merrte për të korrat. Samiullahu, gjithashtu, duhet të paguajë një taksë që njihet si "zekat" prej 2.5 për qind.

“Kur i llogarisim kostot tona, me një çmim kaq të lartë vetëm për plehrat kimike, në fund nuk na mbetet gjë tjetër përveç punës së vështirë që bëjmë”, tha Samiullahu për Radion Evropa e Lirë.

Në lindje të Kabulit, në provincën fqinje, Nangarhar, blegtori 30-vjeçar Ezat mori kredi vitin e kaluar për të blerë tokë.

SHIKONI EDHE: Miliona afganë i kërcënon uria këtë dimër, thotë OKB

Por, thatësira dhe kolapsi ekonomik nën talibanët e kanë lënë Ezatin pa mundësinë për të shlyer këto kredi - duke e detyruar atë të shesë shumë pjesë nga toka e tij me humbje.

Tani, për shkak se talibanët e taksojnë atë pa marrë parasysh humbjet e tij, Ezat thotë se nuk mund ta përballojë të paguajë të edhe 10 përqindëshin edhe "zekatin".

Obligimi humanitar

Talibanët i arsyetojnë taksat e tyre për bamirësi si një nga pesë shtyllat e Islamit që konsiderohen detyrime për të gjithë myslimanët.

Obligime të tjera të tilla përfshijnë deklarimin e besimit, lutjet e përditshme, agjërimin gjatë muajit të Ramazanit dhe pjesëmarrjen në pelegrinazhin e haxhit.

Zekati ndryshon nga akti vullnetar i dhënies së dhuratave bamirëse nga mirësia ose bujaria.

Ai është menduar të jetë i detyrueshëm për ata që fitojnë të ardhura mbi një shumë të caktuar dhe bazohet në të ardhurat e një personi, si dhe në vlerën se çka zotëron një person.

Marrësit e zekatit duhet të jenë të varfrit dhe nevojtarët, ata që konvertohen në Islam, njerëz të skllavëruar ose në borxhe, udhëtarë të bllokuar dhe ushtarë që luftojnë për të mbrojtur komunitetin mysliman.

Ata që mbledhin zekatin, gjithashtu, kompensohen për punën që bëjnë.
Shumë kritikë të zekatit, që përfshijnë dijetarët islamikë dhe punonjës të organizatave humanitare, thonë se kjo praktikë ka dështuar në zbutjen e varfërisë në botën myslimane.

SHIKONI EDHE: Versioni i talibanëve i Ligjit të Sheriatit

Ata argumentojnë se fondet shpesh shpërdorohen dhe keqmenaxhohen.
Agha Gol, një banor i lagjes Shakardara të Kabulit, u detyrua t'u paguante taksa talibanëve për kopshtin e tij.

Gol thotë se talibanët ende nuk i kanë standardizuar rregullat e tyre për mbledhjen e 10 përqindëshit dhe taksave të bamirësisë. Ai thotë se kjo mund t'i bëjë taksat të detyrueshme dhe të prira për korrupsion nga taksambledhësit abuzues.

“Duhet të paguani qeverinë [të udhëhequr nga talibanët]”, tha Gol për Radio Azadi. "Por, së pari, ata duhet të kenë një ligj specifik dhe të krijojnë një zyrë specifike për pagesat që do të dërgohen në thesarin e talibanëve."
Në Kabul, Ministria e Bujqësisë e qeverisë së udhëhequr nga talebanët thotë se po i mbledh taksat e bamirësisë nga fermerët dhe njerëzit me parcela të vogla kopshtesh, në mënyrë që të forcojë të ardhurat dhe të rrisë "vetëmjaftueshmërinë" e vendit.

Përfaqësuesit e ministrisë së talebanëve thonë për Radio Azadi se ata nuk po dërgojnë letra njoftimi për pagesën e taksave nëpër xhami dhe fshatra në zonat rurale.

Por, ata pranojnë se puna për mbledhjen e 10 përqindëshit dhe taksave të bamirësisë është duke u zhvilluar.

Banorët e provincës Ghor hedhin poshtë pretendimin e ministrisë se talebanët nuk po japin njoftime për pagesën e taksave.

Ata thonë për Radio Azadi se procesi i mbledhjes së taksave nga talibanët filloi kur militantët vendas postuan të ashtuquajturat letra nate në xhamitë lokale dhe në muret e ndërtesave të banimit.

Fermerët në provincën qendrore afgane thonë, gjithashtu, për Radio Azadi se persona të armatosur talibanë i kanë sulmuar shtëpitë e tyre gjatë natës për të kërkuar që ata të paguajnë 10 përqindëshin dhe taksat e bamirësisë.
Ata që nuk kishin para për të bërë pagesat, thonë se talibanët ua morën bagëtinë, duke i bërë familjet e tyre edhe më të varura nga ndihma humanitare në muajt në vijim.

Your browser doesn’t support HTML5

"S'ka zgjidhje tjetër": Varfëria detyron afganët t'i shesin vajzat e tyre

Talibanët mbesin pa para

Talibanët thonë se mungesa e parave të tyre mund të zbutet nëse Uashingtoni do të lëshonte 9.4 miliardë dollarë që janë rezerva të Bankës Qendrore Afgane të mbajtura në Shtetet e Bashkuara.

Këto rezerva mbeten të ngrira mes pasigurive në lidhje me të dhënat e të drejtave të njeriut të regjimit taleban dhe rezervave nëse duhet të njihen talibanët si qeveria legjitime e Afganistanit.

Nabila Massrali, zëdhënëse e shefit të Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, vë në dukje se ndihma e rregullt e BE-së për zhvillimin e Afganistanit gjithashtu mbetet e ngrirë.

SHIKONI EDHE: SHBA rrit ndihmën humanitare për Afganistanin

Massrali thotë se një paketë ndihme humanitare prej 350 milionë dollarësh e BE-së për të mbështetur "nevojat themelore në përfitim të drejtpërdrejtë të popullit afgan" nuk do të dorëzohet përmes talibanëve.

"Ajo kalon përmes organizatave ndërkombëtare, siç janë Kombet e Bashkuara, dhe organizatat joqeveritare në terren", për të garantuar që ndihma të mos devijohet nga talibanët, tha ajo për Radio Azadi.

"Talibanët po përballen me një mungesë të parasë jo vetëm për të paguar pagat, por për të paguar gjithçka. Kështu që ata kanë nevojë për ndihmën e komunitetit ndërkombëtar," shpjegoi Massrali.

“Angazhimi ynë do të varet edhe nga veprimi i talibanëve.

Ndërkohë, mungesa e parave të gatshme, mbyllja e bankave dhe pezullimi i transferimeve të parave në Afganistan që kur talibanët pushtuan Kabulin, vazhdojnë të kontribuojnë në hiperinflacionin dhe rritjen e kostove të ushqimit.

Sipas Programit Botëror të Ushqimit (WFP), më shumë se 60 për qind e afganëve mbështeten në bujqësi për të ardhurat e tyre.

Në shtator, vetëm disa javë pasi talibanët morën pushtetin, WFP-ja vlerësoi se 93 për qind e afganëve nuk po merrnin ushqim të mjaftueshëm për të ngrënë – një rritje nga 80 për qind përpara se talibanët të merrnin pushtetin.

"Kontrolli i talibanëve padyshim do ta përkeqësojë një situatë që vetëm ishte shumë e keqe", thotë Jamie Lutz, një studiues global i sigurisë ushqimore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare (CSIS).

Lutz vëren se ish-qeveria afgane varej shumë nga ndihma e huaj, me rreth 80 për qind të buxhetit të saj që vinte nga Shtetet e Bashkuara dhe donatorë të tjerë ndërkombëtarë.

"Tërheqja e mbështetjes ndërkombëtare në vend ka ngritur pikëpyetje se si talibanët do të financojnë shërbimet sociale dhe ndihmën ushqimore," thotë Lutz.

"Marrja e pushtetit nga talibanët po përkeqëson gjithashtu furnizimet me ushqim," përfundon ajo.

Përgatiti: Fatos Bytyçi