Një granatë dore e tipit M52 është hedhur mbrëmjen e së enjtes, rreth orës 22:40 pranë objektit të elektro-distribucionit në Mitrovicë të Veriut.
Si pasojë e shpërthimit është dëmtuar një transformator dhe disa automjete, të cilat kanë qenë të parkuara afër këtij objekti.
Lajmi u konfirmua për Radion Evropa e Lirë nga drejtori rajonal i Policisë së Kosovës për Mitrovicën, Besim Hoti, i cili tha se përveç dëmeve materiale, nuk ka patur të lënduar.
“Prokuroria ka nisur hetimin dhe në pritje të ekspertizës përfundimtare mund të konfirmojmë se shpërthimi është shkaktuar nga një lëndë plasëse, ndërsa ka nisur puna për riparimin e transformatorit të dëmtuar”, deklaroi Hoti.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Branislav Radoviq, ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë se një njësi rajonale hetimore dhe mjekësia ligjore kanë dalë në vendin e ngjarjes 40 minuta pas mesnate.
“Ekipi hetimor është njoftuar menjëherë nga prokurori i shtetit për krime të rënda dhe në bazë të informacioneve të para nga dëshmitarët dhe punonjësit e elektro-distribucionit-s, të cilët e kanë raportuar rastin në polici, nuk ka të lënduar”, tha Radoviq.
Sipas njoftimit të policisë, disa vetura që ndodheshin në parkingun prapa objektit dhe muri rrethues i elektro-distribucionit janë dëmtuar, sikurse edhe kablli i tensionit të lartë, i cili ka shkaktuar ndërprerje të energjisë elektrike.
Prokurori i shtetit urdhëroi vazhdimin e hetimeve të premten në mëngjes, ndërsa është hapur rast për tre vepra penale që ndërlidhen me incidentin: shkaktim të rrezikut të përgjithshëm, përdorimi i armëve apo mjeteve të rrezikshme, shkatërrimi apo dëmtimi i pronës dhe posedim i paautorizuar i armëve luftarake.
Sulmin ndaj objektit të elektro-distribucionit në Mitrovicën e Veriut e ka dënuar edhe Lista Serbe.
Përmes një komunikate për media, kjo parti e cila përfaqëson komunitetin serb në institucionet e Kosovës, ka thënë se “ky sulm dhe ngritja e tensioneve janë kundër interesave” të komunitetit serb në veri të Kosovës.
Lista Serbe u ka bërë thirrje organeve kompetente të hetojnë rastin dhe të garantojnë sigurinë e qytetarëve.
Ngjarja ndodhi dy ditë pasi Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes për energjinë të nënshkruar më 2013, në Bruksel, por e cila nuk ishte zbatuar.
SHIKONI EDHE: Sytë kah Serbia për kthimin e borxhit të rrymësPas dakordimit për zbatimin e marrëveshjes për energjinë, qytetarët në katër komunat në veri të Kosovës, të banuara më shumicë serbe, që nuk kanë paguar rrymën elektrike nga viti 1999, do të obligohen t'i paguajnë faturat.
Sipas këtij udhërrëfyesi, parashihet që Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës(ZRRE), t’i lëshojë licencë për furnizim kompanisë nga veriu, Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.
Elektrosever është një kompani me pronësi serbe, e themeluar në Kosovë dhe sipas ligjeve të Kosovës.