Rritet numri i viktimave nga sulmi i IS-it në Siri

Një ushtar i forcave demokratike siriane në verilindje të Sirisë. Janar, 2022.

Një sulm i grupit militant, Shteti Islamik (IS) ndaj forcave të Qeverisë siriane ka lënë të vrarë 33 ushtarë, tha një grup monitorues të shtunën. Paraprakisht, numri i viktimave u raportua se ishte më i vogël.

Sulmi i të enjtes mbrëma nga IS-i ndaj një autobusi të ushtrisë është sulmi më vdekjeprurës ndaj forcave qeveritare gjatë këtij viti, tha Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut.

Pavarësisht se kanë humbur kontrollin e territoreve në Siri më 2019, IS-i ende ka prani në shkretëtirën siriane prej ku kryen sulme.

“Numri i viktimave ndaj autobusit të ushtrisë është rritur në 33 ushtarë”, tha Rami Abdel Rahman, i cili udhëheq grupin monitorues me seli në Britani. Ky grup monitorues varet nga një rrjet burimesh brenda Sirisë.

SHIKONI EDHE: Sulmi i IS-it vret 23 ushtarë sirianë

Xhihadistët rrethuan autobusin në shkretëtirën afër Majadenit, në provincën Deir Ezor dhe më pas hapën zjarr, raportoi të premten Vëzhguesi.

Më 11 gusht, IS-i mori përgjegjësinë për sulmin, duke thënë se luftëtarët e grupit kryen një sulm ndaj “dy autobusëve të ushtrisë”, duke sulmuar ushtarët me “armë të rënda dhe me granatahedhës”. Sipas grupit militant, njëri nga autobusët më pas u dogj.

Media shtetërore siriane, SANA, tha se në “sulmin terrorist” janë vrarë një numër ushtarësh.

Abdel Rahman tha se IS-i “së fundmi ka përshkallëzuar sulmet vdekjeprurëse ndaj ushtrisë, me qëllim që të shkaktojë sa më shumë viktima”.

SHIKONI EDHE: IS-i njofton për vdekjen e liderit

Javën e kaluar, IS-i raportoi se lideri i grupit, Abu al-Hussein al-Husseini al-Qurashi, u vra në një përleshje në veriperëndim të Sirisë, duke shtuar se grupi ka emëruar pasardhësin e tij.