Kosova dhe Serbia pajtohen për zbatim të marrëveshjes për energjinë

Your browser doesn’t support HTML5

Çfarë thuhet në veri për pagesën e rrymës?

Për qytetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës, do të fillojë faturimi i rrymës së shpenzuar.

Kështu deklaroi kryenegociatori i Kosovës në dialogun me Serbinë Besnik Bislimi, pas arritjes së pajtimit për udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë në Bruksel më 21 qershor.

"Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës", ka shkruar Bislimi në Twitter pas takimit ndërmjet palëve nga Kosova dhe Serbia, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.

"Për normalizimin e plotë (të energjisë në veri) janë paraparë 90-100 ditë", ka thënë Bislimi gjatë një adresimi për gazetarë në Bruksel.

SHIKONI EDHE: Borrell përgëzon Kurtin dhe Vuçiqin mbi arritjen e marrëveshjes për energjinë

Qytetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok - kryesisht me shumicë serbe - nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që nga viti 1999.

Sipas këtij udhërrëfyesi, parashihet që Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës(ZRRE), t’i lëshojë licencë për furnizim kompanisë nga veriu, Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

Bislimi: Elektrosever, i nënkontraktuar nga KEDS-i

Elektrosever është një kompani me pronësi serbe, e themeluar në Kosovë dhe sipas ligjeve të Kosovës.

Sipas Bislimit, Elektrosever-i do t’i furnizojë qytetarët me energji elektrike, si dhe do t’i faturojë dhe të mbledhë pagesa.

“Marrëveshja nuk e njeh Elektrosever-in si shpërndarës, do të thotë distribuimi është monopol i KEDS-it (Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike), por KEDS-i, në bazë të marrëveshjes së vitit 2015 ia nënkontrakton katër shërbime të veta Elektrosever-it. Do të thotë e mban pronësinë, e mban monopolin, por nënkontrakton shërbimin e vendosjes së matësve të energjisë elektrike, mirëmbajtjes së matësve, jo të rrjetit, faturimin e shpenzimeve të konsumit të energjisë elektrike dhe inkasimit”, tha Bislimi.

Ai shtoi se sipas të gjitha pritjeve, tarifa do të jetë e njëjtë në të gjithë Kosovën, por “secili operator i furnizimit e ka lirinë e vet se si furnizohet me energji dhe në ç’masë arrin t’i inkasojë shpenzimet e veta”.

Bislimi tha se Elektrosever-i nuk është prodhues i energjisë, por e blen "qoftë nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), qoftë nga Ujmani apo nga një tjetër ofertues në tregun ndërkombëtar dhe pastaj ata paguhen nga inkasimet".

SHIKONI EDHE: Një liqen, dy shtete

Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshje për energjinë më 2013, por ajo kurrë nuk ishte zbatuar në tërësi.

I dërguari i Posaçëm i BE-së për Dialogun, Miroslav Lajçak, ka thënë se dakordimi për zbatimin e marrëveshjes për energjinë është "një hap i madh përpara".

Petkoviq: Të gjitha afatet nisin nga momenti kur Elektrosever merr licencën

Kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq, tha se Prishtina ka refuzuar të flasë për energjetikën dhe se Beogradi e ka “detyruar” atë jo vetëm të flasë, por edhe të pajtohet për këtë çështje.

Udhërrëfyesi, sipas tij, përfshin një sërë hapash, afatesh dhe përgjegjësish për të dyja palët.

Të gjitha afatet nisin nga momenti kur Elektrosever merr licencën për furnizim, tha Petkoviq.

“Elektrosever do të kryejë edhe shërbime të rëndësishme të shpërndarjes - ajo që kemi kërkuar dhe në të cilën kemi insistuar. Elektrosever do të kryejë shërbime të shpërndarjes, si: faturim, pagesa, mirëmbajtje e rrjetit dhe lidhje fizike e konsumatorëve. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse do të thotë se kemi autonomi në furnizimin e veriut të ‘Kosovës dhe Metohisë’ me energji elektrike”, tha Petkoviq.

Petkoviq tha se pas kësaj marrëveshjeje është hapur rruga edhe për bisedime për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshjen për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson BE-ja. Zbatimi i marrëveshjes në terren, megjithatë, ka ngecur.

SHIKONI EDHE: A është shndërruar Asociacioni në kompromis?

Lista Serbe: Nuk ka pagesë retroaktive për rrymën e shpenzuar

Dakordimin për zbatimin e marrëveshjes për energji e ka mirëpritur edhe Lista Serbe, partia kryesore serbe në Kosovë.

Sipas saj, me këtë marrëveshje po parandalohet mundësia “e një ndërhyrjeje brutale në Vallaç, rrëmbimi i sistemeve tona energjetike dhe rrezikimi i furnizimit (me rrymë) të qytetarëve tanë, institucioneve dhe bizneseve”.

“Populli serb asnjëherë nuk u ka ikur obligimeve, por ne kemi kërkuar që kjo të bëhet (pagesa e faturave) në përputhje me marrëveshjen, gjegjësisht Elektrosever-it, kompania filiale e (kompanisë së Serbisë) EPS (Elektroprivreda Srbije)”, thuhet në komunikatë.

Lista Serbe, po ashtu, ka thënë që me marrëveshjen e sotme pamundësohet pagesa retroaktive për rrymën e shpenzuar deri më tani.

Nënstacioni elektrik në Vallaç është një prej pikave, e cila i furnizon me energji elektrike katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe hidrocentralin e Ujmanit (Gazivodës), si dhe i takon rrjetit të shpërndarjes së Kosovës edhe sipas Marrëveshjes së Brukselit për energjinë të vitit 2013 dhe asaj të vitit 2015.

BE-ja përshëndet dakordimin për udhërrëfyesin për energji

Bashkimi Evropian (BE) përshëndeti marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si një hap përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit , për të mirën e të gjithë qytetarëve. BE-ja inkurajoi të dyja palët që të bëjnë përparim në atë frymë dhe të bëjnë përparim të mëtejshëm në të gjitha zbatimet e tjera të pazgjidhura.

Një deklaratë e lëshuar nga Shërbimi Evropian i Veprimit të Jashtëm (EEAS) tha se udhërrëfyesi për të cilin është rënë dakord, përcaktoi një afat kohor të qartë dhe hapa konkretë për zbatimin e marrëveshjeve energjetike të 2013-s dhe 2015-s, të cilat supozohet se ishin "vetëm pjesërisht të zbatuara me elemente përkatëse që janë ende të pazgjidhura".

“Me marrëveshjen e sotme, Elektrosever, një kompani me pronësi serbe e themeluar në Kosovë dhe sipas ligjit të Kosovës, do të fillojë furnizimin me energji elektrike për konsumatorët në katër komuna me shumicë serbe në veri. Kjo hap rrugën për t'i dhënë fund praktikës jotransparente dhe të parregulluar deri më tani”, thuhet në një deklaratë të EEAS.

Konfirmohet se Bashkimi Evropian ka kërkuar nga Sekretariati i Komunitetit të Energjisë që të mbikëqyrë zbatimin teknik të marrëveshjes komerciale ndërmjet Elektrosever dhe KEDS-it, kompanisë kosovare të shpërndarjes së energjisë.

Detajet e udhërrëfyesit për zbatim të marrëveshjes

Udhërrëfyesi, për të cilin palët u dakorduan më 21 qershor, parasheh që Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës(ZRRE), t’i lëshojë licencë për furnizim kompanisë nga veriu, Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

Shtatë ditë pas licencimit, Elektrosever, përmes BE-së, do t'i sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat për konsumatorët. Dhjetë ditë pas marrjes së licencës, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshje teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun e Kosovës, në katër komunat në veri.

Brenda 15 ditësh nga nënshkrimi i marrëveshjeve teknike me KOSTT-in, Elektrosever do të pajiset me numrin e identifikimit për energji (EIC – Energy Identification Code), që të mund t’i kryejë veprimet e parapara me licencën e furnizimit.

SHIKONI EDHE: Çka parasheh udhërrëfyesi për energjinë?

Brenda 30 ditëve nga lëshimi i licencës, KEDS-i dhe KOSTT-i do të kenë qasje në nënstacionin elektrik në Vallaç dhe tek infrastruktura tjetër ekzistuese.

Po ashtu, brenda 45 ditëve nga sigurimi i licencës, KOSTT-i dhe KEDS-i, në konsultim me Elektrosever-in, do t’ia dorëzojnë ZRRE-së një plan investimi, kostot e mirëmbajtjes si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizën e infrastrukturës ekzistuese.

Marrëveshja për energji ishte arritur në vitin 2013, e pastaj ishte konfirmuar edhe në vitin 2015. BE-ja do të luajë rolin e lehtësuesit edhe në implementimin e kësaj marrëveshjeje.

SHIKONI EDHE: Për tre vjet, 40 milionë euro humbje të energjisë në veri

Takimet e së martës në kuadër të dialogut po zhvillohen vetëm dy ditë para se në Bruksel të zhvillohet një takim i liderëve të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe atyre të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.

Po ashtu, raportet mes këtij rajoni dhe BE-së, si dhe procesi i zgjerimit, do të jenë tema edhe të Këshillit Evropian që zhvillohet të enjten dhe të premten në Bruksel.

Pikërisht dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë shihet si një prej sfidave më të mëdha për rolin e Bashkimit Evropian në rajon.

Deri më tash në BE nuk kanë qenë të kënaqur me rezultatet e dialogut dhe tash kërkojnë që sa më parë të ketë progres konkret që do të çonte deri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, e cila do t’u mundësonte Kosovës dhe Serbisë përparim në realizimin e aspiratave evropiane.

SHIKONI EDHE:

Epilogu i dialogut me njohje të ndërsjellë, edhe qëllim i BE-sëVuçiq: Njohja reciproke mes Serbisë dhe Kosovës është dëshirë e BE-së, jo e SerbisëScholz me kërkesa ndaj Serbisë për njohjen e Kosovës dhe sanksione ndaj Rusisë

Arritja e marrëveshjeve ndihmon në krijimin e rrethanave për takim në nivel të lartë dhe për avancim të dialogut drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, thonë diplomatët në BE.

Mungesa e gatishmërisë nga ana e palëve për marrëveshje deri më tash është përmendur nga BE-ja si arsye pse nuk është thirrur ndonjë takim i ri i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Me përjashtim të një takimi të tyre në Berlin Kurti dhe Vuçiq në kuadër të dialogut nuk janë takuar tash e një vit.