Në kohën kur klubet e futbollit në botë shpenzojnë qindra miliona euro për transferimin e një futbollisti, janë vetëm disa klube kosovare që shpenzojnë mbi 1 milion euro brenda një sezoni.
Kjo shifër përfshin pagat e futbollistëve, përgatitjet që i bëjnë klubet jashtë vendit, udhëtimet dhe pajisjet.
Në mesin e skuadrave që shpenzon rreth 1 milion euro brenda një sezoni në Superligën e Kosovës, është skuadra Gjilani nga qyteti i Gjilanit.
Drejtori sportiv i këtij klubi që u formua në vitin 1945, Sevdail Robelli, thotë për Radion Evropa e Lirë se që nga fillimi i pandemisë, është vështirësuar më shumë çështja e financimit.
“Një pjesë e madhe e buxhetit, ndoshta deri në 80 për qind, shpenzohet në paga sepse ato janë shpenzimet më të mëdha. Pastaj ka përgatitje, ka blerje të pajisjeve, udhëtime, akomodim, ushqim etj, por shumica e buxhetit orientohet në paga”, thotë Robelli.
SHIKONI EDHE: Futbolli i Kosovës, ndërmjet pandemisë dhe garave evropianeSipas tij, shteti i Kosovës duhet të shpenzojë më shumë para në rregullimin e infrastrukturës.
“Shteti duhet të investojë shumë më fuqishëm në infrastrukturë,sepse një prej atyre mungesave të hallkave të zinxhirit e tërësisë të organizimit të sportit është mungesa e infrastrukturës. Edhe shteti detyrimin e parë që duhet ta kryejë në raport me klubet dhe qytetarët e këtij vendi, është ta kompletojë infrastrukturën”, thotë Robelli.
President i Gjilanit është biznesmeni Florim Zuka, i cili tash e disa vjet mban barrën kryesore financiare të klubit.
Njëjtë si klubi Gjilani, janë edhe klubet tjera të Kosovës, që kryesisht varen nga financat e pronarit të klubit e jo nga reklamat ose sponsorë të tjerë.
Ndihma e FFK-së gjatë pandemisë
Gjatë vitit të përshkruar me pandemi, nga muaji mars i vitit të kaluar, klubet kosovare që bëjnë gara në Superligën e Kosovës, u ndihmuan nga Federata e Futbollit e Kosovës (FFK).
Sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, thotë për Radion Evropa e Lirë, se një klub në Superligë nuk mund të mbijetojë nëse shpenzon më pak se 200 mijë euro.
Por, sipas tij, ka klube që i harxhojnë 500 deri në 600 mijë euro e që janë skuadra që luftojnë për titull.
Salihu thotë se vitin e fundit i kanë ndihmuar klubet që të kalojnë sa më lehtë vështirësitë e shkaktuara nga pandemia e koronavirusit.
“Ndihmat tona, të gjitha ndihmat që janë për të drejtat televizive, por edhe ndihma të tjera që iu kemi dhënë ekstra për shkak të pandemisë, u dhurohen klubeve, çdo cent që është i destinuar për klube, arrin te klubet. I kemi harxhuar minimum rreth 1 milion e gjysmë ndihma klubeve, ato që iu takojnë klubeve për pandemi”, thotë Salihu.
SHIKONI EDHE: Të ndaluar brenda, tifozët e futbollit mblidhen jashtë stadiumitSalihu thotë se FFK-ja në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, kanë investuar në përmirësimin e infrastrukturës në shumë qytete të Kosovës.
Gazetari i sportit Drilon Sylejmani, që nga afër përcjell zhvillimet në futbollin e Kosovës, thotë se klubet e Kosovës përballen me vështirësi financiare.
Ai thotë se klubet nuk mund ta mbulojnë shifrën të cilën e shpenzojnë, përveç skuadrës që shpallet kampione e Kosovës, e që ka mundësi të marrë pjesë në gara ndërkombëtare, siç është faza para-kualifikuese e Ligës së Kampionëve ose faza para-kualifikuese e Evropa Ligës.
“Koha e pandemisë së koronavirusit ua pamundëson tifozëve hyrjen në stadium edhe klubet nuk kanë mundësi të përfitojnë prej shitjes së biletave. Po ashtu një minus i madh është që klubet nuk merren me çështje të marketingut, shitjen e fanellave, të rekuizitave e gjërave tjera”, thotë Sylejmani.
Aktualisht, në Superligën e Kosovës garojnë dhjetë klube. Klubet e para në Kosovë, janë formuar në vitin 1922 në Gjakovë dhe në Prishtinë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, prej vitit 1945 e deri më 1991, kur në Jugosllavi kishte filluar të përparonte futbolli, ishte formuar Federata e Futbollit të Kosovës më 1948, si degë e Federatës së Futbollit të Jugosllavisë.
Në Ligën e parë jugosllave u dallua më së shumti klubi i futbollit Prishtina. Anëtar i kësaj lige ishte edhe klubi i futbollit Trepça nga Mitrovica.
Kurse Liga e dytë shtetërore vazhdimisht kishte nga tre-katër klube kosovare.
Në këto dy liga Federative garonin Sllovenia, Kroacia, Bosnje e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi, Vojvodina, Kosova dhe Maqedonia, të gjitha në një ligë unike.