Nëntë të vrarë nga sulmet izraelite në Bregun Perëndimor, thonë zyrtarë palestinezë

Pjesëtarët e forcave izraelite me autoblinda kontrollojnë një ambulancë gjatë një operacioni në qytetin Xhenin, në Bregun Perëndimor, 28 gusht 2024.

Ushtria izraelite ka kryer sulme dhe bastisje në Bregun e okupuar Perëndimor të mërkurën, duke i vrarë së paku nëntë palestinezë, si dhe e ka rrethuar qytetin Xhenin, sipas zyrtarëve palestinezë.

Izraeli ka kryer sulme e bastisje pothuajse të përditshme në Bregun Perëndimor prej kur Hamasi – grupi i shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE – kreu një sulm në Izrael që e nxiti luftën në Gazë.

Grupet militante palestineze thanë se janë duke shkëmbyer zjarr me ushtrinë izraelite. Guvernatori i Xheninit, Kamal Abu al-Rub, tha në radion palestineze se forcat izraelite e kanë rrethuar qytetin, duke i bllokuar hyrjet dhe daljet dhe qasjen në spitale, si dhe duke e shkatërruar infrastrukturën.

Ministria e Shëndetësisë në Bregun Perëndimor tha se forcat izraelite i kanë bllokuar rrugët që çojnë në spital dhe i kanë rrethuar objektet e tjera mjekësore në Xhenin.

Ushtria izraelite e konfirmoi se është duke e kryer një operacion në qytetet Xhenin dhe Tulkarem, por nuk dha hollësi të tjera.

SHIKONI EDHE: Palestinezë të vrarë gjatë një operacioni të Izraelit në Bregun Perëndimor

Ministri i Jashtëm i Izraelit, Israel Katz, bëri krahasime me Gazën dhe kërkoi të ndërmerren masa të ngjashme edhe në Bregun Perëndimor.

“Ne duhet të merremi me kërcënimin siç e bëmë me infrastrukturën terroriste në Gazë, përfshirë duke i evakuuar përkohësisht banorët palestinezë dhe duke marrë çfarëdo hapash që mund të nevojiten. Kjo është luftë në çdo aspekt, dhe ne duhet ta fitojmë”, shkroi ai në X.

Hamasi u bëri thirrje palestinezëve në Bregun Perëndimor të ngrihen në këmbë, duke thënë se sulmet janë pjesë e një plani të gjerë për ta zgjeruar luftën në Gazë dhe i fajësoi Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara për përshkallëzimin.

Së paku 652 palestinezë në Bregun Perëndimor janë vrarë nga zjarri i forcave izraelite prej se nisi lufta në Gazë para 10 muajve, sipas Ministrisë palestineze. Shumica kanë vdekur gjatë operacioneve të tilla, të cilat shpesh kanë nxitur luftime mes forcave izraelite dhe militantëve.

Izraeli thotë se operacionet janë të nevojshme për t’i shkatërruar Hamasin dhe grupet e tjera militante dhe për t’i parandaluar sulmet kundër izraelitëve, të cilat gjithashtu janë rritur prej se nisi lufta.

SHIKONI EDHE: Izraeli do të ndërtojë mbi 5.000 shtëpi të reja për kolonët në Bregun Perëndimor

Izraeli i uzurpoi Bregun Perëndimor, Gazën dhe Jerusalemin lindor gjatë luftës së vitit 1967. Palestinezët i duan këto tri vende për ta themeluar shtetin e tyre.

Izraeli ka ndërtuar shumë vendbanime në Bregun Perëndimor, ku jetojnë mbi 500.000 kolonë izraelitë. Ata gëzojnë shtetësi izraelite, ndërsa mbi 3 milionë palestinezë në Bregun Perëndimor jetojnë nën sundimin e ushtrisë izraelite, sepse Autoriteti Palestinez ka vetëm kontroll të kufizuar mbi qendrat popullore.

Lufta në Gazë nisi më 7 tetor të vitit të kaluar, kur militantët e Hamasit u futën vrullshëm në jug të Izraelit dhe i vranë rreth 1.200 njerëz dhe i rrëmbyen mbi 250 të tjerë, sipas zyrtarëve izraelitë.

Si pasojë e luftës izraelite, pjesë të Rripit të Gazës janë bërë rrafsh me tokën dhe së paku 40.000 njerëz janë vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.