Së paku 20 njerëz janë vrarë, përfshirë civilë dhe oficerë policorë, kur burra të armatosur hapën zjarr në dy kisha ortodokse, së paku në një sinagogë, dhe në një stacion policor, në sulme të ndara në qytetet në qytetet Derbent dhe Makaçkala në Dagestan të Rusisë.
Katër nga viktimat janë civilë, sipas hetuesve. Raportimet e mëhershme sugjeruan se 15 oficerë të policisë u vranë në sulmet e 23 qershorit.
Gjashtëmbëdhjetë njerëz u shtruan në spital, sipas Ministrisë së Brendshme rajonale, përfshirë 13 oficerë policorë dhe tre civilë.
Guvernatori rajonal, Sergei Melikov, tha në një video të postuar në Telegram më 24 qershor se në mesin e civilëve të vrarë është edhe ati Nikolai, 66 vjeç, i cili shërbeu për më shumë se 40 vjet në kishën ortodokse në Derbent.
Melikov tha se gjashtë “banditë” u “likuiduan” nga forcat e sigurisë.
Komisioni Kombëtar kundër Terrorizmit i Rusisë e shpalli të përfunduar operacionin e sigurisë në mëngjesin e 24 qershorit.
Në mesin e të arrestuarve është Magomed Omarov, kryetar i qarkut Sergokala dhe sekretar i degës lokale të partisë Rusia e Bashkuar, shtëpia e të cilit u bastis. Omarov ishte përjashtuar nga partia për veprime që e diskredituan partinë, tha zyra për media e Rusisë së Bashkuar në Dagestan.
Tre nga sulmuesit e vrarë janë identifikuar gjithashtu, sipas Interfax, i cili citoi burime të paidentifikuara duke thënë se dy prej djemve të Omarovit dhe njëri prej nipave të tij janë në mesin e sulmuesve të vrarë.
Ky sulm ndodhi vetëm tre muaj pasi 145 njerëz u vranë dhe qindra të tjerë u plagosën kur ekstremistët e Shtetit Islamik (IS) hapën zjarr ndaj një turme njerëzish në një sallë koncertesh në periferi të Moskës.
As IS-i, e as ndonjë grup tjetër nuk e mori përgjegjësinë për sulmet e 23 qershorit në rajonin e Kaukazit Verior.
“Kjo është një ditë tragjike për Dagestanin dhe për tërë vendin”, tha Melikov, pasi zyrtarët njoftuan për tri ditë zie në këtë rajon.
Sipas një organizate fetare lokale në rajonin me shumicë myslimane, sulmet ndodhën në një ditë feste fetare në kishën ortodokse ruse.
“Radikalët duan të na nxisin kundër njëri-tjetrit me të gjitha forcat e tyre, dhe duan t’i shkatërrojnë urat ndërfetare. Por, nuk do t’ia dalin”, tha organizata.
SHIKONI EDHE: Shkon në 140 numri i viktimave nga sulmi në MoskëKryetari i këshillit publik të Komuniteteve Hebraike të Federatës Ruse, Boruch Gorin, tha në Telegram se sinagoga në Derbent u përfshi nga zjarri pas sulmit.
Sulmi ndaj stacionit policor ndodhi në Makaçkala, kryeqytetin e Dagestanit.
Sulmues të panjohur e sulmuan një postbllok të policisë së trafikut. Sipas Ministrisë së Brendshme të Dagestanit, dy sulmues u vranë në Makaçkala, aeroporti i të cilit në tetor u mbyll për disa ditë, pasi një turmë që po bënte thirrje kundër hebrenjve e sulmoi atë pas mbërritjes së një avioni nga Izraeli.
Protestat kundër hebrenjve shpërthyen në disa qytete në këtë rajon pas sulmit të 7 tetorit në Izrael nga Hamasi, i cili është shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Disa muaj më vonë, pas sulmit vdekjeprurës më 22 mars në sallën e koncerteve Crocus në afërsi të Moskës, Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë (FSB) i arrestoi katër persona në Dagestan nën dyshimin se u kishin dhënë të holla dhe armë pjesëmarrësve.
Përgjegjësinë për sulmin e mori një degë e IS-it, e njohur si Shteti Islamik-Khorasan.
Hetuesit rusë thanë se sulmi ishte kryer nga katër burra, të gjithë shtetas të Taxhikistanit.