Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla, ka thënë të mërkurën se aksioni i Policisë dhe Doganës së Kosovë kundër kontrabandimit të mallrave, është pjesë e luftës së autoriteteve të Kosovës kundër kontrabandës dhe evazionit fiskal.
Ai ka thënë se Kosova është e përkushtuar për shtet stabil dhe funksional dhe se askush nuk mund të jetë mbi ligjin dhe as mburojë e krimit.
“Aksioni i sotëm në katër rajone rezultoi i suksesshëm në konfiskimin e mallrave dhe arrestimin e personve të përfshirë në kontrabandim e tyre. Ky aksion është pjesë e luftës kundër krimit të organizuar në tërë territorin e Kosovës dhe në asnjë mënyrë nuk është i drejtuar kundër qytetarëve apo lokacioneve të caktuara”, ka thënë Sveçla në një konferencë për media.
Ai ka thënë se të mërkurën në komunat veriore ka pasur dhunë të shfrenuar nga “strukturat kriminale” që sipas tij tani janë të patolerueshme.
"Ky operacion nuk është i drejtuar kundër asnjë nacionaliteti. Ky operacion është i drejtuar kundër kriminelëve që kanë kontrabanduar mallra në mënyrë ilegale në Kosovë. Prokurorja e rastit është serbe, gjykatësi i procedurës paraprake është serb, pjesëtarët e njësisë së reagimit të shpejtë në Mitrovicë të Veriut janë shumica serbë, shumica e të arrestuarve janë shqiptarë, shumica e të kërkuarve janë shqiptarë", ka thënë mes tjerash Sveçla.
Aksioni policor më 13 tetor është zhvilluar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Policia ka thënë se në këtë aksion janë sekuestruar mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra euro, të cilat shërbejnë si prova materiale, të cilat kanë qenë të vendosura në lokacione të ndryshme, lokale afariste, magazina/depo etj”.
Policia e Kosovës ka thënë se janë arrestuar dhe ndaluar tetë persona. Ndërkaq janë shpallur në kërkim edhe dhjetë të tjerë, të cilët dyshohen se janë të përfshirë në kontrabandë me mallra.
SHIKONI EDHE: Aksioni në veri: Të lënduar, të arrestuar dhe barrikada"Dyshohet se pati rrjedhje informacioni lidhur me aksionin"
Drejtori i Policisë së Kosovës, Sabedin Mehmeti, ka thënë në të njëjtën konferencë për media se protestuesit në veri kanë hedhur bombola gazi, mjete transportuese, granata dore, shok-bomba dhe të shtëna me armë të ndryshme zjarri kundër pjesëtarëve në veri të Kosovës.
Sipas tij, në këtë aksion kanë mbetur të lënduar 10 zyrtarë policorë.
Ai ka thënë se në kuadër të aksionit ishte planifikuar të kontrolloheshin 26 lokacione në Kosovë.
Në Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan, aksioni nuk ka përfunduar në tetë lokacione, pasi zyrtarë policorë janë penguar gjatë punës.
“Dyshohet se në lidhje me operacionin ka pasur rrjedhje të informacionit. Kjo është diçka që është duke u hetuar”, ka thënë Mehmeti.
Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është pamundësuar puna të mërkurën, më 13 tetor, nga një numër protestuesish në Rudarë të Zveçanit.
Me të hyrë në Rudarë, vetura me të cilën po udhëtonte ekipi i Radios Evropa e Lirë, është ndaluar dhe është rrethuar nga rreth 50 persona, të cilët kanë kërkuar që të mos xhirohen. Në tentim për ta marrë kamerën, e kanë dëmtuar atë dhe makinën taxi, me të cilën ishte duke udhëtuar ekipi.
Ekipi ka arritur të largohet nga turma pa u lënduar.
Ekipi i REL-it po udhëtonte në magjistralen Prishtinë-Rashkë, për të raportuar për barrikadat e vendosura në Rudarë të Zveçanit.
Serbët lokalë kanë vendosur aty kamionë, për të kundërshtuar një aksion të organizuar nga Policia dhe Dogana e Kosovës kundër kontrabandës së mallrave.
SHIKONI EDHE: Ekipi i REL-it sulmohet në veri