Zyrtarët afganë kanë njoftuar se talibanët kanë marrë nën kontroll një vendkalim të madh kufitar midis Afganistanit dhe Iranit.
Disa pamje të publikuara kanë treguar sesi forcat e talibanëve e heqin flamurin afgan nga çatia e zyrës doganore kufitare.
Vendkalimi kufitar - Islam Qala - është një nga pikat doganore më të mëdha me Iranin, që siguron rreth 20 milionë dollarë të ardhura mujore për qeverinë, raporton BBC.
Të premten (9 korrik) Qeveria e Afganistanit pranoi humbjen e kontrollit në kalimin kufitar Islam Qala.
"Të gjitha forcat afgane të sigurisë duke përfshirë njësitë kufitare janë të pranishme në zonë dhe po vazhdojnë përpjekjet për të rimarrë kontrollin", i tha agjencisë së lajmeve AFP, zëdhënësi i ministrisë së brendshme, Tareq Arian.
SHIKONI EDHE: Biden mbron vendimin për tërheqje nga AfganistaniTalibanët po shtrijnë kontrollin me shpejtësi në të gjithë Afganistanin derisa forcat e huaja përfshirë ato të Shteteve të Bashkuara po largojnë edhe ushtarët e fundit nga ky vend. Llogaritet se talibanët tani kontrollojnë më shumë se një të tretën e 400 qarqeve të vendit.
Misioni ushtarak 20-vjeçar i SHBA-së dhe NATO-s në Afganistan po mbaron, por dhuna në këtë vend vazhdon të përshkallëzohet, pasi çdo ditë raportohet për luftime mes forcave qeveritare dhe talibanëve.
Sipas një marrëveshjeje me grupin militant, të arritur në Doha, SHBA-ja dhe aleatët e saj të NATO-s kanë rënë dakord që t’i tërheqin të gjitha trupat, në këmbim të angazhimit të talibanëve për të mos lejuar Al Kaidën ose ndonjë grup tjetër ekstremist, të veprojë në zonat që ata kontrollojnë.
SHBA-ja dhe forcat aleate janë futur në Afganistan në vitin 2001, pas sulmeve terroriste të Al Kaidës në SHBA, më 11 shtator, 2001.
SHIKONI EDHE: Afganistani mund të përfshihet në luftë civile, paralajmëron gjenerali britanikPresidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se misioni ushtarak amerikan në Afganistan do të përfundojë më 31 gusht.
Të enjten (8 korrik), Biden, duke folur për tërheqjen e trupave amerikane pas gati 20 vjetësh, tha se "udhëheqësit afganë duhet të bashkohen dhe të drejtojnë vendin drejt një të ardhmeje".
"Ne nuk shkuam në Afganistan për shtet-ndërtim", tha presidenti amerikan.