Presidenti i Tajvanit, i hapur të punojë me Kinën për “paqe”

Presidenti i Tajvanit, Lai Ching-te. Fotografi nga arkivi.

Presidenti i Tajvanit tha se ai ende është i hapur që të punojë me Kinën për të ndërtuar “mirëkuptim të ndërsjellë dhe pajtim”. Këto deklarata, Lai Ching-te i bëri më 26 maj, disa ditë pasi Pekini kreu stërvitje ushtarake përreth ishullit vetëqeverisës në përgjigje të fjalimit të Lai gjatë ceremonisë së inaugurimit të tij si president.

Lai u betua si president të hënën dhe Kina – që pretendon se Tajvani është pjesë e territorit të saj dhe e konsideron Lain si “separatistë të rrezikshëm” – kreu stërvitje ushtarake përreth ishullit tri ditë më vonë.

SHIKONI EDHE: Shefat e mbrojtjes të SHBA-së dhe Kinës do të takohen pas tensioneve në Tajvan

Avionët luftarakë, anijet detare dhe ato të rojeve bregdetare rrethuan Tajvanin deri të premten në mbrëmje dhe analistët ushtarakë të Kinës thanë se Pekini po përgatitet për ta marrë kontrollin e ishullit vetëqeverisës.

Të dielën, Lai tha se gjatë fjalimit të tij inaugurues më 20 maj ai theksoi se “paqja dhe stabiliteti në Ngushticën e Tajvanit është element i nevojshëm për sigurinë botërore dhe prosperitetin”.

“Po ashtu i bëj thirrje po ashtu Kinës që së bashku me Tajvanin të marrë përgjegjësinë e rëndësishme të stabilitetit rajonal”, tha ai gjatë një ngjarjeje të organizuar nga partia e tij, Partia Demokratike Progresive.

“Po ashtu mirëpres forcimin e mirëkuptimit të ndërsjellë dhe pajtimit përmes këmbimeve dhe bashkëpunimit me Kinën... dhe të lëvizim përpara drejt një pozicioni të paqes dhe prosperitetit të përbashkët”.

Të dielën, dy ditë pas përfundimit të stërvitjeve ushtarake, Ministria e Mbrojtjes e Tajvanit raportoi se shtatë avionë luftarakë të Kinës, 14 anije të marinës dhe katër anije të rojeve bregdetare “kanë operuar” përreth ishullit gjatë 24 orëve të fundit.