Sulmet ruse vrasin 17 persona në Zaporizhja

Dëmet e shkaktuara pas sulmeve ruse në Zaporizhja.

Një zyrtar i lartë në Zaporizhja, qytet jugor në Ukrainë, ka thënë se raketat e lëshuara nga forcat ushtarake ruse përgjatë natës, kanë lënë të vdekur 17 persona.

Sekretari i Këshillit të qytetit, Anatoliy Kurtev, ka thënë më 9 tetor se pesë shtëpi janë shkatërruar dhe rreth 40 janë dëmtuar në zonën e kontrolluar nga ushtria ukrainase në këtë qytet.

Zaporizhja është aneksuar javën e kaluar nga Rusia, hap që është konsideruar në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar.

SHIKONI EDHE: Rusia anekson katër rajone ukrainase, Zelensky kërkon anëtarësim të përshpejtuar në NATO

Në disa fotografi të publikuara në rrjetet sociale, nga autoritetet ushtarake ukrainase, në rajonin e Zaporizhjas janë parë dëme të mëdha në ndërtesat e banimit.

Zaporizhja është sulmuar me armë të rënda edhe më 6 tetor, si pasojë e të cilave kanë vdekur 11 njerëz.

Për sulmet e reja është raportuar pas shpërthimit të fuqishëm në urën që lidh Rusinë me Gadishullin e aneksuar të Krimesë.

Kjo urë është ndërtuar pas aneksimit të Gadishullit më 2014 dhe konsiderohet simbol i kontrollit të Rusisë mbi këtë territor.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka lëshuar një dekret përmes së cilit urdhëron Shërbimin Federal të Sigurisë (FSB) që të marrë kontrollin e sigurisë në Urën e Krimesë dhe infrastrukturës tjetër të rëndësishme në Gadishullin e Krimesë.

SHIKONI EDHE: Rusia rrit sigurinë pas shpërthimit në urën e Krimesë

Prej shpërthimit të së shtunës, në rrjetet sociale kanë shpërthyer festimet nga ana e ukrainasve.

Në javët e fundit, forcat ushtarake të Kievit kanë çliruar vendbanime të shumta, të cilat i kanë kontrolluar forcat ruse prej nisjes së luftës.

Disa orë pas shpërthimit në urë, Rusia ka emëruar një komandant të ri për trupat që ka në Ukrainë.

Sergei Surovikin është komandat veteran, i cili njihet për udhëheqje të trupave ruse në Siri dhe akuzohet për mbikëqyrje të shkatërrimit të qytetit Alepo.

SHIKONI EDHE: Rusia emëron komandant të përgjithshëm për luftën në Ukrainë

Pavarësisht avancimeve ukrainase, forcat ruse vazhdojnë të kontrollojnë pjesë të konsiderueshme të territorit ukrainas, duke përfshirë rajonin e centralit bërthamor të Zaporizhjas – më i madhi në Evropë – i cili aktualisht është duke u varur nga gjeneratorët për të marrë energjinë e duhur për ftohje të reaktorëve.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.