Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, tha se Kosova dhe Serbia nuk kanë arritur marrëveshje për çështjen e targave dhe dokumenteve serbe gjatë rundit të ri të dialogut të mbajtur më 18 gusht në Bruksel.
Por, ai tha se palët janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet në ditët në vazhdim.
“Nuk kemi një marrëveshje sot, por ky nuk është fundi. Të dy liderët janë pajtuar që procesi ka nevojë që të vazhdojë dhe se diskutimet do të rinisin në ditët në vijim. Ka ende kohë deri në shtator. Unë nuk heq dorë”, tha Borrell.
Borrell tha se takimet e sotme në Bruksel midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, me ndërmjetësimin e BE-së, nuk ishin "takime të zakonshme", por "takime për menaxhimin e krizës".
Diskutimet në Bruksel vijnë tri javë pas rritjes së tensioneve në veri të Kosovës, teksa serbët ngritën barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht për të kundërshtuar vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe. Barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit dhe Qeveria e Kosovës shtyu zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator.
Your browser doesn’t support HTML5
"Nuk është koha për rritjen e tensioneve"
Borrell tha se tensionet në veri të Kosovës erdhën në kohën kur kontinenti evropian po përballet me një situatë të rrezikshme për shkak të pushtimit rus të Ukrainës.
"Kjo nuk është koha për rritjen e tensioneve. Është koha të shikohet të gjenden zgjidhje dhe të zgjidhen mosmarrëveshjet e kahmotshme", tha Borrell.
Kurti dhe Vuçiq, me ndërmjetësimin e Borrellit dhe të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, gjatë 18 gushtit zhvilluan dy takime.
Po ashtu, para takimit të parë trepalësh dhe pas tij, BE-ja ka mbajtur takime të ndara me delegacionin e Kosovës dhe Serbisë.
Dallime për "statusin final të raporteve" midis Kosovës dhe Serbisë
Borrell tha se gjatë takimeve është biseduar për marrëveshjen gjithpërfshirëse për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë dhe shtoi se Kurti dhe Vuçiq e kuptuan se dialogu është e vetmja alternativë për të zgjidhur problemet.
"Ne po ashtu u përqendruam për rrugën përpara drejt normalizimit gjithëpërfshirës midis Kosovës dhe Serbisë. Të dy liderët patën mundësi që të tregonin në detaje lidhur me këtë marrëveshje gjithëpërfshirëse, teksa tensionet aktuale në terren janë simptoma të problemit më të gjerë të statusit të pazgjidhur të raporteve", theksoi Borrell gjatë një konference për media në Bruksel.
Shefi i diplomacisë së BE-së tha se çështja e normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është e vendosur lart në agjendën e tij.
“Sigurisht që ka dallime në pikëpamjet e tyre se si do të jetë statusi final i raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Por, ata u pajtuan të vazhdojnë diskutimet në baza të rregullta në të ardhmen, në mënyrë që të lëvizet më shpejt me procesin e normalizimit", tha ai.
Kurti "propozoi kapituj" për kornizën e marrëveshjes
Ndërkaq, Qeveria e Kosovës përmes një deklarate tha se në Bruksel u diskutua për dy tema përkatësisht për kornizën e përgjithshme të marrëveshjes me Serbinë dhe për vendimet për targat dhe dokumentet serbe.
“Kryeministri Kurti theksoi që kjo marrëveshje duhet të jetë ligjërisht e obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Ai prezantoi disa kapituj me elemente përkatëse që duhet t’i përmbajë kjo kornizë", u tha në deklaratën e Qeverisë.
"Tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat kryeministri Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vendin tonë si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim”, shtoi ekzekutivi i Kosovës.
Në Bruksel, Borrell përsëriti qëndrimin e BE-së se liderët e Kosovës dhe Serbisë do të mbahen përgjegjës për çdo përshkallëzim të situatës në terren.
SHIKONI EDHE: BE-ja fton Kosovën dhe Serbinë që t’i japin fund "menjëherë" retorikës nxitësePresidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ende nuk është prononcuar për mediat pas takimeve të sotme në Bruksel.
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, u tha gazetarëve se Vuçiq do të qëndrojë në Bruksel edhe për një kohë dhe se do t'i drejtohet publikut serb të premten, më 19 gusht, në Beograd.
"Ajo që është e rëndësishme është që ne luftuam për paqe, për stabilitet, për zgjidhje kompromisi", tha Petkoviq.
Teksa në Bruksel po mbaheshin takime në kuadër të dialogut, Vuçiq thirri një takim me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, i cili do të mbahet të dielën, më 21 gusht, në Beograd, raportojnë mediat beogradase.
Kjo ishte hera e parë që brenda një dite u mbajtën dy takime trepalëshe në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit.
Në ndërtesën e BE-së, edhe Escobar
Në ndërtesën e BE-së ku është zhvilluar dialogu ka qëndruar edhe i dërguari i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
Kujtojmë se pala amerikane nuk merr pjesë në dialog, por SHBA-ja mbështet plotësisht përpjekjet e BE-së në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Ky ishte takimi i tretë midis Kurtit dhe Vuçiqit në Bruksel, pasi në qershor dhe korrik të vitit 2021, dy takimet kishin përfunduar pa ndonjë rezultat.
Para nisjes së takimeve trepalëshe, Borrell kishte thënë se pret nga palët fleksibilitet.
Ndërkaq, presidenti i Serbisë, pas takimit me Borrellin deklaroi se ka shpresë se do të arrihet ndonjë zgjidhje, por shtoi se është “skeptik”.
Pse tensione?
Takimet në Bruksel u thirrën pasi serbët lokalë më 31 korrik dhe 1 gusht vendosën barrikada si shenjë pakënaqësie ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për zbatim të dy vendimeve: për targat e makinave dhe dokumentet serbe.
Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për lëvizje të lirë prej vitit 2011.
Serbia e ka zbatuar atë menjëherë.
Kosova e ka zbatuar më 1 gusht - për pak orë - pikën për dokumentin për hyrje/dalje dhe e ka shtyrë zbatimin e vendimit për 1 shtator, me qëllim të uljes së tensioneve në veri.
Ndërkohë serbët i kanë hequr barrikadat.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë kërkuar po ashtu një shtyrje të tillë, ndonëse kanë thënë se Kosova ka të drejtë të zbatojë këto vendime.
Your browser doesn’t support HTML5
Takimet me Stoltenbergun dhe Escobarin
Më 17 gusht, Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar takime ndarazi me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe më vonë me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, si dhe të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.
SHIKONI EDHE: Kurti insiston në reciprocitet me SerbinëKurti ka thënë para mediave se në takim me Lajçakun dhe Escobarin është diskutuar për “elemente të kornizës për marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, që duhet të ketë në qendër njohjen reciproke, si dhe për çështjet aktuale”.
“Pritet të trajtohen të gjitha marrëdhëniet bilaterale, me të gjitha vështirësitë dhe pengesat”, ka thënë ai duke iu referuar takimit të së enjtes.
Kurti ka insistuar që Kosova është për reciprocitet me Serbinë.
I pyetur nëse ka mundësi që Kosova të shtyjë sërish zbatimin e vendimeve për targat dhe dokumentet serbe, kryeministri Kurti, ka thënë se “ne po diskutojmë për zgjidhje, jo për shtyrje”.
“Nuk është se e kemi bërë shtyrjen që të bëjmë edhe shtyrje tjera. Shtyrja është bërë më 31 korrik për datën 1 shtator, dhe me atë rast kemi dëshmuar - me datën 1 gusht - se nuk konfiskojmë dokumente, siç ka qenë fushata e dezinformimit. Në anën tjetër, është e mundshme që më 1 shtator nuk do të lëshojmë dokumente, sepse edhe Serbia do të heqë dorë prej lëshimit të dokumenteve në vendkalimet kufitare me Kosovën. Ne dëshirojmë marrëdhënie reciproke”.
Your browser doesn’t support HTML5
Lajçak ka thënë se dëshiron që në takimin e 18 gushtit të ketë marrëveshje, por nuk e ka specifikuar se për çka.
Ai ka thënë se përmes dialogut dëshiron që më 1 shtator të shmanget situata e tensionuar e 31 korrikut.
Pas takimeve me dy zyrtarët, Vuçiq ka thënë se ka rikonfirmuar “vendosmërinë e Serbisë për të bërë gjithçka që të ruajë paqen dhe stabilitetin në gjithë rajonin, si dhe të arrijë zgjidhje kompromisi përmes dialogut, pa presion dhe ultimatume”.
Presidenti serb, Vuçiq, ka deklaruar disa herë para mediave se do të kërkojë që më 18 gusht të diskutohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.
Escobar ka thënë më 17 gusht se në takim me Kurtin është diskutuar edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Sipas tij, Asociacioni duhet të formohet në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës.
“Ne mendojmë se brenda Evropës ekzistojnë mjaft modele që mund të përdoren për të gjetur një zgjidhje stabile dhe produktive për të gjitha palët e përfshira”.
SHIKONI EDHE: Modelet evropiane që mund të përdoren për AsociacioninSerbia kërkon që Kosova të zbatojë Marrëveshjet e arritura për çështjen e Asociacionit. Por, Qeveria e Kosovës është deklaruar kundër një asociacioni njëetnik.
Kosova dhe Serbia kanë marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe më pas më 2015 mbi parimet për themelimin e tij.
Po më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën.
Çfarë parasheh Asociacioni?
Asociacioni i komunave me shumicë serbe parashikohet që të mbledhë rreth vetes dhjetë komuna në Kosovë të banuara me shumicë serbe: Mitrovicë e Veriut, Kllokot, Partesh, Ranillug, Graçanicë, Zveçan, Zubin Potok, Novobërdë, Leposaviq dhe Shtërpcë.
Sipas marrëveshjeve, Asociacioni ka për qëllim të përfaqësojë interesat kolektive të këtyre komunave, veçmas në fushën e arsimit, shëndetësisë, planifikimit urban dhe rural si dhe të ekonomisë.
Marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin thekson se ai do të krijohet me statut dhe strukturat e tij, mbi bazën e statutit të Asociacionit të komunave të Kosovës.
Po ashtu thuhet se Asociacioni do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore dhe që do të ketë një rol përfaqësimi tek autoritetet qendrore.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 për parimet për krijimin e Asociacionit, objektivat kryesorë të Asociacionit janë: ushtron vështrimin e plotë për zhvillimin e ekonomisë lokale; ushtron vështrimin e plotë në fushën e arsimit; ushtron vështrimin e plotë për përmirësimin e shëndetësisë lokale primare e sekondare dhe përkujdesjen sociale; ushtron vështrimin e plotë për koordinimin e planifikimit urban dhe rural; aprovon masa për përmirësimin e kushteve lokale të jetesës për të kthyerit në Kosovë; zhvillon, koordinon, lehtëson aktivitete hulumtuese dhe zhvillimore; promovon, shpërndan, dhe avokon për çështjet me interes të përbashkët të anëtarëve të tij dhe i përfaqëson ata përfshirë tek autoritetet qendrore; vendos marrëdhënie dhe hyn në marrëveshje bashkëpunimi me asociacionet tjera të komunave, vendore dhe ndërkombëtare, etj.
Si janë komentuar tensionet në veri?
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka thënë të mërkurën se i takon Beogradit dhe Prishtinës që të shmangin përshkallëzimin e situatës dhe se misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, është duke vëzhguar situatën dhe është i gatshëm të intervenojë në rast të destabilizimit.
SHIKONI EDHE: Stoltenberg: KFOR-i i gatshëm të intervenojë nëse rrezikohet siguriaKryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 8 gusht se ka pasur rrezik për përshkallëzim të situatës në konflikt të armatosur", për shkak të frikës së injektuar nga Beogradi dhe për shkak të planeve të bëra në Rashkë dhe në Beograd”.
Në këto dy qytete janë zhvilluar takime mes zyrtarëve shtetërorë të Serbisë dhe përfaqësuesve të serbëve të Kosovës në ditën e barrikadave në veri.
Presidenti serb, Vuçiq, ka thënë se ka informacione për plane të Kosovës që të “likuidojë” serbët në veri.
Pesë vjet bllokadë
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur 11 vjet më parë.
Deri më tani janë arritur më shumë se 20 marrëveshje në fushat si ajo e energjisë, telekomunikacionit, drejtësisë, doganave, lirisë së lëvizjes, por jo të gjitha janë zbatuar.
Deri në vitin 2018, dialogu është udhëhequr në kombinime të ndryshme nga ish-kryeministrat e Kosovës, Hashim Thaqi dhe Isa Mustafa dhe ish-kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiq dhe presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Robert Cooper, diplomat britanik në pension, ka qenë ndërmjetësues në negociatat ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kur Catherine Ashton ka qenë Përfaqësuese e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri.
Dialogu është ndërprerë më 2018 dhe ka rifilluar më 2020.
Në nëntor të vitit 2018, ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pati vënë taksë 100 për qind në mallrat serbe.
Për këtë arsye Serbia nuk ka dashur të kthehet në tavolinën e bisedimeve, derisa Kosova ka refuzuar të anulojë taksën.
Më 2019, dialogu është ndërmjetësuar nga shefja e atëhershme e diplomacisë evropiane, Federica Mogherini.
Një vit më pas, BE-ja ka emëruar Miroslav Lajçak-un si ndërmjetësues të posaçëm në dialog.
Po atë vit, Shtetet e Bashkuara e kanë emëruar Richard Grenellin si të dërguarin e tyre për këtë proces.
SHIKONI EDHE: Dialogu Kosovë-Serbi që nuk po përfundonMegjithatë dialogu nuk ka vazhduar, pasi në tetor të vitit 2019 janë mbajtur zgjedhjet në Kosovë – të cilat i ka fituar Albin Kurti – si dhe BE-ja ka zgjedhur zyrtarët e rinj.
Më 1 dhjetor të vitit 2019, Mogherini është zëvendësuar nga spanjolli, Josep Borrell.
Pasi Kurti është zgjedhur kryeministër i Kosovës, dialogu ka vazhduar më 2021, ndonëse ai ka takuar Vuçiqin vetëm dy herë.
Banorët e kryeqyteteve Kosovës dhe Serbisë - Prishtinës dhe Beogradit - besojnë se një marrëveshje mes dy shteteve është e mundur, por janë të vetëdijshëm se rruga drejt saj është e vështirë.
Në vjeshtën e vitit 2020, kur dialogu politik ishte ende i pezulluar, sondazhet patën treguar se qytetarët nuk besojnë vërtet në dialog dhe dinë shumë pak për të.
Your browser doesn’t support HTML5
Epilogu i dialogut?
Kosova insiston që dialogu për normalizim të marrëdhënieve të përmbyllet me njohje reciproke në mes të të dyja vendeve.
Serbia, në anën tjetër kërkon zgjidhje kompromisi.
Bashkimi Evropian ka thënë se përparimi në dialog është kyç për avancim në rrugën drejt anëtarësimit në bllokun evropian.
Serbia ka aplikuar zyrtarisht për anëtarësim në BE në vitin 2009. Në mars të vitit 2012, asaj i është dhënë statusi i kandidatit.
Kosova ka të nënshkruar vetëm Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok.