SHBA-ja mohon se organizoi sulmin në Kremlin

Ndërtesa e Kremlini në Moskë

Shtetet e Bashkuara i mohuan pretendimet ruse, sipas të cilave, ato organizuan një sulm me dron, që goditi të mërkurën ndërtesën e Kremlinit, me qëllim vrasjen e presidentit rus, Vladimir Putin.

Pasi akuzoi Ukrainën për kryerjen e sulmit të supozuar, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se ai është realizuar me mbështetjen e Uashingtonit.

Zëdhënësi i Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, John Kirby, tha se ky është një “pretendim qesharak”.

Ukraina tha se nuk ka asnjë lidhje me sulmin e supozuar. Putin, në atë kohë, nuk ishte në ndërtesë.

Sipas Kievit, Moska e inskenoi incidentin për ta përshkallëzuar luftën e saj në Ukrainë.

Pamje që tregojnë një objekt fluturues duke iu afruar ndërtesës së Kremlinit, 3 maj 2023.

Peskov tha se sulmi në Kremlin - një kompleks i madh qeveritar në qendër të Moskës - ndodhi të mërkurën herët.

Pamjet e postuara në mediat sociale, treguan shtëllunga tymi mbi ndërtesë.

Peskov tha të enjten se SHBA-ja qëndron “pa dyshim” pas sulmit të supozuar, por nuk solli ndonjë provë.

“Vendimet për sulme të tilla nuk merren në Kiev, por në Uashington”, tha Peskov.

SHIKONI EDHE: Zelensky në Hagë thotë se Putini duhet të përballet me drejtësinë

Duke iu përgjigjur akuzave, Kirby u tha mediave amerikane se “Peskov, thjesht, gënjen”.

“Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë lidhje me të. Ne as nuk e dimë saktësisht se çfarë ndodhi, por mund t’ju siguroj se Shtetet e Bashkuara nuk kanë asnjë rol në të”, tha Kirby.

Ai shtoi se Uashingtoni as nuk e inkurajoi, as nuk i mundësoi Ukrainës të godiste jashtë kufijve të saj, dhe nuk miratoi sulme kundër udhëheqësve individualë.

Ukraina tha se sulmi i supozuar ishte një operacion i rremë nga Moska, por, sipas disa vëzhguesve, Rusia nuk ka interes të organizojë sulme të atilla që e bëjnë Kremlinin të duket i cenueshëm.

Pretendimet e fundit të Kremlinit erdhën në ditën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, vizitoi Gjykatën Ndërkombëtare Penale në Hagë.

SHIKONI EDHE: SHBA: Mbi 20.000 luftëtarë rusë të vrarë në Bahmut

Në një fjalim më pas, Zelensky bëri thirrje për krijimin e një gjykate të posaçme, që do ta mbante Rusinë “përgjegjëse për krim të agresionit” në Ukrainë.

Ai tha se Putin “e meriton të dënohet për veprime kriminale në kryeqytetin e së drejtës ndërkombëtare”.

Gjykata Ndërkombëtare Penale ka lëshuar tashmë urdhërarrestim për presidentin rus, Putin, për krime të dyshuara lufte në Ukrainë. Sipas gjykatës, ai mund të jetë përgjegjës për krime të luftës që përfshijnë dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi. Por, gjykata nuk ka mandat për ndjekjen penale të krimit të agresionit.

Krimi i agresionit nënkupton planifikim, nisje ose ekzekutim të një akti të agresionit në shkallë të gjerë, duke përdorur forcën ushtarake shtetërore.

Përgatiti: Valona Tela