Agjenci për digjitalizim për mbrojtje nga sulmet kibernetike

Fotografi ilustruese.

Ministria e Shoqërisë Informative në Maqedoninë e Veriut ka paralajmëruar themelimin e një agjencie për digjitalizim që do të ketë për detyrë koordinimin e sigurisë kibernetike për të gjitha institucionet e vendit.

Gjatë dy vjetëve të fundit shumë institucione të shtetit ishin cak i sulmeve kibernetike duke paralizuar funksionimin e tyre me ditë të tëra.

SHIKONI EDHE: Sulm kibernetik ndaj Ministrisë së Arsimit në Maqedoni të V.

Për t’i shmangur problemet e këtilla, ministri i Shoqërisë Informative, Azir Aliu, bëri të ditur se në agjencinë për digjitalizim do të angazhohen ekspertët më të mirë të inxhinierisë së teknologjisë informative nga vendi dhe jashtë. Sipas tij, ata do të menaxhojnë me tërë procesin për të mbrojtur strukturën digjitale të institucioneve të shtetit.

“Tashmë çdo institucion ia del si di: ose paguan ndonjë softuer të shtrenjtë ose ndonjë specialist të shtrenjtë të teknologjisë informative që të mund të shmangë depërtimin në sistem dhe në fund si shtet nuk kemi asnjë mbrojtje. Agjencia do t’i mbrojë të gjitha institucionet në kaskadë [kapelë mbrojtëse]. Do të filtrojë të gjitha sinjalet [sulmet] që vijnë nga jashtë”, tha Aliu.

Ai njëherësh bëri të ditur se detyrë e agjencisë do të jetë koordinimi i këtij institucioni me institucionet e ndryshme të shtetit për përdorimin e softuerëve, si dhe sistemeve antivirus që kanë në përdorim.

SHIKONI EDHE: Antivirusi rus nga lista e zezë e SHBA-së, në kompjuterët e institucioneve në rajon

Ekspertët për siguri kibernetike thonë për Radion Evropa e Lirë se Maqedonia e Veriut është vonuar për sa i përket krijimit të një organi, i cili në formë të centralizuar do të koordinojë punën e të gjitha institucioneve për sa i përket sigurisë digjitale.

Megjithatë, ata shtojnë se edhe pas formimit të agjencisë, sfidë më vete do të jetë sigurimi i kuadrit të inxhinierisë së teknologjisë informative

“Sigurisht që do të ketë probleme me sigurimin e kuadrit. Nuk e di se cilat janë buxhetet e planifikuara, sepse paga është një faktor vendimtar për një numër të madh njerëzish, edhe pse do të jetë një sfidë e madhe që inxhinierët e teknologjisë informative, të cilët në tregun privat kanë paga shumë të larta, të vendosin të punojnë për shtetin ku pragu maksimal është i përcaktuar”, thotë për REL-in, Filip Simeonov, ekspert për siguri kibernetike.

Ai zgjidhjen e sheh në bashkëpunimin e institucioneve të shtetit me kompanitë private të IT-së.

“Agjencia e digjitalizimit duhet të punësojë menaxherë dhe drejtues projektesh që do t’i menaxhojnë proceset. Në shumë vende evropiane funksionojnë partneritetet publiko-privat, ku kompanitë private bëjnë punën e tyre, por dikush duhet t'i menaxhojë dhe të shohë nëse puna është bërë mirë", vlerëson Simeonov.

Autoritetet e vendit, sulmet kibernetike ndaj institucioneve të shtetit i kanë cilësuar si pjesë të luftës hibride që zhvillohet në Evropë, pas agresionit rus në Ukrainë.

Për evitimin e sulmeve kibernetike zyrtarët e lartë të vendit bënë të ditur se krahas ekspertëve të vendit, ishin përfshirë dhe vendet anëtare të NATO-s.

SHIKONI EDHE: Sulmi kibernetik lë pa paga punonjësit shëndetësorë dhe lehonat

Autoritetet maqedonase më tani nuk kanë dhënë përgjigje nëse sulmet kibernetike ndaj institucioneve të shtetit janë pjesë e të ashtuquajturës luftë hibride.

Prokurori publik, Gavril Bubevski, vlerësoi se lufta ndaj kërcënimeve hibride duhet të jetë e koordinuar dhe shumëdimensionale, por edhe të shfrytëzohen praktikat më të mira nga vende e zhvilluara të Bashkimit Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Ajo që është ndoshta veçoria më specifike e kërcënimeve hibride është potenciali i tyre që vazhdimisht dhe shpejt të ndryshojnë formën dhe mjetet e realizimit, duke u bërë kështu një sfidë shtesë për ne si institucione për t'i parandaluar dhe sanksionuar në mënyrë adekuate”, tha Bubevski. Këto komente ai i bëri gjatë kësaj jave në kuadër të Konventës Nacionale të BE-së në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kushtuar ballafaqimit me kërcënimet hibride.

Ndërkohë, ekipet punuese tashmë janë angazhuar në hartimin e ligjit që do të mundësojë themelimin e agjencisë për digjitalizim.