Sulmi me dron në Kabul nuk ishte shkelje e ligjit, thotë Pentagoni

Banorët afganë dhe anëtarët e familjeve të viktimave mblidhen pranë një automjeti të dëmtuar brenda një shtëpie, një ditë pas një sulmi ajror amerikan me dron në Kabul, 30 gusht 2021

Inspektori i Përgjithshëm i Pentagonit tha se një sulm me dron që la të vrarë disa civilë në Afganistan ishte një gabim tragjik, por nuk përbën shkelje të ligjit.

"Është një gabim për të ardhur keq", u tha gazetarëve inspektori i Forcave Ajrore të SHBA-së, gjenerali, Sami Said.

Ai u deklarua pas një hetimi të zhvilluar lidhur me incidentin që ndodhi më 29 gusht.

Nga sulmi me dron u vra Zemerai Ahmadi, i cili ishte punonjës për një kohë të gjatë i një organizate humanitare amerikane, si dhe nëntë anëtarë të familjes, duke përfshirë shtatë fëmijë.

Kjo ndodhi derisa vendet perëndimore u përpoqën të evakuonin afganët pasi talibanët morën kontrollin e vendit.

Gjenerali Said tha se kishte pasur "gabime në ekzekutimin e sulmit, të kombinuara me çrregullim në komunikim".

Ai tha se personeli amerikan që kreu sulmin me dron besonte vërtet se ata kishin në shënjestër eliminimin e "një kërcënimi" nga grupi i Shtetit Islamik (IS) për forcat amerikane dhe stafin diplomatik në aeroportin e Kabulit.

Por, ai tha se bazuar në hetimet e bëra, nuk ishte gjetur "asnjë shkelje e ligjit, duke përfshirë Ligjin e luftës".

Fëmija më i vogël që u vra ishte Sumaya, dy vjeç, dhe Farzad më i madhi, 12 vjeç, thanë familjarë të viktimave për BBC-në.

Ramin Yousufi, një i afërm i familjes, tha se ky kishte qenë një "sulm brutal" i bazuar në "informacione të gabuara".

"Pse na vranë familjen? Fëmijët tanë? Ata janë aq të shkrumbuar sa nuk mund t'i identifikojmë trupat e tyre, fytyrat e tyre", tha ai.

SHIKONI EDHE: Afganistani gjithnjë e më i rrezikuar nga IS-K

Sulmi me dron u bë pasi IS-K, dega Shtetit Islamik në Afganistan, mori përgjegjësinë për sulmin vetëvrasës jashtë Aeroportit të Kabulit, ku mijëra afganë ishin mbledhur në përpjekje për t'u larguar nga vendi.

Nga sulmi mbetën vrarë të paktën 170 njerëz, përfshirë 13 anëtarë të personelit të shërbimit amerikan.

Ushtria amerikane tha se kishte informacione se IS-i po planifikonte një sulm të dytë derisa po zhvilloheshin operacionet e evakuimit.

Ata që u përfshinë në sulmin me dron besuan se shtëpia ishte bosh dhe nuk vunë re një fëmijë që hynte në zonën e shënjestruar dy minuta para se të lëshohej raketa.

Pentagoni pranoi në shtator se sulmi kishte qenë një "gabim tragjik" dhe tha se do t'i kompensonte ata anëtarë të familjes që kishin mbijetuar.

“Kërkojmë falje, do të mësojmë nga ky gabim i tmerrshëm”, pati thënë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, nëpërmjet një deklarate.

Talibanët kanë rrëzuar Qeverinë e përkrahur nga Perëndimi më 15 gusht në Kabul, duke nxitur përpjekje masive për evakuim nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj.

Deri në fund të muajit gusht, në Aeroportin e Kabulit janë parë skena kaotike, pasi mijëra shtetas të huaj dhe afganë kanë tentuar të ikin nga shteti.