Krerë të institucioneve të Kosovës si dhe përfaqësues ndërkombëtarë me mision në Prishtinë, i kanë dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit.
Reagimet pasuan njoftimin e ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, se të premten, më 15 prill, është sulmuar Policia e Kosovës në veri të vendit, teksa ishte nisur për të marrë detyrën në pikat kufitare me Serbinë.
"Sot rreth orës 7:40 ka ndodhur një sulm ndaj Policisë së Kosovës, e cila ka qenë duke shkuar për të marrë ndërrimin në pikat kufitare. Ky sulm, tashmë i faktuar, me granatë dore dhe AK-47, si një akt terrorist, është bërë me qëllim të frikësimit të zyrtarëve policorë, por edhe të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, ka deklaruar Sveçla në një konferencë të jashtëzakonshme bashkë me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Ministri Sveçla ka thënë se “grupe të ndryshme në tri ditët e fundit kanë realizuar katër sulme në atë zonë”.
“Tentim-sulmi i parë ka ndodhur duke vendosur iriqë metalikë në rrugën nacionale, në kohën përafërsisht të njëjtë me sulmin e së premtes, me qëllim që të pamundësojnë punën e Policisë së Kosovës dhe në të njëjtën kohë të rrezikojnë jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës”.
Sipas tij, sulmi i dytë ka ndodhur përmes gjuajtjes me gurë drejt Policisë së Kosovës.
Sulmi i tretë në mbrëmjen e së enjtes është bërë me armë zjarri dhe ka ndodhur në afërsi të pikës së kontrollit për pengimin e shfrytëzimit të rrugëve ilegale.
“Tashmë po shihet që angazhimi serioz i institucioneve të Kosovës, por posaçërisht i Policisë së Kosovës, që të vendosë rend dhe ligj në çdo cep të Kosovës, është bërë pengesë për Serbinë, për grupe të caktuara, të cilat mbështeten drejtpërdrejt nga Serbia dhe realisht ua prish planet të gjithë atyre, të cilët Kosovën e kanë parë potencialisht si çerdhe të krimit të tyre dhe si vazhdimësi të krizave tjera”, ka thënë Sveçla.
SHIKONI EDHE: Policia e Kosovës mbyll disa “rrugë ilegale” për parandalimin e kontrabandësMinistri i Punëve të Brendshme, Sveçla, sqaroi se rastet e fundit nuk janë bërë publike në fillim për t'i dhënë kohë policisë për t'i zbuluar shkaktarët.
Por, siç shtoi ai, me sulmin e së premtes ku është rrezikuar drejtpërdrejt jeta e zyrtarëve policorë, "këtu tash nuk kemi dyshime, ky është sulm terrorist dhe kemi vlerësuar që është e pashmangshme që këto informata të mos ndahen me publikun për të parandaluar çfarëdo lloj dezinformate".
"Grupe të caktuara të mbështetura nga kushdo, nuk do të mund ta rrezikojnë sigurinë e vendit tonë", ka deklaruar Sveçla.
Sveçla, po ashtu, ka thënë se këto ngjarje konfirmojnë "panikun e grupeve për shkak të përmirësimit të sundimit të ligjit", duke mos dashur të përmendë se cilat janë ato grupe, pos që ato po i sulmojnë institucionet legjitime të Kosovës.
Ndërkaq, sipas drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, afërsia e sulmeve lë të kuptohet se, “kemi të bëjmë me një grup të organizuar, i cili ka për qëllim të sulmojë dhe të pengojë punën e Policisë së Kosovës, me theks të veçantë luftën kundër kontrabandës dhe tregtive të ndryshme”.
Mehmeti ka theksuar se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen qetë e të sigurt dhe se duhen të dinë se kur grupet kriminale pengohen, kur iu ndërpriten mënyrat e financimit të aktiviteteve kriminale, "sigurisht që bëhen më nervoz dhe më të tendosura".
Në automjetin e Policisë së Kosovës që u sulmua të premten në veri të vendit, po udhëtonin pjesëtarë të PK-së shqiptarë dhe serbë.
Në konferencë nuk është bërë e ditur nëse ka pasur të lënduar në këtë sulm ndaj Policisë së Kosovës në veri të vendit, ndërsa ministri i Brendshëm, Sveçla, ka thënë se me këto raste do të merret Prokuroria Speciale.
SHIKONI EDHE: QKSS: Komuniteti serb ka nivel të ulët besimi ndaj Policisë së KosovësReagimet në lidhje me sulmin ndaj Policisë së Kosovës në veri
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë i ka dënuar fuqishëm sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri. Në një postim në Twitter, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka shprehur shqetësim të thellë në lidhje me këto sulme.
“Ambasada e SHBA-së është thellësisht e shqetësuar nga raportimet për të shtëna me armë zjarri dhe hedhje gurësh ndaj zyrtarëve kosovarë të zbatimit të ligjit pranë Zubin Potokut”, thuhet në reagimin e ambasadorit Hovenier.
“Ne e dënojmë fuqishëm këtë dhunë të mjerueshme, të pajustifikueshme”, thuhet ndër tjerash në reagimin e Ambasadës amerikane në Prishtinë.
Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë ka dënuar ashpër atë që e ka cilësuar “sulm të dhunshëm ndaj një patrulle të Policisë së Kosovës në Komunën e Zubin Potokut”, në orët e hershme të 15 prillit.
“Policia e Kosovës është ofruesja kryesore e sigurisë dhe përdorimi i forcës kundër zyrtarëve është i papranueshëm”.
Zyra e bllokut evropian në Prishtinë u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të shmangin spekulimet e panevojshme, të cilat mund të nxisin edhe më shumë tensionet.
SHIKONI EDHE: BE për sulmin në veri: Të shmangen spekulimet që nxisin tensione në veriEdhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nëpërmjet një postimi në Twitter ka reaguar lidhur me sulmet kundër Policisë së Kosovës në veri. Duke cituar burimet që kanë identifikuar sulmin e së enjtes, "të ardhur nga Serbia", Kurti i ka bërë thirrje Serbisë që "të distancohet nga sulmet e dhunshme terroriste ndaj policisë sonë, disa prej të cilëve ishin serbë të Kosovës".
Ndërkohë, Blerim Vela, këshilltar i presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet një reagimi në Twitter ka thënë se këto veprime ndaj Policisë së Kosovës kanë për qëllim destabilizimin e situatës së sigurisë dhe asaj politike në vend.
Lidhur me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri, ka reaguar edhe kreu i partisë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. Ai ka thënë se “këto akte kriminale janë alarm për të gjithë”.
“Krimi i organizuar nuk ka përkatësi politike as etnike. Ai i rrezikon të gjithë qytetarët, pavarësisht përkatësisë etnike, andaj është në interesin e secilit individ dhe komunitet që ta denoncojë e ta luftojë krimin”, shkroi Haradinaj në Facebook.
Gjitjashtu, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar në lidhje me sulmet ndaj Policisë së Kosovës në veri. Në një postim në Facebook, kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka dënuar sulmin duke e quajtur "akt kriminal dhe i patolerueshëm që për qëllim ka cenimin e rendit dhe ligjit".
Krasniqi ka kërkuar nga organet e rendit që "t'i hetojnë dhe ndriçojnë rrethanat e këtij akti kriminal, si dhe t’i japin përgjigje meritore çdo përpjekjeje që cenon Kosovën dhe sovranitetin e shtetit tonë".
Katër komunat në veri të Kosovës, Mitrovica e Veriut, Leposaviqi, Zubin Potoku dhe Zveçani janë të banuara me shumicë serbe.
Policia e Kosovës në shkurt të këtij viti kishte njoftuar se ka nisur të mbyllë disa rrugë që shfrytëzohen për kontrabandë. Sfeçla atëherë kishte thënë se mbyllja e këtyre rrugëve është tentim për të parandaluar dhe luftuar krimin dhe të gjitha format e kontrabandës në zonat kufitare që lidhin Kosovën me Serbinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Edhe në tetor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës pati zhvilluar një aksion të gjerë kundër kontrabandës në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut. Policia e Kosovës pati thënë se në atë aksion ishin sekuestruar mallra “të kontrabanduara në vlerë prej qindra mijëra eurosh”.