Talibanët mirëpresin vazhdimin e misionit të OKB-së në Afganistan

Delegacioni i talibanëve duke marrë pjesë në një konferencë. Fotografi nga arkivi.

Talibanët kanë mirëpritur një rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të vazhduar prezencën e misionit të OKB-së në Afganistan, ndonëse Qeveria e udhëhequr nga talibanët nuk njihet nga komuniteti ndërkombëtar.

Rezoluta për vazhdim të mandatit është miratuar me 14 vota për.

Rusia ka abstenuar.

Kjo rezolutë i mundëson OKB-së që të vazhdojë punën në Afganistan, ku situata humanitare është përkeqësuar shumë shpejt prej marrjes së pushtetit nga talibanët, në gusht të vitit të kaluar.

Mandati i ri autorizon misionin e OKB-së që të promovojë barazinë gjinore, fuqizimin e grave dhe vajzave, të drejtat e njeriut për të gjithë afganët dhe përfaqësim gjithëpërfshirës në Qeveri.

Mirëpo kjo nuk nënkupton njohjen e Qeverisë.

Bota nuk e njeh Qeverinë e udhëhequr nga talibanët për shkak të mungesës së vëmendjes në respektim të të drejtave të njeriut, sidomos të vajzave, grave dhe minoriteteve etnike.

SHIKONI EDHE: Talibanët u kërkojnë grave të mbulohen - qoftë edhe me batanije

“Ne e konsiderojmë zgjatjen e mandatit për misionin e OKB-së si hap të mirë dhe duam të punojmë bashkërisht për të zgjidhur problemet humanitare dhe çështje tjera”, ka thënë zëdhënësi i talibanëve, Zabihullah Mujahid për agjencinë e lajmeve, AFP.

Prej ardhjes në pushtet, talibanët kanë kthyer mbrapsht përparimin në fushën e të drejtave të njeriut.

Shumicës së vajzave u është pamundësuar shkuarja në shkollë të mesme dhe grave u është ndaluar punësimi.

Disa gra që kanë protestuar për më shumë të drejta, në disa raste janë zhdukur.

Misioni i OKB-së për ndihma në Afganistan është krijuar më 2002.