Në kërkim të superjahteve të oligarkëve rusë
Jahti SY- A në pronësi të oligarkut rus, Andrei Melnichenko, u sekuestrua nga autoritetet italiane më 11 mars. Vlerësime të ndryshme thonë se vlera e tij është afërsisht 600 milionë dollarë.
Këshilli Evropian thotë se Melnichenko është "i përfshirë në sektorët ekonomikë që ofrojnë një burim të konsiderueshëm të ardhurash për Qeverinë e Federatës Ruse, e cila është përgjegjëse për aneksimin e Krimesë dhe destabilizimin e Ukrainës". Një zëdhënës i Melnichenkos tha: "Ne do t'i kundërshtojmë këto sanksione të pabaza dhe të pajustifikuara dhe besojmë se sundimi i ligjit dhe sensi i përbashkët do të mbizotërojnë".
Jahti Dilbar, i gjatë 156 metra, vlerësohet se kushton 594 milionë dollarë, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloombergut. Në pronësi të miliarderit rus, Alisher Usmanov, anija nuk mund të largohet nga porti i Hamburgut. Raportet e para thanë se ishte sekuestruar, por të tjerë thonë se sanksionet pengojnë pagesën e ekuipazhit dhe autoritetet gjermane nuk kanë lëshuar një dokument doganor që lejon largimin e tij.
Duke qenë pronar në miniera, media dhe telekomunikacion, Usmanov shihet si i lidhur ngushtë me presidentin Putin. Usmanov lëshoi një deklaratë më 1 mars duke thënë se sanksionet bazoheshin në "akuza të rreme dhe shpifëse që dëmtonin nderin, dinjitetin dhe reputacionin e biznesit tim. Unë do të përdor të gjitha mjetet ligjore për të mbrojtur nderin dhe reputacionin tim".
Jahti Amore Vero raportohet se është në pronësi të Igor Sechin, kreut të gjigantit shtetëror rus të energjisë Rosneft. Anija u sekuestrua pranë Marsejës në fillim të marsit. Faqja e internetit Superyacht Fan e vendosi çmimin e Amore Vero-s në 120 milionë dollarë.
Një jaht i dytë që thuhet se është në pronësi të Sechin, një bashkëpunëtor i vjetër i Putinit, u kap në Spanjë në mes të marsit. Jahti Crescent vlerësohet të ketë vlerën e 500-600 milionë dollarëve.
Vlera e tij konsiderohet të jetë 140 milionë dollarë dhe besohet se është në pronësi të Sergei Chemezov. Jahti Valerie, 85 metra i gjatë, po u nënshtrohej riparimeve në portin e Barcelonës kur u sekuestrua.
Chemezov është drejtor i Rostec, një konglomerat shtetëror rus i mbrojtjes. Ai konsiderohet si një nga aleatët më të ngushtë të Putinit.
Axioma, me vlerë 75 milionë dollarësh, që është raportuar se është në pronësi të oligarkut rus, Dmitry Pumpyansky, u sekuestrua nga Qeveria e Gjibraltarit.
Pumpyansky është pronar dhe kryetar i prodhuesit të tubave të çelikut TMK, një furnizues i gjigantit shtetëror rus të energjisë Gazprom.
Jahti Lady M, i gjatë 65 metra, që thuhet se është në pronësi të oligarkut rus Aleksei Mordashov, u sekuestrua nga policia italiane në fillim të marsit.
Mordashov konsiderohet një nga qytetarët më të pasur të Rusisë, me një pasuri neto prej 21.2 miliardë dollarësh, sipas Indeksit të Miliarderëve të Bloombergut. Ai zotëron një të tretën e operatorit turistik më të madh në Evropë, TUI. Ai ka një interes financiar në Rossia Bank, për të cilën autoritetet evropiane thonë se është "banka personale" për zyrtarët e lartë rusë. Mordashov i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se, "unë nuk kam të bëj absolutisht asgjë me shfaqjen e tensionit aktual gjeopolitik dhe nuk e kuptoj pse BE-ja ka vendosur sanksione ndaj meje".
Superjahti Phi, me vlerë 50 milionë dollarë, u sekuestrua nga policia në Canary Wharf të Londrës. Është superjahti i parë i lidhur me Rusinë që kapet në ujërat britanike.
Financial Times emëroi pronarin si Vitaly Kochetkov, i cili është themeluesi i Motiv Telecom, një kompani celulare në Urale. Por, kjo media shtoi se Kochetkov nuk ishte në listën e sanksioneve dhe Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar beson se anija mund t'i përkasë dikujt tjetër.
Jahti Nord u ble për 500 milionë dollarë në vitin 2021 dhe thuhet gjithashtu se është në pronësi të Aleksei Mordashov. Nord nuk është sekuestruar. Thuhet se jahti u largua nga Sejçelles më 12 mars dhe mendohej të ishte nisur për në Lindjen e Largët të Rusisë.
Jahti Eclipse i miliarderit Roman Abramovich është një nga jahtet më të gjata private në botë me 162 metra gjatësi. Vlerësohet të jetë 500 milionë dollarë. Eclipse i shpëtoi sekuestrimit, duke lundruar në portin turk të Marmarasë.
Abramovich ka pasur lidhje të gjata me Putinin dhe ka ndërtuar pasurinë e tij me ndihmën e zyrtarëve të Kremlinit.
Jahti Lena, 40 metra i gjatë, u sekuestrua nga autoritetet italiane dhe thuhet se është në pronësi të miliarderit rus, Gennady Timchenko, një bashkëpunëtor i ngushtë i Putinit. Qeveria italiane tha se vlera e këtij jahti ishte rreth 55 milionë dollarë.
Me një pasuri të vlerësuar prej 12.9 miliardë dollarësh, Timchenko është themeluesi i Volga Group, entitet tashmë i sanksionuar. Kjo është një firmë investimi me interesa në energji, transport dhe ndërtim.
Kundërshtarët e Kremlinit pretendojnë se Sheherazade, superjahti 140-metrash, me vlerë rreth 700 milionë dollarë, i përket fshehtas presidentit rus, Vladimir Putin. Hetuesit që punojnë për liderin e burgosur opozitar rus, Aleksei Navalny, thonë se kanë identifikuar anëtarë të shumtë të ekuipazhit si oficerë në Shërbimin Federal të Mbrojtjes së Rusisë (FSO), i cili është përgjegjës për sigurinë e Putinit. Ata anëtarë të ekuipazhit u zëvendësuan papritur pasi u zbulua ai informacion. Kapiteni britanik i anijes mohoi se jahti i përkiste Putinit, por autoritetet italiane po hetojnë, pasi superjahti Sheherazade është ankoruar në ujërat e tyre.