Shefi për të drejta të njeriut i Kombeve të Bashkuara, Zeid Ra'ad al Hussein, tha se udhëheqësja de facto e Mianamrit, Aung San Suu Kyi, duhej të jepte dorëheqje për shkak të fushatës së dhunshme ushtarake kundër myslimanëve Rohingya, vitin e kaluar.
Duke folur në një intervistë për BBC-në, Zeid tha se Suu Kyi, fituese e Çmimit Nobel për Paqe, duhej të konsideronte kthimin në arrest shtëpiak, në vend të justifikimit të ushtrisë.
Një raport i ri i OKB-së vlerësoi se ushtria e Mianmarit duhet të hetohet për gjenocid, por Mianmari e cilësoi raportin si të njëanshëm.
Ushtria e vendit me shumicë budiste, e cila është akuzuar për spastrim të vazhdueshëm etnik, më herët ka mohuar çdo keqbërje.
Raporti i OKB-së, i publikuar të hënën, e fajësoi Syuu Kyin, për kohë të gjatë udhëheqëse e lëvizjes pro-demokraci, për dështimin në parandalimin e dhunës.
“Ajo ka qenë në pozicion për të bërë diçka. Ajo mund të ketë qëndruar e qetë - ose edhe më mirë, mund të ketë dhënë dorëheqje", tha Zeid.
“Nuk ka qenë e nevojshme që ajo të bëhet zëdhënëse e ushtrisë. Nuk është dashur të thotë se ky ka qenë një ajsberg i keqinformimit”, tha Zeid.
Ndërmjet viteve 1989 dhe 2010, Suu Kyi ka kaluar rreth 16 vjet nën arrest shtëpiak nga Qeveria ushtarake.
Të mërkurën, Komiteti i Nobelit tha se Suu Kyisë nuk mund t’i merret çmimi që e ka fituar në vitin 1991.
Edhe pse dihet se Suu Kyi nuk e kontrollon ushtrinë, ajo është përballur me presion ndërkombëtar për të dënuar brutalitetin e dyshuar të ushtrisë.
Për dekada me radhë, ajo është vlerësuar si heroinë e komunitetit për të drejtat e njeriut - veçanërisht për qëndrimin në arrest shtëpiak për shkak të aktivizmit të saj pro demokracisë - gjatë një diktature brutale ushtarake.
*Video nga arkivi
Your browser doesn’t support HTML5
Kur dhuna në komunitet ka shpërthyer në vitin 2012, duke zhvendosur mbi 100 mijë myslimanë Rohingya, Suu Kyi ka bërë përpjekje të sigurojë komunitetin ndërkombëtar se do të vazhdojë të angazhohet për të drejtat e njeriut dhe vlerat demokratike.
“Myslimanët kanë qenë në shënjestër, por edhe budistët i janë nënshtruar dhunës”, ka thënë ajo në atë kohë.
Në vitin 2015, partia e saj Liga Kombëtare për Demokraci ka shënuar fitore historike në zgjedhje dhe ajo është bërë udhëheqëse de facto e Mianmarit.
Që nga shpërthimi i dhunës kundër myslimanëve Rohingya në gusht të vitit 2017, Suu Kyi ka humbur disa mundësi për të folur publikisht për këtë çështje, përfshirë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork, shtatorin e kaluar.
Ajo më pas ka deklaruar se kriza është shtrembëruar nga një "ajsberg i madh i keqinformimit", por po ashtu ka thënë se ndjen "thellë" për vuajtjet e "të gjithë njerëzve" në konflikt.
Rohingyat janë një pakicë myslimane në Mianmar, të cilëve u mohohet shtetësia dhe konsiderohen emigrantë të paligjshëm nga Bangladeshi fqinj, pavarësisht se jetojnë në Mianmar me breza.