Një sulm ajror izraelit në Rripin e Gazës i ka lënë të vdekur të paktën tetë njerëz nga familja e njëjtë, thanë të martën zyrtarët shëndetësorë palestinezë.
Shumica e të vdekurve në këtë sulm janë gra dhe fëmijë, sipas tyre.
Sulmi ndodhi të hënën natën dhe e goditi një shtëpi në lagjen qendrore, Daraj, në qytetin Gaza, sipas shërbimit emergjent të Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Një baba me tre fëmijë dhe gjyshja e fëmijëve ishin në mesin e trupave të nxjerrë nga rrënjat, sipas Associated Press.
Ushtria izraelite tha më vonë se sulmi ajror kishte në shënjestër një militant të Hamasit në një "vend të infrastrukturës terroriste".
Hamasi është i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Izraeli e fajëson Hamasin për viktimat civile, duke thënë se militantët shpesh veprojnë në zona të banuara në Rripin e Gazës, i cili është i mbipopulluar. Grupet për të drejtat e njeriut dhe palestinezët thonë se Izraeli nuk ka marrë masa të mjaftueshme për ta shmangur vrasjen e civilëve.
SHIKONI EDHE: Izraeli urdhëron palestinezët të evakuohen nga jugu i GazësLufta e Izraelit në Gazë i ka lënë të vdekur mbi 45.000 palestinezë, shumica e të cilëve gra dhe fëmijë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Gazë.
Ushtria izraelite ka thënë se i ka vrarë mbi 17.000 militantë, pa dhënë dëshmi për këtë.
Lufta në Gazë filloi kur militantët e Hamasit e sulmuan Izraelin jugor më 7 tetor 2023, ku i vranë rreth 1.200 njerëz, kryesisht civilë, dhe i rrëmbyen afër 250 të tjerë.