Kurti: Bisedimet në Bruksel nuk kanë qenë të padobishme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë të mërkurën se është i gatshëm për takime në kuadër të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë - të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian - gjatë vitit 2022.

Në një konferencë për media, pas mbledhjes së fundvitit të Qeverisë së Kosovës, Kurti ka thënë se procesi i bisedimeve në Bruksel gjatë vitit 2021 “nuk ka qenë i padobishëm”.

I pyetur lidhur me atë se a do të ketë rritje të intensitetit të bisedimeve gjatë vitit pasues, Kurti ka thënë se duhet gatishmëri më e madhe edhe nga Serbia.

“Duhet të ndryshojë pakrahasimisht më shumë Serbia. Se kur zhvillohen takimet në Bruksel nuk varet prej meje, duke qenë se unë kam shprehur gatishmërinë time. Besoj që në vitin e ardhshëm do të ketë edhe ftesa përkatëse për një dialog që i kontribuon paqes së qëndrueshme”, ka deklaruar Kurti.

SHIKONI EDHE: Dialogu Kosovë-Serbi që nuk po përfundon

Ai e ka konsideruar “arritje të mirë” të dialogut marrëveshjen e përkohshme lidhur me targat e automjeteve, që ka mundësuar zhbllokimin e pikave kufitare mes dy vendeve.

Më 20 shtator 2021, Qeveria e Kosovës pati nisur zbatimin e masës së reciprocitetit në targa të makinave, që nënkuptonte se makinat e regjistruara në Serbi duhej të largonin targat e tyre në pikën e parë kufitare me Kosovën dhe të vendosnin targa të përkohshme.

Kjo masë është përcjellë me shumë pakënaqësi të serbëve lokalë, të cilët patën bllokuar pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak.

Gabim në server

Ka një problem në server. Ekipi ynë po merret me të. Ju kërkojmë ndjesë!

Ju lutemi përdoreni opsionin e kërkimit për të parë nëse gjendet diku tjetër në web

Më 30 shtator është arritur marrëveshja mes palëve në Bruksel, që parashihte largimin e bllokadave nga rrugët, largimin e njësive speciale dhe vendosjen e letrave ngjitëse në targat e automjeteve, në pjesën ku shihen simbolet shtetërore.

Kjo marrëveshje është në fuqi deri në prill të vitit 2022, kur edhe duhet të pasohet nga një marrëveshje përfundimtare.

Gjatë vitit 2021, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq janë takuar dy herë - në qershor dhe në korrik.

Në asnjërin prej këtyre takimeve nuk është arritur ndonjë marrëveshje.

Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur më 2011.