Tajvani duhet të jetë në gatishmëri për aktivitetet ushtarake të Kinës, tha kryeministri Su Tseng-chang.
"Bota gjithashtu është dëshmitare e presionit të Kinës ndaj Tajvanit dhe shkeljeve të përsëritura të paqes rajonale", u tha ai të martën (5 tetor) gazetarëve.
Kina pretendon se Tajvani është territori i saj, i cili duhet të merret me forcë nëse është e nevojshme. Tajvani thotë se është një vend i pavarur dhe do të mbrojë liritë dhe demokracinë e tij, duke fajësuar Kinën për tensionet.
Në total gjatë katër ditëve të fundit llogaritet se rreth 150 aeroplanë ushtarakë kinezë kanë fluturuar mbi zonën e mbrojtjes ajrore të Tajvanit, rajon ky që ka raporte të mira me Shtetet e Bashkuara.
“Tajvani duhet të forcohet dhe të bashkohet. Vetëm atëherë vendet që duan të aneksojnë Tajvanin nuk do të guxojnë të përdorin lehtësisht forcën", tha kryeministri Su Tseng-chang.
SHIKONI EDHE: SHBA-ja i bën thirrje Kinës të ndalë provokimet ndaj TajvanitMë herët, Shtetet e Bashkuara thanë se janë të shqetësuara me rritjen e aktivitetit ushtarak të Kinës pranë Tajvanit.
SHBA-ja vlerëson se presioni ushtarak i Kinës kundër Tajvanit minon paqen dhe stabilitetin rajonal.
"Ne i bëjmë thirrje Pekinit të ndërpresë presionin dhe forcën ushtarake, diplomatike dhe ekonomike kundër Tajvanit", tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit, raporton Reuters.