Sulmuesi i dyshuar kishte shenja të radikalizimit, thotë policia norvegjeze

Oficerët e policisë po zhvillojnë hetime pasi pesë njerëz u vranë dhe disa të tjerë u plagosën nga një burrë që përdorte një hark dhe shigjeta për të kryer sulme, në Kongsberg, Norvegji, 13 tetor

Personi i dyshuar për vrasjen e pesë personave në një sulm në Norvegji ishte konvertuar në islam dhe policia ishte e shqetësuar për shenjat e radikalizimit të tij, tha shefi i policisë rajonale, Ole Bredrup Saeverud, në një konferencë për media të enjten (14 tetor).

Më herët, policia tha se i dyshuari për vrasjet me hark dhe shigjeta në qytetin Kongsberg është një shtetas danez 37-vjeçar.

Policia beson se ai ka vepruar vetëm dhe do të hetojë nëse sulmi ishte një akt terrorizmi.

Gjatë sulmit u plagosën edhe dy pjesëtarë të policisë dhe një oficer që ishte jashtë detyrës.

Incidenti ndodhi në vende të ndryshme të qytetit që gjendet 68 kilometra në jugperëndim të Oslos.

Policia ende nuk i ka bërë të ditura motivet e sulmit.

Kryeministrja, Erna Solberg tha se raportet për incidentin ishin "tmerruese".

"Unë e kuptoj që shumë njerëz kanë frikë, por është e rëndësishme të theksohet se policia tani e ka gjendjen nën kontroll", tha ajo në një konferencë shtypi.

Ky ishte incidenti më i keq në Norvegji që nga viti 2011, kur ekstremisti i ekstremit të djathtë Anders Behring Breivik vrau 77 njerëz, shumica prej tyre adoleshentë në një kamp rinor.

Policia po merrte në pyetje të dyshuarin dhe ai po bashkëpunonte, tha avokati i tij mbrojtës.

Pas sulmeve, policia, e cila normalisht është e paarmatosur në Norvegji, u urdhërua të mbante armë zjarri në mbarë vendin.