Talibanët mbulojnë fytyrat e kukullave në vitrinat e dyqaneve
Talibanët po interpretojnë në mënyrë të rreptë ligjin islamik që ndalon statujat dhe imazhet e formës njerëzore pasi ato mund të adhurohen si idhuj. Që nga marrja e pushtetit në vitin 2021, grupi islamik ka ndërmarrë, gjithashtu, një fushatë represive për t'i mbajtur gratë larg syrit të publikut.
Në fillim, Ministria talibane e Ndershmërisë tha se të gjitha kukullat duhet të hiqen nga vitrinat e dyqaneve ose atyre duhet t'iu hiqet koka.
Shitësit u ankuan se nuk do të ishin në gjendje t'i reklamonin rrobat e tyre siç duhet, që rezultoi më pas me një zgjidhje kompromisi.
Pronarët e dyqaneve duhet të vendosin një ekuilibër midis bindjes ndaj talibanëve dhe përpjekjes për të tërhequr klientë.
"Unë nuk mund t'i mbuloj kokat e kukullave me gjëra plastike ose të shëmtuara, sepse kjo do ta bënte vitrinën dhe dyqanin tim të duken të shëmtuar", tha Bashiri, një tregtar. Ashtu si pronarët e tjerë të dyqaneve, nga frika e hakmarrjes, ai dha vetëm emrin e tij të parë.
Kufizimet kanë ardhur në kohë të vështira për pronarët e dyqaneve. Ekonomia ka rënë që nga marrja e pushtetit nga talibanët, që pasoi me ndërprerjen e ndihmës ndërkombëtare.
Veshjet e nusërisë kanë qenë gjithmonë të njohura në Afganistan. Nën udhëheqjen e talibanëve, dasmat janë një nga mundësitë e pakta të mbetura për t'i veshur ato.
Bashir tha se shitjet kanë rënë gati përgjysmë. “Blerja e veshjeve të dasmës dhe veshjeve tradicionale nuk është më prioritet për njerëzit”, tha ai. "Njerëzit mendojnë më shumë për të blerë ushqim dhe për të mbijetuar".
Një tjetër pronar dyqani, Hakim, i dha formë fletës së aluminit në kokat e kukullave të tij.
"Kam krijuar një mundësi nga ky kërcënim dhe ndalim, dhe e bëra në mënyrë që kukullat në vitrinë të jenë edhe më tërheqëse se më parë”, tha ai.
Një tjetër pronar dyqani, Aziz, tha se agjentët e ministrisë patrullojnë rregullisht nëpër dyqanet dhe qendrat tregtare, për t'u siguruar që kukullave ose u janë hequr kokat ose u janë mbuluar. Ai nuk pranoi justifikimin e talibanëve. “Të gjithë e dinë se kukullat nuk janë idhuj dhe askush nuk do t'i adhurojë ato. Në të gjitha vendet myslimane, ato përdoren për t'i ekspozuar rrobat”.
Talibanët fillimisht thanë se nuk do të impononin të njëjtat rregulla të ashpra mbi shoqërinë, siç bënë gjatë herës së fundit që qëndruan në pushtet, nga viti 1996 deri më 2001. Por, në mënyrë të vazhdueshme, ata vendosën shumë kufizime, veçanërisht për gratë, që duhet ta mbulojnë fytyrën kur janë jashtë.
“Kur i shoh, ndiej se edhe këto kukulla janë kapur dhe bllokuar, dhe më vjen një ndjenjë frike”, tha Rahima, një grua që gjithashtu dha vetëm emrin e saj. “Më duket sikur e shoh veten pas këtyre vitrinave, një grua afgane së cilës i janë privuar të gjitha të drejtat e saj”.