Çka është taksa për produktet menstruale dhe cilat vende e kanë hequr atë?

Kalendari i menstruacioneve, ku shihen tampona pambuku dhe peceta higjienike. Fotografi ilustruese.

Reuters

Më shumë se një e katërta e grave dhe vajzave me menstruacione në mbarë botën - rreth 500 milionë – kanë vështirësi për t’i menaxhuar periodat e tyre, shpesh për shkak se nuk mund t’i përballojnë [ekonomikisht] këto produkte të domosdoshme higjienike, sipas Bankës Botërore.

Shqetësimi për "varfërinë menstruale" ka nxitur fushata globale që bëjnë thirrje për t'i dhënë fund të ashtuquajturës taksë për produktet menstruale, e cila u referohet taksave të konsumit, si taksa mbi vlerën e shtuar (TVSH), që shumica e vendeve kanë të vendosur për këto produkte.

Në disa vende, produktet menstruale konsiderohen artikuj jo-esencialë, ndërsa artikujt, përfshirë letrën higjienike, prezervativët dhe ilaçet pa recetë, nuk taksohen ose taksohen me një tarifë më të ulët.

Ja çfarë duhet të dini për produktet menstruale në mbarë botën:

Cilat vende e kanë hequr taksën për produktet menstruale?

Që nga koha kur Kenia u bë vendi i parë që hoqi TVSH-në për produktet menstruale, në vitin 2004, të paktën 17 vende e kanë ndjekur këtë shembull, sipas një studimi nga Fondacioni Thomson Reuters.

Ndër vendet e fundit që miratuan ligje për heqjen e kësaj takse janë Meksika, Britania dhe Namibia.

Dhjetë vende të tjera i kanë klasifikuar produktet higjenike si mallra të përjashtuara nga taksa, ose lëndën e parë, e cila importohet, dhe më pas përdoret për prodhimin e tyre, nuk e taksojnë.

Your browser doesn’t support HTML5

Me peticion kundërshtohet ‘pasurimi’ i shtetit përmes produkteve menstruale

Edhe pse Tanzania dhe Nikaragua gjithashtu kishin hequr taksën për produktet mesntruale, të dyja vendet e rikthyen atë në 2019.

Kryesisht në Evropë, 17 vende kanë ulur TVSH-në për produktet higjenike, dhe Italia është vendi i fundit që e ka bërë këtë gjatë këtij viti.

Në 2022, Bashkimi Evropian e rishikoi një direktivë që më parë lejonte vetëm shtetet anëtare të reduktonin TVSH-në për produktet higjenike në 5 për qind. Ndryshimi do të thotë se shtetet tani mund të aplikojnë norma më të ulëta tatimore për disa mallra.

Në Kenia, shpërndarja falas e produkteve menstruale nëpër shkolla përfshihet në buxhetin vjetor, megjithëse aktivistët thonë se furnizimi është i mangët.

Nxënëseve në Afrikën e Jugut, Botsvana dhe Zambia u ofrohen këto produkte falas.

Pse disa vende nuk janë të gatshme ta heqin taksën për produktet menstruale?

TVSH-ja është një burim i rëndësishëm i të ardhurave për qeveritë – dhe arsyeja pse shumë vende e mbajnë ende taksën për produktet menstruale. Në vendet që i përkasin Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), në vitin 2020, të ardhurat nga TVSH-ja ishin 6.7 për qind të prodhimit të tyre të brendshëm bruto (GDP).

Vlerat e TVSH-së ndryshojnë shumë nga vendi në vend - nga 5 për qind në Kanada në deri në 27 për qind në Hungari - dhe qeveritë shpesh kanë përkufizime të ndryshme për kategorizimin e një produkti si esencial, i cili përjashtohet nga taksa.

Në shumë shtete në SHBA produktet menstruale ende kanë një taksë të përgjithshme (GST), e ngjashme me TVSH-në, që vihet për të gjitha mallrat dhe shërbimet e konsumit, tha Laura Strausfeld, drejtoreshë ekzekutive në Period Law, organizatë joqeveritare që bën ligje dhe politika për t'i dhënë fund taksës për produktet menstruale në Shtetet e Bashkuara.

Disa shtete të tjera të SHBA-së nuk e kanë një taksë të tillë.

SHIKONI EDHE: Taksa e pabarazisë gjinore

Avokuesit thonë, gjithashtu, se në vendet ku menstruacionet janë temë tabu, ligjvënësit dhe politikëbërësit tregojnë pak interes për të filluar debatin rreth përballueshmërisë së produkteve menstruale.

Çka vjen më pas?

Në Shtetet e Bashkuara, avokuesit thonë se ka një vullnet politik në rritje për të hequr taksën për produktet menstruale, në shtetet ku ajo është ende e vendosur, si Teksasi, ku një projektligj për ta hequr atë u votua në parim gjatë muajit mars.

“Kanë mbetur 22 shtete [në SHBA] që kanë ende taksë në produktet menstruale dhe të gjitha janë në rrugë për heqjen e saj”, tha Strausfeld.

Nga Kili në Republikën Çeke ka përpjekje të vazhdueshme për ta ulur taksën, si dhe për t'i shpërndarë falas nëpër shkolla këto produkte.

Disa avokues të të drejtave të grave thonë se shpërndarja falas e produkteve menstruale mund të jetë përfundimisht mënyra e vetme për të siguruar qasje në peceta higjenike dhe tamponë.

Në vitin 2022, Skocia u bë vendi i parë që i bëri këto produkte falas dhe të disponueshme në vende të caktuara publike, si qendrat komunitare, klubet rinore dhe farmacitë.

Përgatiti: Erjonë Popova