Informacionet për dhunën e 23 qershorit në rajonin rus të Kaukazit të Veriut, Dagestan, janë ende duke u mbledhur.
Sipas Komitetit Hetimor të Rusisë, së paku 20 njerëz u vranë, përfshirë 15 oficerë të policisë, kur persona të armatosur sulmuan një sinagogë, dy kisha ortodokse ruse dhe policinë në kryeqytetin rajonal, Makaçkala, dhe në qytetin e Derbentit, rreth 120 kilometra në jug.
Pesë persona të armatosur raportohet se u vranë, ndërsa 16 persona, përfshirë 13 policë, u plagosën.
Përgjegjësinë për sulmin nuk e mori ende askush.
SHIKONI EDHE: Persona të armatosur vrasin së paku 20 njerëz në Dagestan të RusisëVilajeti i Kaukazit
Autoritetet ruse nuk i publikuan emrat e pesë personave të armatosur të vrarë.
Por, kanalet në Telegram, të lidhura me Kaukazin, i identifikuan dy prej tyre si djemtë e Magomed Omarovit, udhëheqës i një qarku lokal dhe zyrtar i partisë në pushtet, Rusia e Bashkuar, i cili u dëbua menjëherë pas incidentit.
Një tjetër sulmues i vrarë thuhet se ishte nipi i Omarovit. Ky i fundit thuhet se u arrestua nën dyshimet për nxitje terrorizmi.
Kanali Baza në Telegram, i cili ka lidhje me agjencitë e zbatimit të ligjit, citoi Omarovin të ketë thënë gjatë marrjes në pyetje se ai e ka ditur se djemtë dhe nipi i tij janë ekstremistë dhe se nuk ka qenë në kontakt me ta “gjatë disa viteve të fundit”.
Këto pretendime nuk ishte e mundur që të verifikoheshin në mënyrë të pavarur.
Ngjashëm, as një raport në kanalin Mash në Telegram që thoshte se njëri nga djemtë, Osman Omarov, ishte kthyer në prill në Rusi, pas një qëndrimi prej 18 muajsh në Turqi.
Instituti për Studime të Luftës, me bazë në SHBA, shkroi më 23 qershor se sulmi mund të jetë koordinuar nga një degë e grupit ekstremist, Shteti Islamik, në Kaukazin e Veriut, e njohur si Vilajeti i Kaukazit.
Agjencitë ruse kundër terrorizmit kanë përndjekur disa njerëz, të cilët, sipas tyre, janë anëtarë të Vilajetit të Kaukazit, që nga sulmi i 22 marsit në një sallë koncertesh pranë Moskës.
Në atë sulm u vranë 145 njerëz, ndërsa përgjegjësinë për të e mori Shteti Islamik, edhe pse sulmuesit e dyshuar ishin taxhikë dhe lidhjet e tyre me Kaukazin e Veriut nuk ishin të njohura.
Akuza Ukrainës dhe Perëndimit
Pa ofruar asnjë provë, disa zyrtarë rusë bënë përgjegjëse Ukrainën dhe NATO-n për sulmet në Dagestan.
“Sot, ne e gjejmë veten pjesëmarrës në ato ngjarje që po ndodhin në mbarë botën”, tha kreu i Dagestanit, Sergei Melikov.
“Ne duhet ta kuptojmë se lufta ka ardhur në shtëpinë tonë”, tha ai.
Magomed Gadzhiyev, anëtar i Dhomës së Ulët të Parlamentit rus nga Dagestani, tha se sulmet janë, në një mënyrë ose tjetër, “të lidhura me shërbimet sekrete të Ukrainës dhe të vendeve të NATO-s”.
Sipas tij, ato janë një “përpjekje për ta destabilizuar situatën në vendin tonë”, në vazhdën e “sukseseve të forcave tona” në Ukrainë.
Dmitry Rogozin, ish-diplomat dhe anëtar i Dhomës së Lartë të Parlamentit rus, tha se nuk duhet bërë konstatime të tilla, sepse “fajësimi i NATO-s për çdo incident të tillë mund ta pengojë Rusinë në identifikimin e kërcënimeve të brendshme”, si dhe “të çojë në probleme të mëdha”.
Po kështu, një analist i Kaukazit të Veriut, i cili kërkoi të mos identifikohet për shkak të shqetësimeve për sigurinë e tij, i tha Radios Evropa e Lirë se Rusia duhet t’i kërkojë shkaqet rrënjësore të radikalizimit të të rinjve në Dagestan.
“Duhet zbuluar se çfarë i motivon ata, në vend se të përmendet ‘ndikimi i Ukrainës ose i Perëndimit’”, sipas tij.
SHIKONI EDHE: Sulmi në Rusi rikthen jehun e terrorit në PerëndimRoli i Dagestanit
Dagestani, me një popullsi prej më shumë se 3.1 milionë banorësh, është rajoni më i madh i Kaukazit të Veriut të Rusisë.
Është një nga zonat më të larmishme etnike dhe gjuhësore në botë, me 14 gjuhë zyrtare dhe dhjetëra grupe etnike.
Më shumë se 80 për qind e popullsisë janë myslimanë sunitë. Atje jeton, po ashtu, një pakicë e konsiderueshme konservatore selafiste, të cilën autoritetet ruse, prej vitesh, e akuzojnë për ekstremizëm dhe është në shënjestër të represionit.
Si një nga rajonet më të varfra dhe më pak të zhvilluara të Rusisë, Dagestani raporton rregullisht një nga normat më të larta të papunësisë në vend.
Ai luajti rol në luftërat në Çeçeninë fqinje në vitet 1990 dhe 2000 dhe ishte i përfshirë në një kryengritje islamike në Kaukazin e Veriut, e cila buronte nga ato konflikte.
Dhuna e 23 qershorit ishte incidenti i parë i madh i këtij lloji në rajon në rreth 15 vjet.
Megjithatë, trazirat atje ishin në rritje prej se Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022.
Pasi presidenti rus, Vladimir Putin, kërkoi mobilizim masiv ushtarak në shtator të vitit 2022, për shkak të vështirësive në fushën e betejës në Ukrainë, në Dagestan shpërthyen protesta kundër mobilizimit.
SHIKONI EDHE: Çfarë do të thotë antisemitizmi në Kaukazin Verior për qasjen e Moskës ndaj luftës në Gazë?Në një tjetër rast, në tetor të vitit 2023, një turmë prej më shumë se 1.000 personash, që thërrisnin slogane antisemite, sulmoi aeroportin në Makaçkala, pas raporteve nxitëse në mediat sociale se rajoni po pranonte refugjatë izraelitë nga lufta në Gazë.
Zyrtarët rusë u përpoqën ta fajësonin Perëndimin edhe për atë dhunë.