Osmani dekoron Kosnettin për kontributin në Kosovë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në takim me ambasadorin në largim të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, 13 shtator, 2021.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dekoroi ambasadorin në largim të Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, për “kontributin e dhënë në ndërtimin e paqes dhe zhvillimit të demokracisë” në Kosovë.

Osmani priti të hënën në takim lamtumirës Kosnettin.

Në një komunikatë të lëshuar nga zyra e saj thuhet se palët diskutuan për raportet strategjike mes dy vendeve dhe zhvillimin gradual të tyre “me një dinamikë të re premtuese”.

“Në këtë kontekst u apostrofua vendimi i fundit i insitucioneve kosovare për mikëpritjen e qytetarëve afganë, angazhimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në misione paqeruajtëse krah ushtrisë amerikane, si dhe angazhimi aktiv i Kosovës në luftën kundër terrorizmit”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca e Kosovës.

SHIKONI EDHE: Kosnett: Marrëveshje gjithëpërfshirëse nuk arrihet pa kompromise

Mandati trevjçar i Kosnettit përfundon në fund të vitit.

Ambassador i ri i SHBA-së në Kosovë është emëruar Jeffrey M. Hovenier, por ai duhet të konfirmohet nga Senati amerikan.

SHIKONI EDHE: Presidenti Biden nominon Jeffrey M. Hovenier për ambasador në Kosovë