Sulmet e Hamasit përbënin krime lufte, thotë HRW

Raketat e shkrepura nga Gaza drejt Izraelit më 19 maj 2021.

Sulmet me raketa nga ana e Hamasit në drejtim të Izraelit gjatë muajit maj përbëjnë krime lufte, ka thënë organizata ndërkombëtare, Human Rights Watch (HRW).

Pas një hetimi, kjo organizatë erdhi në përfundimin se ato sulme “shkelën në mënyrë flagrante” ligjet e luftës. Izraeli ka thënë se më shumë se 4.360 raketa janë shprepur në drejtim të territorit të tij, duke lënë të vrarë 13 njerëz.

Gjatë 11 ditëve të luftimeve, në muajin maj, mes Izraelit dhe militantëve palestinezë kanë mbetur të vrarë 260 njerëz në Gaza. Palët arritën armëpushim më 21 maj. Konflikti pati filluar pas disa javësh tensione në Jerusalemin lindor, që kulmuan me përleshje mes myslimanëve dhe hebrejve.

Grupi militant Hamas, që sundon me Rripin e Gazës filloi të sulmojë me raketa duke nxitur Izraelin të përgjigjet me sulme ajrore.

SHIKONI EDHE: Izraeli lejon disa eksporte nga Gaza

Muajin e kaluar, HRW tha se bazuar në hetimet që ka bërë, tre sulme ajrore izraelite gjithashtu përbënin krime lufte.

Nga këto sulme mbetën të vrarë 62 civilë dhe në bazë të hetimit, aty nuk janë gjetur prova të objektivave ushtarakë. Ushtria izraelite thotë se goditi vetëm objektiva ushtarakë në Gaza dhe mori masa të ndryshme për të shmangur viktimat civile.

Izraeli ka thënë disa herë se militantët vendosen në zona të banuara dhe i shfrytëzojnë civilët si mburoja të gjalla.

Hamasi dhe Izraeli janë në një konflikt të gjatë dhe kanë zhvilluar disa luftime që kur grupi fitoi zgjedhjet palestineze më 2006.

Hamasi, konsiderohet një organizatë terroriste nga Izraeli, SHBA-ja, Bashkimi Evropian dhe një sërë vendesh tjera.