Talibanët i largojnë gratë nga kamerat televizive

Khatira Ahmadi (djathtas), 20-vjeçare, producente e kanalit Zan TV, duke rregulluar shaminë e një prezantuese, para transmetimit. (Kabul, 8 maj 2017)

Shabnam Dawran, është një prezantuese lajmesh dhe një nga fytyrat më të njohura në Afganistan. Ajo dhe disa kolege të saj u pushuan nga puna duke iu thënë “shkoni në shtëpi”, disa orë pasi talibanët morën kontrollin e kryeqytetit Kabul, më 15 gusht.

Dy ditë më vonë në studion e Radio Televizionit të Afganistanit (RTA) vendin e saj e zuri një militant taliban i cili i lexonte me ton të ashpër deklaratat e udhëheqjes së grupit militant. Pranë tij ishte një flamur i talibanëve.

"Unë dëshiroja të shkoja në punë kur sistemi ndryshoi. Unë nuk e humba guximin tim, por për fat të keq nuk u lejova”, tha Dawran në një postim në rrjetin social Facebook më 18 gusht.

"Nëse bota e dëgjon zërin tim, duhet të na ndihmojnë, sepse jeta jonë është në rrezik", tha ajo në videon e postuar në Facebook.

Hapja e shumë mediave ishte vlerësuar si një nga arritjet më të mëdha të Afganistanit në 20 vjetët e fundit. Nën regjimin taliban deri më 2001 mediat e pavarura ishin të ndaluara. Afganistani ka rreth 170 radio stacione, më shumë se 100 gazeta dhe dhjetëra stacione televizive.

Gratë dhe vajzat e Afganistanit

Nën regjimin taliban ekzistonte vetëm radio shtetërore, Zëri i Sheriatit i Talibanëve, në të cilën transmetoheshin kryesisht thirrjet për lutje dhe mësime fetare.

Pas marrjes së kontrollit të vendit, ka shenja të zymta se grupi fundamentalist islamik po i shuan përparimet e bëra në lirinë e mediave. Televizioni shtetëror tani ka filluar të transmetojë njoftimet e talibanëve, lexime të Kuranit dhe predikime islame.

Muzika është hequr nga skema programore e rrjeteve private televizive. Gjithashtu shikuesit nuk mund të shohin më emisionet argëtuese, emisionet e stilit perëndimor dhe telenovelat e huaja.

Megjithatë, një prezantuese intervistoi një zyrtar taliban drejtpërdrejt në Tolo TV, stacioni televiziv më i madh privat i vendit. Një gazetare e këtij televizioni gjithashtu raportoi drejtpërdrejt nga rrugët e Kabulit.

Megjithatë mbetet e paqartë nëse paraqitja e tyre u bë vetëm për një herë apo kjo ka të bëjë me një ndryshim më të gjerë në pikëpamjet e talibanëve ndaj mediave të pavarura dhe grave që janë të angazhuara me punë jashtë shtëpisë. Punësimin e grave talibanët e konsiderojnë si diçka të ndaluar.

Që kur e morën pushtetin në Kabul, grupi militant është munduar të paraqesë një pasqyrë mbase më të moderuar, duke u zotuar të mbrojë mediat e lira dhe të drejtat e grave - edhe pse brenda kornizës së rregullave të Islamit.

Zëdhënësi i talibanëve, Zabiullah Mujahid, tha më 17 gusht se grupi do të jetë “ndryshe" në kuptimin pozitiv nga sundimi i tyre në vitet 1996-2001.

Në atë kohë regjimi taliban shtypte të drejtat e grave, masakronte pakicat etnike dhe fetare dhe ndalonte muzikën, televizionin dhe sportet, përfshirë futbollin.

Gjatë konferencës së parë për media që nga marrja e kontrollit, Mujahid tha se mediat private "do të mbeten të pavarura", por, sipas tij, gazetarët "nuk duhet të punojnë kundër vlerave kombëtare".

SHIKONI EDHE: Johnson: Bota do të shikojë nëse veprat e talibanëve përputhen me fjalët e tyre

Ai ka thënë se gratë do të lejohen të punojnë dhe të studiojnë dhe "do të jenë shumë aktive në shoqëri, por brenda rregullave që përcakton Islami”. Mirëpo nuk ka ofruar detaje. Pavarësisht këtyre deklaratave, ekzistojnë dyshime të mëdha se talibanët do të vazhdojnë me retorikën e tyre. Aty ku nuk ka vëmendje të botës, në rajone tjera jasht Kabulit, militantët talibanë kanë shtypur mediat e pavarura.

SHIKONI EDHE: UNICEF: Disa talibanë e mbështesin edukimin e grave

Grupi militant ka mbyllur dhjetëra radio stacione lokale, gazeta dhe transmetues në qytete dhe rrethe në të gjithë vendin e shkatërruar nga lufta.

Disa media kanë ndalur punën edhe nga frika e hakmarrjes së talibanëve. Shumë gazetarë kanë ikur nga shtëpitë e tyre. Në vitet e fundit, talibanët janë fajësuar për vrasjen e dhjetëra reporterëve dhe punonjësve të mediave.

Ato pak media që janë lejuar për të vazhduar punën janë të detyruara të transmetojnë propagandë talibane. Atyre u është ndaluar transmetimi i zërave të grave dhe muzikës. Raportet e lajmeve janë zëvendësuar me njoftime të miratuara nga talibanët, recitime nga Kurani dhe predikime islame.

Deri më tani vlerësohet se talibanët kanë kthyer shumë rregulla dhe ligje represive që i kanë zbatuar në kohën kur sundonin me Afganistanin.

SHIKONI EDHE: Talibanët: Të drejtat e grave do të respektohen sipas ligjit islamik

Në kohën kur kontrollonin Afganistanin, para vitit 2001, talibanët i detyruan gratë të mbuloheshin nga koka deri te këmbët. Gratë e kishin të ndaluar të punonin jashtë shtëpisë. Pastaj, regjimi kishte kufizuar ashpër arsimimin e vajzave dhe atyre u kërkohej të shoqëroheshin nga një i afërm mashkull, nëse largoheshin nga shtëpitë e tyre. Ndërkohë, burrave iu ndalua të shkurtonin ose të rruanin mjekrën dhe gjithashtu u detyruan të luteshin pesë herë në ditë.

Talibanët gjithashtu patën praktikuar një interpretim të rreptë të ligjit të Sheriatit, që përfshinte edhe prerjen e gjymtyrëve dhe gjuajtjen me gurë për personat që akuzoheshin për disa krime.

Afganët që kanë jetuar në kohën e regjimit taliban thonë se shumë nga këto rregulla janë kthyer, pavarësisht nga pretendimet e talibanëve se ata kanë ndryshuar.

Përgatiti: Kestrin Kumnova