Taksa rrit çmimet e barnave

Fotografi nga arkivi.

Ngjashëm me tregun e mallrave në përgjithësi, edhe tregu i barnave në Kosovë po pëson ndryshime si pasojë e tarifës doganore. Qeveria e Kosovës, që nga nëntori i vitit të kaluar ka marrë vendim që të rrisë në 100 për qind taksën doganore për produktet e importuara nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina. Në këto produkte hyjnë edhe barnat.

Importet e barnave nga Bosnje e Hercegovina ishin më të mëdha krahasuar me importet nga Serbia. Aktualisht këto barna, sipas profesionistëve të kësaj fushe, po zëvendësohen me importe nga shtetet tjera, por edhe me prodhime vendore. Ndërkaq, efekti kryesor është rritja e çmimeve.

Farmacistët në vend thonë se importet e barnave nga Serbia e Bosnja, mund të zëvendësohen pasi që ato, sipas tyre, nuk janë jetike dhe si të tilla nuk përbëjnë problem të madh.

Ajo çka është vërejtur që nga vendosja e taksës, thotë për Radion Evropa e Lirë, Alban Desku, farmacist, është se janë ngritur çmimet e barnave në mënyrë artificiale, e që përmend barnat e Bosnje e Hercegovinës ku të gjitha janë ngritur për shtatë për qind, në çmimin e blerjes nga furnitorët.

Ndërkaq, në treg, si shembull përmend një nga barnat që përdoret për rregullimin e tensionit të gjakut, i cili nga 2 euro e 50 cent sa mesatarisht ka kushtuar para taksës, tani mund të blihet me një çmim prej 4 euro e 20 cent.

“Ne asnjëherë nuk kemi pasur varësi nga këto shtete. Ka molekula që shumicën e tyre i kemi pasur edhe në Kosovë. Janë barna gjenerike dhe nuk mund të them se është ndier ndonjë nevojë për barnat nga këto dy shtete që tashmë iu është vënë taksa 100 për qind nga Kosova”.

“Por, çmimet e barnave janë rritur. Kjo po ndodh si mungesë e Ligjit për rregullimin e çmimit të barnave. Pra, distributorët e autorizuar për import të barnave i kanë rritur, ndonëse prej kur është vu taksa ata nuk kanë importuar barna. Por megjithëkëtë ata i kanë ngritur çmimet”, tha Desku.

SHIKONI EDHE: Treg i pakontrolluar i barnave në Kosovë

Ndërkaq shefi i Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale, Arianit Jakupi bëri të ditur se si kjo Agjenci nuk ka bërë ende ndonjë analizë për atë se pse ose a janë rritur çmimet e barnave në treg.

“Sa i përket çmimeve nuk kam ndonjë analizë të saktë se a janë rritë ose jo çmimet nëpër barnatore, por ajo që mund të them është se këto produkte janë gjenerike dhe kanë alternativa terapeutike të regjistruara dhe nuk ka pasur ndonjë raportim për mungesë të barnave nga të dyja shtetet”.

“Produktet që hyjnë tash e tutje me taksë 100 për qind, normalisht që mund të kenë çmime më të larta, por pacientët e kanë mundësinë e zgjedhjes së produktit të zëvendësueshëm. Megjithëkëtë unë nuk kam ndonjë informacion se sa është bërë import nga këto dy shtete prej se është vu taksa nga shteti i Kosovës”, tha Jakupi.

SHIKONI EDHE: Barnat e kontrabanduara, me afat të skaduar dhe të rrezikshme

Albatrit Matoshi, këshilltar për media i ministrit të Shëndetësisë, Uran Ismaili, i tha Radios Evropa e Lirë se nuk duhet të ketë asnjë shqetësim rreth disponueshmërisë së këtyre barnave në sektorin farmaceutik, meqë të gjitha barnat janë të zëvendësueshme. Ai gjithashtu shton se nuk ka pasur as ndonjë ankesë për mungesë barnash nga këto shtete nga institucionet publike shëndetësore.

‘’Pas hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për vendosjen e taksës 100 për qind, është bërë një analizë etë gjitha barnave të regjistruara nga prodhuesit të cilët vijnë nga Bosnja dhe Serbia. Pas kësaj analize, është vërtetuar se barnat të cilat vijnë nga këto dy vende, janë produkte gjenerike dhe të cilat kanë paralele dhe zëvendësime të regjistruara nga prodhuesit vendor apo prodhues të tjerë”, tha Matoshi.

Sidoqoftë, Kosova rreth 20 vjet është furnizuar me barna nga Bosnja dhe dy vjet nga Serbia, meqë barnat e shtetit serb janë regjistruar së voni, pasi që me vite nuk janë importuar.