Sulmet izraelite në Liban detyrojnë mijëra familje të zhvendosen
Sulmet ajrore izraelite kanë vrarë të paktën 558 persona të hënën, në mesin e të cilëve 50 fëmijë dhe 94 gra, sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Liban.
Izraeli dhe Hezbollahu – grupi libanez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – kanë këmbyer zjarr ndërkufitar pothuajse çdo ditë që kur nisi lufta në Gazë më 7 tetor 2023. Por, bombardimet e 23 shtatorit në Liban deri më tani shënuan përshkallëzimin më të madh, që nga lufta e vitit 2006 mes Izraelit dhe Hezbollahut, grup që mbështetet nga Irani.
Dhjetëra mijëra persona janë larguar nga shtëpitë e tyre në Liban, teksa Izraeli ka vazhduar sulmet, thanë Kombet e Bashkuara më 24 shtator, duke i quajtur këto ngjarje si “shumë alarmante”.
“Ne jemi thellësisht të shqetësuar lidhur me përshkallëzimin serioz të sulmeve që pamë dje”, tha zëdhënësi i agjencisë për refugjatë të OKB-së, Matthew Saltmarsh.
Edhe para sulmeve të 23 shtatorit, në Liban ka pasur zhvendosje të popullsisë nga pjesa jugore e vendit. “Situata është shumë alarmante. Është shumë kaotike. Numri i civilëve të vrarë është i papranueshëm”, theksoi Matthew Saltmarsh.
Sulmet e së hënës u kryen pasi Izraeli sulmoi Bejrutin të premten duke vrarë dhjetëra persona, përfshirë dy komandantë të Hezbollahut.
Një vit pas fillimit të luftës midis Hamasit dhe Izraelit në Rripin e Gazës, kufiri verior është bërë tashmë objektiv i sulmeve izraelite, nga të cilat Hezbollahu i mbështetur nga Irani, nisi një sulm me raketa ndaj Izraelit për të ndihmuar Hamasin gjithashtu të mbështetur nga Irani.
Një automjet duke transportuar anëtarët e Ushtrisë së Libanit afër vendit të një sulmi izraelit në periferi të Bejrutit, Liban, 23 shtator 2024.
Njerëzit shikojnë tymin që ngrihet në qiell nga sulmet izraelite.
Rrugët e bllokuara të qytetit Sidon nga kolonat e automjeteve me njerëz që po ikin nga bombardimet izraelite.
Automjetet duke pritur në trafik në qytetin Damour, në jug të kryeqytetit Bejrut më 24 shtator 2024, ndërsa njerëzit largohen nga jugu i Libanit.
Pamje e rrugëve të bllokuara nga automjetet me njerëzit që po zhvendosen, qyteti Sidon, Liban.