I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë - Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se preferon rrugën diplomatike për heqjen e barrikadave në veri dhe jo përmes buldozerëve.
Ai i ka bërë këto deklarata pas një takimi që ka zhvilluar në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
“Kam pasur diskutim të gjatë me [kryeministrin e Kosovës, Albin] Kurtin. Nuk do t’i bëj publike detajet, sepse jam në mes të misionit dhe do ta vazhdoj vizitën nesër në Beograd. Do të takohem me komandantin e KFOR-it dhe atë të EULEX-it sonte, për të parë vlerësimin e tyre për situatën në terren, dhe më pas do të tentojmë të gjejmë zgjidhjet e mundshme, sepse kjo gjë nuk është e mirë. Unë nuk mendoj se kemi llogari që të presim për të ndodhur diçka e keqe. Tensionet nuk i ndihmojnë askujt dhe nuk mendoj që ndonjë njeri normal është i lumtur me këtë situatë në veri”, ka thënë ai para gazetarëve.
Ndërsa, Escobar ka thënë se tensionet në veri të Kosovës, plani franko-gjerman dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe, kanë qenë ndër temat e diskutimit me Kurtin. Ai ka theksuar se shpreson në një zgjidhje të shpejtë të krizës në veri.
"Duhet të fillojmë të flasim për zbatimin e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe], e kam bërë shumë të qartë këtë", ka deklaruar ai.
Escobari dhe Lajçaku do ta takojnë nesër edhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, thuhet në njoftimin e presidencës serbe.
Më 12 dhjetor, kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka thënë se i ka kërkuar Lajçakut që të vizitojë rajonin e Ballkanit me qëllim të ofrimit të ndihmës për ulje të tensioneve në veri.
Kurti është takuar me Escobarin edhe një ditë më parë, dhe sipas Zyrës së kryeministrit, palët kanë biseduar për nevojën e heqjes së menjëhershme të barrikadave në veri.
Më të dërguarin amerikan është takuar edhe presidentja e vendit, Vjosa Osmani, si dhe liderët e partive opozitare në Kosovë.
Bashkë me Esobarin në Kosovë ishte paraparë që të vinte edhe këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, i cili anuloi vizitën në disa shtete të Ballkanit dhe në Bruksel, pasi doli pozitiv me sëmundjen COVID-19.
SHIKONI EDHE: Osmani dhe Kurti diskutojnë me Escobarin për zhvillimet e fundit në KosovëVizita e tyre vjen në kohën kur situata në veri të Kosovës - zonë e banuar me shumicë serbe - është e tensionuar.
Gjashtë barrikadat e ngritura më më 10 dhjetor, bllokuan rrugët që çojnë drejt pikave kufitare me Serbinë, Jarinjë dhe Bërnjak.
Ky veprim i serbëve lokalë erdhi pasi Policia e Kosovës arrestoi ish-zyrtarin serb të këtij institucioni, Dejan Pantiq, nën dyshimet se ka organizuar “sulm terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri të Kosovës. Ndaj u caktua një muaj paraburgim.
Më 12 dhjetor Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësim të thellë për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe bënë thirrje për çmontimin e menjëhershëm të barrikadave të ngritura në veri të Kosovës nga serbët lokalë.
Të dielen, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se pret që KFOR-i t’i largojë barrikadat nga veriu.
- Për më shumë rreth zhvillimeve në veri, përcilleni blogun e Radios Evropa e Lirë.