Sulmet ukrainase me dronë në Moskë detyrojnë 3 aeroporte të mbyllen përkohësisht

Një ushtar rus mban një dron të kapur ukrainas. Rusia raporton për shkatërrimin e dronëve ukrainas pothuajse çdo ditë, por sulmet rrallëherë kanë në shënjestër kryeqytetin. (Fotografi nga arkivi)

Ukraina i ka lëshuar dhjetëra dronë në drejtim të Moskës, duke e detyruar kryeqytetin rus t’i mbyllë përkohësisht tri aeroporte, thanë zyrtarët rusë të dielën.

Kryetari i Moskës, Sergei Sobyanin, tha se forcat ruse i rrëzuan 32 dronë ukrainas që e sulmuan Moskën gjatë natës dhe mëngjesit të së dielës, gjatë njërit prej sulmeve më të mëdha kundër kryeqytetit prej se forcat e Kremlinit e pushtuan Ukrainën më 2022.

“Sipas të dhënave tona fillestare, nuk ka dëme apo viktima në vendin ku kanë rënë mbetjet e dronëve. Ekipet emergjente janë në vend të ngjarjes”, tha Sobyanin në Telegram.

Rosaviatsia, agjencia federale e transportit ajror e Rusisë, njoftoi se aeroportet Sheremetyevo, Domodedovo dhe Zhukovo i kanë ndalur përkohësisht operacionet "për të garantuar siguri për fluturimet e avionëve civilë", për shkak të sulmeve me dronë.

SHIKONI EDHE: Shefi britanik i Mbrojtjes: Tetori, muaji me humbjet më të mëdha për Rusinë në Ukrainë

Agjencia shtetërore e lajmeve, TASS, raportoi duke e cituar Rosaviatsian se aeroportet i rifilluan operacionet disa orë më vonë.

Një person u plagos gjatë sulmit, sipas guvernatorit të rajonit të Moskës, Andrei Vorobyov.

Mediat raportuan se sulmet shkaktuan zjarr në një fshat të distriktit Ramenskoye, duke ua vënë zjarrin disa shtëpive.

Rusia raporton për shkatërrimin e dronëve ukrainas pothuajse çdo ditë, por sulmet rrallëherë kanë në shënjestër kryeqytetin.

Autoritetet ukrainase kanë deklaruar shpesh se sulmet e tyre me dronë në Rusi synojnë infrastrukturën që është e rëndësishme për përpjekjet e luftës së Moskës dhe janë përgjigje ndaj sulmeve të vazhdueshme të Rusisë kundër Ukrainës.

Prej fillimit të luftës, Ukraina është përballur me bombardime gjatë natës nga Rusia, e cila, mes tjerash, synim e ka shkatërrimin e infrastrukturës jetike energjetike.

Forca Ajrore e Ukrainës tha të dielën se i rrëzoi 62 nga një numër rekord prej 145 dronësh rusë të lëshuar gjatë natës. Forca ajrore tha se humbi gjurmët e 67 dronëve, ndërsa 10 të tjerë u larguan nga Ukraina në drejtim të Rusisë, Moldavisë dhe Bjellorusisë.

Të paktën dy persona u plagosën dhe u dëmtuan ndërtesa në sulmin e fundit me dronë rusë në rajonin jugor të Odesës, thanë zyrtarët ukrainas.