Kryeministri në detyrë i Afganistanit, Mullah Mohammad Hassan Akhund, u ka bërë thirrje qeverive që të njohin zyrtarisht administratën e udhëhequr nga talibanët, e cila ka marrë pushtetin në gusht të vitit të kaluar.
Ai ka thënë në një konferencë për media se të gjitha kushtet janë plotësuar.
“U kërkoj të gjitha qeverive, sidomos shteteve islamike, që të nisin njohjet”, ka thënë Akhund, bashkëthemelues i grupit të talibanëve, duke shtuar se ata kanë plotësuar të gjitha kushtet për kthim të paqes dhe sigurisë.
Ai ka bërë thirrje edhe për heqje të bllokadës ndaj aseteve të ngrira të Afganistanit, të cilat mbahen jashtë shtetit, si dhe për rritje të ndihmës humanitare, teksa ky shtet përballet me krizë të madhe humanitare.
SHIKONI EDHE: Beteja e talibanëve për mbajtjen e pushtetit në AfganistanKjo thirrje vjen pasi Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se ka nisur projekte të vlerë të 268.3 milionë eurosh, si mbështetje për popullsinë afgane.
Talibanët kanë marrë kontrollin e Afganistanit, pas shkatërrimit të Qeverisë së mbështetur ndërkombëtarisht në Kabul, si dhe në kohën kur forcat ndërkombëtare ishin duke u larguar nga ky shtet, pas luftës 20-vjeçare.
Asnjë shtet nuk e ka njohur zyrtarisht Qeverinë e talibanëve.
Kombet e Perëndimit kanë thënë se do të shohin nëse talibanët do të udhëheqin sipas regjimit të 20 vjetëve më parë, kur kanë qenë në pushtet për herë të parë.
Në tentim të sigurimit të njohjes ndërkombëtare, talibanët kanë dhënë shenja se do të kenë qasje më të moderuar, në krahasim me të kaluarën.
SHIKONI EDHE: OKB: Talibanët synojnë përjashtimin e grave dhe vajzave nga jeta publikeMirëpo militantët vazhdojnë të jenë nën presion ndërkombëtar për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut, sidomos ato në fushën e edukimit të grave, në punësim dhe pjesëmarrjen e tyre në jetën politike e shoqërore.