Autoritetet kosovare e kanë hapur të martën pikëkalimin kufitar me Serbinë në Merdare, për kalimin e mallrave nga Serbia, njoftoi ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.
“Bazuar në vlerësimin e situatës së sigurisë nga ana e MPB-së, në pikëkalimin kufitar në Merdare, për mallrat me origjinë nga Serbia do të kalohet nga faza e qarkullimit të kufizuar të mallrave në fazën e qarkullimit të mallrave me kontrolle manuale të sigurisë”, tha Sveçla.
Importimi i mallrave serbe rifilloi pas vendimit të Qeverisë së Kosovës një ditë më parë për ta hequr kufizimin ndaj mallrave nga Serbia për këtë pikëkalim kufitar.
SHIKONI EDHE: Kosova heq kufizimin në Merdare për mallrat nga SerbiaSveçla shkroi në Facebook të martën se pikëkalimi në Merdar do të jetë i hapur menjëherë për të gjitha mallrat nga Serbia, por ato së pari duhet t’i nënshtrohen kontrolleve manuale të sigurisë deri në funksionalizimin e skanerëve me rreze X.
“Transportuesit e mallrave gjatë kësaj periudhe duhet të kenë parasysh këtë ndryshim dhe të bëjnë planifikimin e duhur të kohës së nevojshme për procedurat e reja të kalimit të pikës kufitare”, shkroi ai.
Visar Rexhepi, i cili transporton grurin si lëndë të parë prej Serbisë në Kosovë, është ankuar për vonesa të mëdha në pikën në Merdare, ndonëse lënda e parë ka hyrë në Kosovë edhe para 8 tetorit.
Ai u ka thënë gazetarëve se ka arritur në terminal në orën 16:00 të hënën dhe deri në orën 14:00 të së martës, nuk i ka përfunduar të gjitha procedurat.
Rexhepi i ka përmendur kontrollet e shtuara, dhe që në të kaluarën nuk ka pasur vonesa të tilla, pasi gjithçka mund të ketë përfunduar brenda 1-2 orëve.
Qeveria e Kosovës e kishte vendosur kufizimin ndaj importit të mallrave nga Serbia në korrik të vitit 2023 për arsye “sigurie”, pasi tre policë të Kosovës ishin arrestuar nga policia serbe. Megjithëse ata ishin liruar më vonë, vendimi për mallrat serbe kishte mbetur në fuqi.
Sveçla theksoi të martën se pikat tjera kufitare me Serbinë do të hapen për të gjitha mallrat “në momentin kur skanerët me rreze X bëhen funksional në ato pika kufitare”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u kërkoi të hënën ndihmë Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të Perëndimit në sigurimin e skanerëve në pikat kufitare, në mënyrë që në Kosovë të mos hyjë asgjë prej Serbisë që mund t’ia cenojë sigurinë.
Ai ka thënë se deri në sigurim të skanerëve, në Merdare do të kryhen kontrolle të rrepta.
“Ne duhet të ndërmarrim masa të sigurisë, asnjëherë masa tregtare... ne besojmë që ndryshimi i masës është mëse i mjaftueshëm që pasnesër në CEFTA, dhe të hënën në Proces të Berlinit, të kemi sukses të plotë”.
Ai e ka pranuar se masa kufizuese ka pasur efekt në tregti, por këtë fakt e ka përshkruar si “pasojë” dhe jo “qëllim” të Qeverisë.
Vendimi për heqjen e ndalesës vjen pas trysnisë me të cilën u përball Qeveria kosovare nga Gjermania në veçanti.
Në javët e fundit, Gjermania ka këmbëngulur se ndalimi i importit të mallrave nga Serbia dëmton Marrëveshjen e Tregtisë së Lirë të Evropës Qendrore (CEFTA) dhe Procesin e Berlinit, një nismë që synon të ndihmojë zhvillimin ekonomik të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor dhe t'i afrojnë ato me Bashkimin Evropian.
SHIKONI EDHE: Gjermania mirëpret heqjen e kufizimit ndaj mallrave të Serbisë në MerdareGjermania dhe Bashkimi Evropian e përshëndetën vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalesës.
Kosova është anëtare e CEFTA-s prej vitit 2007, por është e përfaqësuar përmes misionit të OKB-së në vend - UNMIK.
Kurti ka thënë të hënën se pret që në takimin e radhës, Kosova do të përfaqësohet me emrin e vet.
Qeveria e Kosovës ka kërkuar edhe në të kaluarën që emri të ndryshohet, ndërsa Gjermania ka ofruar “zgjidhjen” në këmbim të heqjes së ndalesës për importin e mallrave nga Serbia.
Sarrazin theksoi se pranë emrit të Kosovës do të kishte një yll, ose një fusnotë, që tregon se statusi i Kosovës nuk është zgjidhur përfundimisht.