Masa që ndryshoi tregun në Kosovë
Para 21 nëntorit të vitit 2018 – kur dhe u vendos taksa 100 për qind – Serbia eksportonte mallra në Kosovë në vlerë prej mbi 360 milionë euro në vit, ndërkaq Bosnjë e Hercegovina eksportonte mallra në vit në vlerë prej mbi 80 milionë eurosh. Por, që prej zbatimit të taksës, eksportet nga këto dy shtete në Kosovë kanë rënë në 6 milionë euro.
Shumica e produkteve nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina, tashmë janë zëvendësuar me produkte nga shtete të tjera të rajonit dhe Bashkimit Evropian, por edhe me produkte vendore.
Prodhuesit kosovarë kanë deklaruar se taksa u ka ndihmuar që të rritet prodhimi i produkteve “Made in Kosova”, por edhe i të punësuarve. Megjithatë, sipas afaristëve, sektori i tregtisë, ka rritur çmimet për shkak të transportit.
Gjermania dhe Turqia janë disa prej shteteve që janë shndërruar në eksportueset më të mëdha në Kosovë, që prej vendosjes së taksës. Po ashtu, është rritur edhe importi i brendeve ndërkombëtare përmes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.
Megjithëse taksa ka pamundësuar që sasi të mëdha të produkteve të hyjnë në tregun e Kosovës, produkte të Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës, mund të gjenden në dyqanet në komunat në veri të vendit.
Produkte të Serbisë gjenden edhe në Graçanicë, që gjendet rreth 10 kilometra në lindje të Prishtinës. Autoritetet në Kosovë kanë deklaruar se kanë shtuar masat për të parandaluar kontrabandën e mallrave, kryesisht në pjesën veriore të vendit. Drejtori i Doganës së Kosovës, Bahri Berisha, thotë se ka tentime që të futen mallra në Kosovë nga pjesa malore në veri të vendit, por sipas tij, këto mallra janë në sasi të vogël.
Vendosja e taksës prej 10 dhe më pas në 100 për qind, zemëroi Beogradin zyrtar. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq ka thënë se do të kthehet në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve reciproke– që ndërmjetësohet nga Brukseli – vetëm kur Prishtina zyrtare të heqë taksën.
Lëvizja Vetëvendosje – fituesja e zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit – dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, parti këto që po mëtojnë të formojnë koalicionin e ardhshëm qeverisës kanë paralajmëruar mundësinë që taksa të zëvendësohet me masën e reciprocitetit të plotë. Kjo gjë është kundërshtuar nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili ka insistuar se taksa duhet të hiqet në këmbim të njohjes së Kosovës nga Serbia.