Rritet numri i viktimave nga sulmi në Kabul

Gjësendet e njerëzve që prisnin të largoheshin nga aeroporti i Kabulit, përpara se të ndodhnin sulmet vetëvrasëse. Gusht, 2021.

Mediat amerikane raportojnë se numri i të vdekurve nga sulmi jashtë aeroportit të Kabulit është rritur në mbi 170.

CNN dhe CBS News cituan një zyrtar shëndetësor afgan të ketë thënë se numri i të vdekurve është rritur ndjeshëm, që dallon nga raportimet e mëparshme për rreth 100 viktima.

Një korrespondent i CBS njoftoi se të paktën 200 persona të tjerë u plagosën.

Shteti Islamik (IS), një armik i talebanëve si dhe i Perëndimit, mori përgjegjësinë për sulmin duke thënë se një nga kamikazët e tij vetëvrasës nga filiali i tij, IS-K, kishte në shënjestër "përkthyes dhe bashkëpunëtorë të ushtrisë amerikane".

Sulmi vetëvrasës me bombë që ndodhi më 26 gusht në afërsi të aeroportit të Kabulit la të vrarë edhe 13 trupa amerikane.

Ushtria amerikanë tha të premten se vetëm një sulmues vetëvrasës kreu sulmin vdekjeprurës në aeroportin e Kabulit, duke korrigjuar vlerësimin e mëparshëm se kishte dy shpërthime të ndara.

Të enjten, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, u zotua se do të hakmerret kundër grupit militant Shteti Islamik.

Sulmi ndodhi vetëm pak ditë para afatit të 31 gushtit për tërheqjen e trupave të huaja nga Afganistani.

“Nuk do të falim. Nuk do të harrojmë. Do t'ju kapim dhe do t'ju bëjmë të paguani”, tha Biden në një fjalim nga Shtëpia e Bardhë.

Ai tha se forcat amerikane do ta shënjestrojnë Shtetin Islamik Khorasan në një kohë dhe vend të zgjedhur prej tij. Shteti Islamik Khorasan është dega e grupit ekstremist në Afganistan dhe Pakistan, e cila ka marrë përgjegjësinë për sulmet në aeroportin e Kabulit. Dega është rivale e talibanëve.

“Unë gjithashtu kam urdhëruar komandantët e mi të zhvillojnë plane operacionale për të goditur pasuritë, udhëheqjen dhe objektet e Shtetit Islamik Khorasan”, tha Biden.

Video:

Your browser doesn’t support HTML5

Viktima dhe të plagosur nga shpërthimi në Afganistan

Shtetet e Bashkuara kanë koordinuar me talibanët evakuimet e qytetarëve të huaj dhe afganë, qëkur kryengritësit kanë marrë kontrollin e Afganistanit, më 15 gusht.

Sulmet terroriste nuk do t'i pengojnë Shtetet e Bashkuara nga misioni i tyre për të evakuuar nga Afganistani mijëra qytetarë amerikanë, aleatë dhe afganë në rrezik, tha Biden.

“Ne nuk do të pengohemi nga terroristët. Nuk do t'i lejojmë ata të ndalojnë misionin tonë. Ne do të vazhdojmë evakuimin”, tha Biden, duke shtuar se mbi 100,000 njerëz janë larguar nga Afganistani vetëm në 12 ditët e fundit.

Biden konfirmoi se trupat amerikane do të largohen nga Afganistani më 31 gusht dhe shtoi se ka mjaft kohë në ditët e ardhshme për të përfunduar evakuimet.

SHIKONI EDHE: Evakuimi nga Kabuli duhet të mbetet prioritet, thotë NATO-ja

Biden i përshkroi shërbyesit e ushtrisë amerikane që vdiqën në sulme si “heronj që kanë qenë në një mision të rrezikshëm, për të shpëtuar jetën e të tjerëve”.

Administrata e tij është fajësuar për një evakuim kaotik, pas rënies së Qeverisë afgane të mbështetur nga SHBA-ja dhe marrjes së kontrollit nga talibanët.

Të premten, Shtetet e Bashkuara than se do të vazhdojnë evakuimet e personelit dhe bashkëpunëtorve afganë deri më 31 gusht.

"Ne do të jemi në gjendje t'i largojmë të evakuuarit deri në minutën e fundit", tha zëdhënësi i Pentagonit, John Kirby.

Pentagoni njoftoi të premten se 5.400 njerëz janë brenda aeroportit të Kabulit në pritje të evakuimit nga Afganistani, një ditë pas një sulmi vdekjeprurës nga grupi ekstremist Shteti Islamik.

SHIKONI EDHE: Çfarë ndodh me evakuimet pasi SHBA-ja të largohet nga Afganistani?

Shteti Islamik Khorasan mori përgjegjësinë për sulmet, duke thënë se njëri prej sulmuesve të tij vetëvrasës ka pasur në shënjestër “përkthyes dhe bashkëpunëtorë të ushtrisë amerikane”.

Videot e postuara në internet treguan dhjetëra trupa të shpërndarë rreth një kanali pranë aeroportit.

“Gjysma e njerëzve u hodhën në ujë dhe të tjerët [u rrëzuan] për tokë. Ne i bartëm të plagosurit këtu [në spital]. Rrobat e mia janë të mbuluara plotësisht me gjak”, tha një dëshmitar që nuk donte të identifikohej.

Disa aleatë të SHBA-së, përfshirë Kanadanë, Holandën, Belgjikën dhe Gjermaninë, kanë përfunduar tashmë evakuimet e tyre nga Afganistani, përpara tërheqjes së SHBA-së, më 31 gusht.

Të enjten, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët iu bënë thirrje civilëve që të qëndrojnë larg aeroportit, pasi informacionet e inteligjencës sugjeronin se Shteti Islamik Khorasan po planifikonte një sulm.

Përgatiti: Valona Tela