Zyrtarët amerikanë dhe ata talibanë janë në proces të negociatave për t’i dhënë fund luftës gati 18-vjeçare në Afganistan. Në një intervistë për rubrikën Expose të Radios Evropa e Lirë, Mushtaq Rahim, analist i çështjeve të sigurisë, me seli në Kabul, thotë se paqja e qëndrueshme mund të arrihet vetëm nëse në bisedime përfshihet edhe Qeveria afgane. Talibanët tash për tash refuzojnë të bisedojnë me përfaqësuesit qeveritarë, duke i konsideruar ata “kukulla” të Shteteve të Bashkuara. Thuhet se ky është angazhimi më serioz për armëpushim. Zyrtarët amerikanë kanë bërë të ditur, muajin e kaluar, se korniza e marrëveshjes për paqe është arritur.
Radio Evropa e Lirë: Zoti Rahim, llogaritet se talibanët kontrollojnë tani territore më shumë se në çdo fazë tjetër të luftës në Afganistan. A janë ata seriozisht të përkushtuar ndaj procesit të paqes?
Mushtaq Rahim: Ata janë të përkushtuar ndaj procesit të paqes, por një procesi që siguron kthimin e fuqishëm të talibanëve në pushtet – nëse jo në shkallën që kanë pasur përpara se të rrëzoheshin nga pushteti në vitin 2001, atëherë në një shkallë që u mundëson kontroll në vendimmarrje për sistemin e ardhshëm shtetëror të Afganistanit.
Ata e synojnë këtë për disa arsye. E para, ata kanë humbur shumë njerëz në fushëbeteja dhe mund të mos i përballojnë më humbjet. E dyta, Shtetet e Bashkuara e kanë rritur presionin mbi Pakistanin – politikisht dhe financiarisht.
Dihet se Pakistani ka qenë mbështetësi kryesor i talibanëve. Pakistanezët u kanë ofruar atyre baza operimi dhe mbështetjen e kërkuar. Pas presionit të vënë mbi të, Pakistani përballet me një situatë në të cilën ose duhet t’i mbështesë bisedimet për paqe në Afganistan, duke i nxitur talibanët që t’iu bashkohen atyre, ose do të përballet me izolim ekonomik dhe politik nga Amerika. Andaj, Pakistani ka vendosur t’i ndihmojë bisedimet.
Dhe, për këto arsye që i përmenda, talibanët janë të gatshëm të negociojnë, por në një mënyrë në të cilën mund të manipulojnë dhe dominojnë procesin e negociatave.
Radio Evropa e Lirë: Talibanët refuzojnë të bisedojnë drejtpërdrejt me Qeverinë afgane. A do të binden ata dhe të ulen ballë për ballë me përfaqësuesit e qeverisë?
Mushtaq Rahim: Mendoj që po. Ata do t’i takojnë zyrtarët e Qeverisë afgane. Tash për tash, ata e kanë margjinalizuar qeverinë, duke biseduar drejtpërdrejt me Amerikën dhe duke bërë përpjekje që të flasin për të gjitha çështjet e rëndësishme, përpara se të kthejnë fokusin kah Qeveria afgane.
Por, të gjithë e dimë se marrëveshja e paqes duhet t’i pasojë bisedimet midis Qeverisë afgane dhe talibanëve. Përndryshe, zgjidhja midis talibanëve dhe Amerikës nuk mund të garantojë paqe afatgjate në Afganistan.
Talibanët po bëjnë lojë diplomatike këtu, duke krijuar një lloj skepticizmi në gjithë procesin dhe duke e ndarë elitën politike të shtetit afgan.
Së voni, ata kanë diskutuar në Moskë me udhëheqësit afganë të opozitës, por e kanë shmangur qeverinë. Pra, ata po përpiqen të krijojnë një lloj çarjeje midis Qeverisë afgane dhe pjesës tjetër të komunitetit politik, në mënyrë që kur të nisin bisedimet me qeverinë, politika të jetë e ndarë.
Your browser doesn’t support HTML5
Radio Evropa e Lirë: Nëse bisedimet çojnë në marrëveshje të plotë, trupat amerikane duhet të tërhiqen nga Afganistani brenda 18 muajsh. Pas largimit të amerikanëve, kush mund të garantojë ndonjë armëpushim?
Mushtaq Rahim: Ky është problemi. Kjo është çështja kryesore. Nëse negociatat nuk bëhen me Qeverinë afgane dhe nëse kjo e fundit nuk angazhohet në një proces gjithëpërfshirës të paqes, nuk do të ketë proces të qëndrueshëm të paqes.
Për pasojë, Afganistani do të mund të kthehej në fillim të viteve ’90, kur - pas tërheqjes së trupave sovjetike - nuk është arritur marrëveshje e duhur e paqes dhe vendi është zhytur në luftë civile.
SHIKONI EDHE: Senati amerikan kundër tërheqjes së trupave nga Siria dhe AfganistaniKy shqetësim ekziston edhe sot. Nëse nuk arrihet marrëveshja e duhur për paqe, e diskutuar mirë, Afganistani mund të bëjë kthim prapa në situatën e viteve ’90, ku grupet mund të angazhohen në luftë civile, në përpjekje për të marrë pushtetin.
Radio Evropa e Lirë: Në rast të marrëveshjes për paqe, talibanët do të duhet të njohin Kushtetutën e Afganistanit, e cila garanton të drejta. Në anën tjetër, ata kanë mbështetur deri më tash një interpretim të ashpër të Ligjit të Sheriatit, duke i kufizuar shumë të drejta të njeriut. Sa do të jetë i vështirë pajtimi i këtyre dy botëkuptimeve?
Mushtaq Rahim: Kushtetuta e Afganistanit nuk është në kundërshtim me Ligjin e Sheriatit. Neni i parë i saj thotë se çdo legjislacion dhe çdo çështje e vendit do të trajtohet me udhëzimet dhe rregullat që ofron Kurani.
Talibanët mund të kenë rezerva ndaj disa aspekteve të Kushtetutës, por ajo mbetet e hapur për diskutim. Vetë presidenti i Afganistanit, Ashraf Ghani, në Konferencën e Kabulit të mbajtur në shkurt të vitit të kaluar, ka thënë qartë se Kushtetuta është e hapur për amendamente.
SHIKONI EDHE: Talibanët duan t’iu japin të drejta grave… por me kushtet e tyreEdhe politikanët që janë takuar së voni me talibanët, kanë përsëritur se Kushtetuta mund të rishikohet. Pra, nuk mendoj se ky do të jetë një problem i madh, nëse talibanët janë të gatshëm të pranojnë legjitimitetin e aparatit shtetëror dhe të pajtohen për normat e përgjithshme të një shteti modern, demokratik, në Afganistan.
Radio Evropa e Lirë: Ju, a jeni optimist se këto bisedime do të çojnë në paqe?
Mushtaq Rahim: Unë jam optimist, sepse të gjitha palët janë të angazhuara seriozisht në kërkim të një zgjidhjeje të negociuar të konfliktit. Por, marrë parasysh mungesën e detajeve dhe qartësive për Afganistanin e pas marrëveshjes së paqes, druaj se mund të përballemi me një situatë në të cilën kemi marrëveshje bazike për paqe, që mund të mos ofrojë paqe të afatgjate, të qëndrueshme në Afganistan.
Mund të përfundojmë me një dokument që vetëm e lehtëson tërheqjen e trupave amerikane, por nuk kontribuon në një zgjidhje afatgjate të konfliktit në Afganistan.